Ndërlidhjet

logo-print

Zgjedhjet lokale vëzhgohen nga të gjithë


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë pritet të jenë të vëzhguara dhe të monitoruara nga përfaqësues të partive politike, organizata vendase dhe atyre ndërkombëtare.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar tashmë 7.029 vëzhgues nga të gjitha profilet, si ato të partive politike, ashtu edhe organizatave dhe misioneve të interesuara për vëzhgim.

Në mesin e organizatave ndërkombëtare që tashmë kanë dërguar përfaqësuesit e tyre në Kosovë, është edhe ENEMO - Mision Ndërkombëtar i Vëzhgimit.

Një zyrtar për media i këtij misioni, Gazmend Agaj, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mbulimi përfshin fushatën, ditën e votimeve, balotazhin si dhe periudhën e ankesave dhe parashtresave.

ENEMO, sipas Gazmend Agajt, ka tashmë 12 vëzhgues, të cilët të ndarë në dyshe po monitorojnë fushatën në 6 rajone. Ky mision, ka vijuar Agaj, i kushtoi rëndësi gjithë procesit, kurse ka një interesim të shtuar për rrjedhjen e votimeve në komunat veriore.

“Ne do t’i monitorojmë zgjedhjet në gjithë territorin e Kosovës. Pra, gjashtë rajonet janë me vëzhgues afatgjatë. Do përqendrohemi sidomos shumë në Mitrovicë, në pjesën veriore, sepse do të jetë mjaft me rëndësi për këto zgjedhje pjesa e veriut dhe atje kemi dy vëzhgues me shumë eksperiencë që janë duke monitoruar aktualisht”, shpjegoi Agaj.

ENEMO ka monitoruar edhe zgjedhjet paraprake në Kosovë, andaj, një përvojë e tillë, sipas Gazmend Agajt, i ka krijuar tashmë këtij misioni një mundësi që të dijë se ku janë zonat më të nxehta, nëpër të cilat vëzhguesit do të kenë një vëmendje më e madhe.

“Ne dimë se ku janë zonat më të nxehta me parregullsi që ndoshta do të kemi një fokusim edhe më të thellë, por nuk do të lëmë anash zonat tjera, ngase siç e thashë, ne mbulojmë gjithë territorin e Kosovës. Pra, vëzhguesit e ENEMOS do të mbulojnë gjithë territorin e Kosovës me monitorimin e fushatës, ditës së votimeve më 3 nëntor, por edhe votimet e balotazheve më 1 dhjetor”, theksoi Agaj.

Në bazë të gjetjeve të vëzhguesve, ENEMO do të prezantojë edhe raporte javore, në bazë të së cilave, do të lëshojë edhe një deklaratë për procesin një ditë pas zgjedhjeve.

Një deklaratë e tillë do të bëhet edhe për balotazhin, kurse analiza përfundimtare do të publikohet diku pas dy muajve të përfundimit të zgjedhjeve.

Nga organizatat vendase, Demokracia në Veprim, është një koalicion i organizatave joqeveritare që do të angazhohen në vëzhgimin dhe monitorimin e zgjedhjeve.

Driton Selmanaj nga ky koalicion, tha për Radion Evropa e Lirë se Demokracia në Veprim do të ketë rreth 1.600 vëzhgues gjatë ditës së zgjedhjeve, kurse aktualisht ka të angazhuar edhe 75 vëzhgues për fushatën zgjedhore.

Ai theksoi, po ashtu, se shtrirja e monitorimit do të bëhet edhe në komunat veriore përmes organizatave partnere. Krahasuar me zgjedhjet e kaluara, kur numri i vëzhguesve kishte arritur deri në 5 mijë, kësaj radhe numri është më i vogël. Por, ajo që Selmanaj vëren si pozitive është shtrëngimi i masave ligjore ndaj atyre që do të keqpërdorin dhe manipulojnë me votën e qytetarëve.

“Kemi ashpërsim të masave sanksionuese ndaj keqpërdoruesve eventualë. Kemi një vëzhgim të madh të OJQ-ve, siç jemi ne Demokracia në Veprim, si dhe kemi vëzhgim edhe nga bashkësia ndërkombëtare përfshirë këtu për herë të parë edhe nga Komisioni Evropian”.

“Besojmë dhe shpresojmë që nuk do të paraqiten parregullsi siç ka ndodhur në proceset e kaluara, qoftë me manipulim të votave, votimi më shumë sesa një herë, votimet familjare, votimet të personave të vdekur e kështu me radhë”,
u shprehur Selmanaj.

Në këtë proces zgjedhor vërehet edhe një mobilizim i shtuar i partive politike dhe shtabeve të tyre zgjedhore, për siç thanë ato, mbrojtjen e votës.

Driton Selmanaj nga Demokracia në Veprim tha se me këtë mobilizim, disa nga partitë politike po përgatiten që vota të mos manipulohet sikurse në zgjedhjet e kaluara dhe ajo të pasqyrojë vullnetin e lirë të votuesve dhe jo të komisionarëve nëpër qendrat e votimit.

“Zgjedhjet e kaluara kanë dëshmuar se tërë procesi ka qenë në duart e komisionarëve dhe ata kanë vendosur për fatin e votave dhe jo qytetari. Tani kemi një përkushtim maksimal të vetë subjekteve politike, të cilat insistojnë se do ta mbrojnë votën dhe do të kenë një syçelëti shumë më të madhe dhe kujdes më të madh edhe në përzgjedhjen e komisionarëve, vëzhguesve. Kjo vjen si pasojë që e asaj se ka pasur raste në zgjedhjet e kaluara kur kishte një koalicion për manipulim e hajni të votave, pavarësisht se cilit subjekt politik i kanë takuar, ndërsa tani kemi një përkushtim të klasës politike duke thënë se do ta mbrojnë votën ”, potencoi Selmanaj.

Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, përveç rëndësisë që kanë për procesin demokratik të zgjedhjes së khyetarëve dhe këshilltarëve të rinj komunalë, po përcillen nga afër edhe nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë edhe Komisionin Evropian.

Për herë të parë, po synohet që në proces të përfshihen edhe komunat veriore të banuara me shumicë serbe.

Suksesi i këtyre zgjedhjeve, nga zyrtarët evropianë është cilësuar si një hap tutje drejt plotësimit të kritereve të shtetit të Kosovës për standardet evropiane të domosdoshme edhe në rrugën e integrimit të Kosovës në BE.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG