Ndërlidhjet

Prishtina edhe zyrtarisht heq taksën për Luginën e Preshevës


Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të premten që të lirojë qytetarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nga sigurimi i detyruar për automjete që kushton 80 euro për një muaj.

Vendimi u pa si një lehtësim i madh për shqiptarët që jetojnë në këto treva në jug të Serbisë

Prej se është ky vendim në fuqi, më se dy vjet, kam shpenzua afër 3,000 euro. Fillimisht paguanim nga 60 euro [sigurim] për dy javë. Pastaj na i kanë ulë në 20 euro në javë. Pra 120 euro ka qenë për një muaj sigurimi, pastaj na e kanë bërë 80 euro në muaj. Shumë para!”, shpjegon një ngasës detajet e shumës që duhet paguar një automjet për të hyrë nga Serbia në Kosovë.

Të tilla ishin shpenzimet për të gjithë ata shqiptarë që jetojnë në jug të Serbisë, apo Luginë të Preshevës që donin me vetura të vinin në Kosovë.

Shpenzimet janë edhe më të mëdha, shpjegon një taksist nga ato treva, i cili për më se 2 vjet ishte i detyruar që të paguajë një policë të sigurimit kufitar me të hyrë nga Serbia në Kosovë.

“Kemi paguar nga dy herë sigurim, edhe andej [në Serbi] edhe këndej [në Kosovë]”, shpjegon Hajdar Halimi nga Medvegja.

Të premten qeveria në Prishtinë mori vendim që ta heq këtë taksë të detyrueshme për veturat e qytetarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

“Këto janë lehtësime të mëdha për ne, kur duam t’i vizitojmë trevat. Vëllezërit tanë që na kanë mbetur atje, e që nuk kanë mundur të na vizitonin kurrë [për shkak të shpenzimeve të mëdha] as për Bajram, as një ditë feste, apo edhe ne që kemi punuar, i kemi dhënë gjithë ato pare”, thotë Halimi.

Qeveria e Kosovës paralajmëroi të mërkurën se do të largojë këtë taksë.

Të premten ndërkaq, në mbledhjen e kabinetit, shefi i qeverisë Hashim Thaçi, tha se ka shqyrtuar kërkesën e liderëve të shqiptarëve në këto tri komuna, të cilat reflektojnë edhe nevojën e popullatës së atjeshme për heqjen e taksës për veturat në vendkalimet kufitare.

Prandaj, ju ftoj sot që Qeveria e Kosovës të aprovojë vendimin për heqjen e taksave për veturat e qytetarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës nga 21 tetori i këtij muaji”, ftoi kryeministri kabinetin që të votojnë dhe i njëjti u miratua pa asnjë kundërshtim.

Çështja e sigurimeve shtesë për qytetarët e Luginës së Preshevës, ishte aktualizuar një muaj më parë, kur shtetasve të Kosovës iu vendos një taksë identike për hyrje në Maqedoni.

Pas shumë polemikave në medie dhe portale, kërkesa e shqiptarëve të atyre trevave u dëgjua më me vëmendje.

Kryeministri Hashim Thaçi ka takuar dy ditë më parë krerët politik dhe institucional të tri komunave të Luginës, të cilëve u premtoi se qytetarët e atyre trevave do të lirohen nga ky obligim financiar.

Kryetari i Preshevës Ragmi Mustafa, tha për Radion Evropa e Lirë se afro tri vjet liderët e asaj ane kanë trokitur në dyert e Qeverisë së Kosovës për të abroguar këtë vendim që ka shkaktuar shpenzime të mëdha për qytetarët e Luginës.

“Kjo ka dëmtuar në masë të konsiderueshme shqiptarët e Luginës së Preshevës, ka ndërprerë frekuentimin e qytetarëve shqiptar në drejtim të Luginës së Preshevës për këtë kohë, dy vjet e më tepër. Ky hap është shumë i qëlluar, shumë i qëndrueshëm, dhe i përshëndetur nga shqiptarët e Luginës së Preshevës”, thotë Mustafa.

Pasi Qeveria e Kosovës mori vendim për heqjen e taksës për veturat nga komunat Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, kryeministri Hashim Thaçi ka urdhëruar ministrinë e financave që ta zbatoj në përpikëri këtë obligim.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për sigurim të detyruar të makinave me targa serbe, ishte marr më 2 dhjetor të vitit 2011, pasi Prishtina dhe Beogradi arritën marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM) në Bruksel
XS
SM
MD
LG