Ndërlidhjet

Me uljen e temperaturave, po shkelet Ligji i duhanit


Ilustrim

Ilustrim

Nga data 22 maj e këtij viti, Ligji për kontrollin e duhanit ka hyrë në fuqi.

Vullneti i qytetarëve për ta zbatuar ligjin nuk ka munguar. Sipas zyrtarëve që merren me këtë çështje, ky Ligj gjatë tërë verës është zbatuar në masë të madhe.

Por, problemet me shkeljen e Ligjit kanë filluar ditët e fundit me rënien e temperaturave.

Këtë e thotë Faik Hoti, drejtor i departamentit të informimit në Ministrinë e Shëndetësisë, njëherësh anëtar i grupit punues të Ligjit për kontrollin e duhanit.

"Në bazë të raporteve që sjellin inspektoratet Prishtina qëndron më mirë sa i përket zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit, derisa normalisht me ftohjen e kohës ka tendenca që ky Ligj të shkelet nëpër kafe, bare të ndryshme, derisa monitorimet po vazhdojnë", thotë Hoti.

"Inspektorati në bashkëpunim me Policinë e Kosovës e që është një risi në fazat e implementimit të Ligjit, ka shqiptuar 5 gjoba në subjekte të ndryshme të cilët nuk ju kanë bindur Ligjit".

"Ligji për duhanin nuk është një ligj stinor por duhet të respektohet pavarësisht kohës. Normalisht do të ketë sfida, probleme, shkelje, por ligji i ka përcaktuar gjobat edhe mënyrat tjera të sanksionimit për ata që e shkelin ligjin", bën të ditur Hoti.

Ndërkaq, udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skender Syla, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Ligji për kontrollin e duhanit është një ligj shumë i qartë, gjithëpërfshirës e që ka për synim mbrojtjen e shëndetit të popullatës, duke shtuar se ai tashmë është miratuar dhe duhet patjetër të respektohet.

"Ne kemi qenë dëshmitar që Ligji gjatë sezonës së verës është respektuar në masën më të madhe në mënyrën më të mirë të mundshme, derisa tani kur temperaturat kanë filluar të bien, është vërejtur se në disa lokale afariste është thyer ligji".

"Por inspektorët janë në teren, kanë bërë vizita monitoruese dhe kanë filluar të shqiptojnë gjoba, konform Ligjit. Ligji duhet të zbatohet gjatë tërë kohës 365 ditë, e jo sipas ndryshimit të klimës, sepse esenca e këtij ligji është që të mbrohet shëndeti i popullatës gjatë tërë kohës".

"Ne jemi optimistë sepse ekziston një infrastrukturë e mirë dhe një mekanizëm i monitorimit dhe urojmë që ky Ligj të zbatohet 100 për qind ashtu siç është paraparë", thotë Syla.

Por pronarët e kafeneve thonë se Ligji për kontrollin e duhanit po respektohet 100 për qind.

Fitim Tahiri, pronar i një kafeneje në qendër të Prishtinës, jep hollësi të tjera.

"Ligji për duhanin po respektohen 100 për qind. Mendoj se njerëzit janë vetëdijesuar. Kur dikush dëshiron të tymos duhan, dalin jashtë. Nuk kemi pasur rast që dikush të kundërshtojë dhe të ndezë cigare. Po shohin se ambienti është i pastër brenda, pa tym dhe po pengon anash tavolinat tjera dhe dalin jashtë", thekson Tahiri.

Ndërkaq, Faik Hoti nuk e mohon faktin se Ligji për kontrollin e duhanit po shkelet në institucione publike shëndetësore.

Ai thotë se së fundmi është dënuar me 3 mijë euro gjobë për shkelje të këtij ligji, spitali i Mitrovicës.

"Inspektorati shëndetësorë po punon në teren që të monitorojë zbatimin e ligjit në institucionet publike shëndetësore, sepse në ato private respektohet ligji më tepër. Dhe inspektorati shëndetësor si pasojë e mos respektimit të ligjit në spitalin e Mitrovicës ka hapur procedurat për dënimin e këtij institucioni me 3 mijë euro", thotë Hoti.

Sidoqoftë, nga hulumtimet e bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, del se rreth 500 mijë njerëz në Kosovë e konsumojnë duhanin në mënyrë të rregullt.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG