Ndërlidhjet

SHBA: Bisedimet e Obamas me republikanët, pa ndonjë kthesë


Barack Obama
Barack Obama
Bisedimet e fundit ndërmjet presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, dhe liderëve opozitarë republikanë, për rritjen e kufizimit të borxhit amerikan, kanë përfunduar pa ndonjë kthesë.

Në kumtesën e Shtëpisë së Bardhë, takimi 90-të minutësh vlerësohet si “i mirë”, por u tha se palët nuk kanë gjetur mënyrë specifike për të lëvizur përpara për gjetjen e ndonjë zgjidhjeje për dalje nga kjo rrugë pa krye.

Eric Cantor, lider i shumicës republikane në Dhomën Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, ka vlerësuar se takimi ishte “shumë i dobishëm” dhe se bisedimet me demokratët e presidentit Obama pritet të vazhdojnë.

“Ishte qartësuese, mendoj për të dy palët, se ku jemi. Ekipet tona do të bisedojnë mëtutje. Ne do të kemi më tepër diskutime. Presidenti tha se ai do të konsultohet me njerëzit e administratës, dhe shpresojmë se mund të shohim ndonjë mënyrë për të lëvizur përpara”, tha Eric Cantor.

Ligjvënësit amerikanë ballafaqohen me datën 17 tetor, kur është afati i fundit që përkohësisht të rritet kufizimi i qeverisë për të marrë borxh, që aktualisht është 16 700 miliardë dollarë, ose rrezikojnë paaftësi për t’i paguar borxhet. Nëse ndodhë diçka e këtillë , kjo do të dërgonte valë shkatërruese në gjithë sistemin global financiar.

Demokratët synojnë arritjen e marrëveshjes, me të cilën, po ashtu, do të përfundoj mbyllja e pjesshme e qeverisë, që tashmë ka hyrë në ditën e 11.

Për shkak të shpresave se marrëveshja do të mund të arrihej shpejt, tregjet financiare në Shtetet e Bashkuara kanë shënuar rritje të menjëhershme të indekseve.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Obama “me gjasë” do ta nënshkruante legjislacionin, me të cilin përkohësisht do të rritej kufizimi i borxhit, por vetëm nëse ky legjislacion nuk do të kushtëzohej nga republikanët.

Kryesuesi republikan i Dhomës Përfaqësuese, John Boehner, ka sugjeruar se marrëveshja me të cilën do të rritej kufizimi i huazimit amerikan do të vlente për vetëm gjashtë javë.

Në këmbim, zoti Boehner ka kërkuar nga demokratët, që të zhvillojnë negociata për shkurtime në shpenzime për legjislacionin për rihapjen e qeverisë.

Megjithatë, lideri i pakicës demokrate në Dhomën Përfaqësuese, Harry Reid, i ka hedhur poshtë negociatat e tilla.

Ai ka këmbëngulë që qeveria do të duhej të rihapej dhe se marrëveshja për tavanin e huazimit do të duhej të arrihej para çfarëdo negociatave për shkurtimet e shpenzimeve.

“Ne jemi këtu. Qeveria duhet të hapet tash. Ne duhet të jemi në gjendje t’i paguajmë borxhet tona. Siç kemi thënë, ne do të vazhdojmë të themi, se nëse arrihet hapja e qeverisë, ne do të zhvillojmë negociata për çdo gjë. Këtë e ka konfirmuar edhe presidenti”, tha Harry Reid.

Operacionet “joesenciale” të qeverisë janë mbyllur më 1 tetor, pasi republikanët e kushtëzuan çfarëdo legjislacioni për financim me ndryshime në Ligjin për kujdesin shëndetësor të presidentit Obama, i cili është miratuar para tre vjetësh dhe ka filluar të zbatohet më 1 tetor të këtij vit.

Në deklaratat e tyre të fundit, duket se republikanët janë tërhequr nga kërkesat e mëparshme për ndryshime të mëdha në Ligjin e kujdesit shëndetësor të zotit Obama.

Në një shenjë të ndikimit të mbylljes së pjesshme të Qeverisë, presidenti Barack Obama, të enjten e ka nënshkruar legjislacionin, me të cilin do të ndihmohen familjet për ushtarët amerikanë, që janë vrarë në konfliktet tejoqeanike.

Dhjetëra mijëra dollarë amerikanë të përfitimeve, që u janë paguar familjeve të ushtarëve të vrarë, ishin pezulluar kur filloi mbyllja e pjesshme e Qeverisë amerikane.

Nga ana tjetër, udhëheqës të lartë të organizatave financiare globale, kanë vazhduar të kërkojnë që Shtetet e Bashkuara, sa më shpejt të gjejnë zgjidhje politike lidhur me buxhetin dhe tavanin e borxhit, duke thënë se po rritet kërcënimi për dëme serioze në ekonominë botërore.

Drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, dhe presidenti i Bankës Botërore, Jim Yong Kim, kanë tërhequr vërejtjen për një katastrofë potenciale në Shtetet e Bashkuara, që është ekonomia më e madhe botërore, nëse nuk do të jetë në gjendje t’i paguajë borxhet e veta, për të parën herë në historinë e vet, për shkak se politikanët nuk po arrijnë marrëveshje. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG