Ndërlidhjet

Maqedoni: Miratimi i ligjit për media, pas Raportit të Progresit


Fotoreporterë...

Fotoreporterë...

Ligjet për mediat nuk do të miratohen para publikimit të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Maqedoninë. Në kalendarin e punës së Kuvendit, deri më datë 15 tetor nuk është paraparë asnjë seancë, në të cilën do të miratoheshin këto ligje, që kanë shkaktuar polemika të shumta mes gazetarëve dhe Qeverisë.

Ligji për mediat dhe tjetri për veprimtarinë audio dhe audio vizuele ishin paraparë që të miratoheshin muajin e kaluar, por nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, thonë se ato janë lënë qëllimisht që të mos përfshihen në kritikat e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian.

“Mendoj se kjo lojë duhet të shërbejë si element që Brukseli edhe më ashpër të kritikojë politikën e Qeverisë së Maqedonisë ndaj mediave dhe në mënyrë shumë konkrete t’i shprehë vërejtjet në Raportin e Progresit, edhe pse miratimi i ligjeve për media është shtyrë pas publikimit të këtij raporti”, thotë Isen Saliu nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë.

Ndërkohë, komunikologu Xhelal Neziri, nuk përjashton mundësinë që pas kësaj të qëndrojnë edhe qëllime tjera në drejtim të miratimit të masave edhe më restriktive sa i përket mediave.

“Mendoj se pas këtij vendimi qëndron qëllimi që ligji të kufizojë apo të zgjerojë edhe më shumë gamën e kontrollit të mediave dhe ky ligj është shtyrë më tutje, pra pas publikimit të raportit të Komisionit Evropian me qëllim që të mos ndikojë edhe më shumë në përmbajtjen apo kritikat e këtij raporti sa i përket lirisë së mediave”, shprehet Xhelal Neziri, komunikolog.

Ndërkohë, në opinion tashmë është njoftuar se Raporti i Progresit do të përmbajë edhe një kriter të ri sa i përket Maqedonisë, atë të “kulturës mediatike”.

“Përveç çështjes së emrit, tani paraqitet edhe liria apo kultura mediatike si kusht për nisjen e negociatave, gjë që është vërtet një shqetësim i madh jo vetëm për gazetarët, jo vetëm për mediat, por për nivelin e demokracisë në Maqedoni“, konsideron Neziri.

Ish-kryetari i Këshillit për Radiodifuzion, Mirçe Adamçevski, thotë se gjendja në fushën mediatike në vend, jo që do të përmirësohet, por ajo do të përkeqësohet edhe më shumë, në veçanti pas miratimit të dy ligjeve për mediat. Sipas tij, nga kjo “situatë katastrofale e censurës“, mund të dilet vetëm nëse partitë heqin dorë nga ndikimet mbi mediat. Por, Adamçevski për gjendjen e krijuar fajëson edhe drejtuesit e mediave.

“Të gjitha partitë politike duhet të ulen dhe të heqin duart nga dëshira për të sunduar me mediumet. Normalisht, se një pjesë të madhe të fajit për këtë gjendje e kanë edhe vetë gazetarët, në veçanti kryeredaktorët dhe redaktorët. Ata dëshirojnë të koketojnë me pushtetin apo të jenë shokë me ta dhe normalisht të financohen, të ndihmohen materialisht dhe kështu të vendoset një treg mediatik në shtet".

"Që të mos ndodhë kjo duhet të zhvillohen sponsorimet private që gazetarët të munden në mënyrë të ndershme të sigurojnë ekzistencën dhe jo siç ndodh tani, që për të siguruar mbijetesën, ata detyrohen të shkruajnë gjithçka, me urdhër të dikujt tjetër”
, thekson Adamçevski.

Ndërkohë, në prononcimet e fundit lidhur me lirinë e mediave, nga Qeveria kanë thënë se miratimi i dy ligjeve ka për qëllim rregullimin e veprimtarisë mediatike në përputhje me standardet e avancuara ndërkombëtare, e assesi me vendosjen e kontrollimit mbi punën e tyre.

Por, zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi, i cili po qëndron për vizitë në Bruksel, ka konfirmuar interesimin e Bashkimit Evropian mbi lirinë e mediave dhe vendosjen e dialogut me gazetarët për çështjen që kanë të bëjnë me veprimtarinë e tyre.

Në të gjitha raportet e organizatave ndërkombëtare mbi lirinë e mediave, Maqedonia në vazhdimësi është pozicionuar në grupin e shteteve me liri të kufizuar.
XS
SM
MD
LG