Ndërlidhjet

Maqedoni: Politikat shtetërore thellojnë hendekun social


Shkup...
Shkup...
Në Maqedoni, në konkurset për një vend pune, paraqiten rreth 20 mijë kandidatë, ndërkohë që të dhënat e Entit të Statistikave, për herë të parë kanë bërë të ditur se papunësia në vend ka shënuar rënie për një për qind, me 29 për qind të popullatës të papunë.

Një nga ata që kërkojnë punë është dhe Qazim Imeri që çdo ditë del në tregun e Bitpazarit, në Shkup, me shpresë se do ta angazhojë ndokush për të kryer çfarëdo lloj pune, sa për të siguruar bukën e gojës për familjen e tij prej pesë anëtarësh.

Çka të them se si jetojmë? Si më zi. Gjithë ditën punoj për 1000 denarë, ku gjej punë. Punë gjej në 5 ose 6 ditë. Ja, kanë kaluar 10 ditë, e punë s’kam gjetur. Dal këtu çdo ditë prej orës 7 deri në ora 15 pasdite pres. Ndonjë ditë qëndroj deri në orën 17, por punë s’ka”, tregon Qazimi.

Ai shton se tani që është në të dyzetat, ka humbur shpresën se mund të angazhohet në ndonjë punë të rregullt.

“Prej vitit 1984 paraqitem në Byronë për Punësim. Por, asnjëherë nuk më kanë thirrur për punë. Po mundohem kështu me ndonjë angazhim privat në të zezën. Krejt bëhet në baza partiake. Nëse je në parti, mund të aplikosh diku dhe të shpresosh se mund të punësohesh - pa parti s`ka shanse”, shton Qazimi.

Edhe Ramush Emini çdo ditë pret punë te vendi i quajtur “Ura” në tregun e Bitpazarit, ku presin dhjetëra punëtorë krahu. Ai thotë se ndihma sociale prej 2000 denarësh (33 euro), nuk i mjafton që as bukë të thatë të shtrojë në sofër, për familjen e tij katër anëtarëshe, e jo më për t’u siguruar kushte për mësim fëmijëve të tij të mitur.

“Dhjetë vjet dal këtu për të kërkuar punë prej orës shatë të mëngjesit deri në orën shtatë të mbrëmjes”, tregon Ramushi.

Radio Evropa e Lirë: Gjeni punë?

Ramush Emini: Shumë rrallë... një herë në javë, nëse dikush na jep punë. Unë jam vetë i katërti, unë gruaja dhe dy fëmijë.

Radio Evropa e Lirë: Si arrini të mbijetoni në këtë situatë?

Ramush Emini: Po shumë vështirë, me 2000 denarë ndihmë sociale dhe kjo që dal këtu, një ditë punoj dhe dhjetë ditë jo, pres kot. Punë nuk zgjedhim, sado e vështirë të jetë, edhe pse në disa raste është rrezik, prapë ne kërkojëm punë, por s’ka.

Qeveria e Maqedonisë ka ndërmarrë disa masa, përmes së cilave synohet zbutja e varfërisë veçanërisht te kategoritë më të ndjeshme sociale duke i subvencionuar krahas ndihmës sociale, me mjete shtesë prej 500 denarësh (8.5 euro) për të paguar rrymën elektrike, gjegjësisht me sigurimin e mjeteve shtesë për familjet e varfra, të cilët kanë nxënës në shkollat fillore dhe ato të mesme.

“Qëllimi i programit është investimi në gjeneratat e reja me çka kontribuon në përmirësimin e përparimit dhe zhvillimit të çdo fëmije. Programi mundëson mjete shtesë në të holla, që nxënësve me status më të varfër, do t’u ndihmojë që rregullisht të ndjekin mësimet, me çka do të sigurohet që këta fëmijë të kryejnë shkollimin e mesëm”, është shprehur për mediat ministri i Punës dhe Politikës Sociale Dime Spasov, duke bërë të ditur se këtë vit shkollor pritet që rreth 10 mijë nxënës ta realizojnë këtë të drejtë, masë për të cilën janë paraparë 120 milionë denarë.

Ndërkohë që organizatat, të cilat merren me të drejtat e punëtorëve thonë se politikat shtetërore bëjnë që hendeku mes të varfërve dhe të pasurve, të jetë gjithnjë e më i thellë duke e zhdukur tërësisht klasën e mesme.

“Është shumë evidente se masat, të cilat po i ndërmerr Qeveria e Maqedonisë dhe i proklamon si masa për luftimin e varfërisë dhe papunësisë, janë skajshmërisht masa populliste, të cilat hyjnë në domenin e mbledhjes së pikëve politike. Kjo, sepse këto masa nuk kanë logjikë ekonomike, të cilat do të kishin një perspektivë më afatgjatë, por kanë vetëm efektin e reklamave nga ana e Qeverisë”, thekson Artan Sadiku nga Lëvizja Qytetare, e cila merret me të drejtat e punëtorëve.

Sadiku më pas thekson se pikërisht të drejtat e punëtorëve, pavarësisht miratimit të ligjeve evropiane, mbeten të rrezikuara.

“Përmes politikave tatimore, Qeveria e Maqedonisë në kohën e krizës nga 2008 deri më tani, ka nxjerrë një pjesë të madhe të të hollave po nga shtresat më të varfra, duke bërë riregjistrimin e të punësuarve, duke i shkurtuar të drejtat e punëtorëve në favor të punëdhënësve, duke mos marrë asnjë iniciativë strukturore, si vendim të Qeverisë dhe që rezultatet e luftimit të varfërisë do të ishin të dukshme”, përfundon Sadiku.
XS
SM
MD
LG