Ndërlidhjet

OSBE: Parregullsi serioze në zgjedhjet në Azerbajxhan


Logo e OSBE-së
Logo e OSBE-së
Zyrtarë nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, kanë thënë sot se zgjedhjet presidenciale në Azerbajxhan u përcollën me parregullsi serioze.

Monitoruesit thanë gjatë një konference për shtyp në Baku, se zgjedhjet të cilat nxorrën fitues presidentin aktual Aliyev, u karakterizuan nga “një mjedis i kufizuar për mediat”, dhe me ankesa për frikësime të kandidatëve kundërshtarë dhe votuesve.

Tana De Zulueta, kryesuese e Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut, ka thënë se gjatë gjithë procesit zgjedhor, ka pasur ndërhyrje dhe kufizime të lirive fundamentale, si ajo e tubimit, organizimit dhe e shprehjes.

“Vëzhguesit tanë kanë marrë pohime për frikësime dhe kanë qenë dëshmitarë të rrahjes së disa gazetarëve, çka sipas nesh është tërësisht e papranueshme”, ka thënë ajo.

Sipas saj, shkeljet më të rënda janë evidentuar gjatë procesit të numërimit të votave.

“Rreth 58 % të numërimit të cilin e kemi vëzhguar ne, është raportues si i parregulltë, pse seriozisht i parregullt”, ka specifikuar Zulueta.

Konferenca për shtyp e OSBE-së u përcoll nga kaosi, meqë disa reporterë proqeveritarë i ndërprenë vëzhguesit dhe brohoritën që OSBE-ja ishte e njëanshme në pretendimet e saj.

Me pothuaj të gjitha votat të numëruara, Aliyev del fitues me një rezultat të thellë prej 84.6 %.
XS
SM
MD
LG