Ndërlidhjet

Orloviq: Identifikohen përgjegjësit për krimin në Kralan


Sandra Orloviq
Sandra Orloviq


Fondi për të Drejtën ka bërë kallëzim penal ndaj disa eprorëve të Ushtrisë jugosllave për krimin në fshatin Kralan të Gjakovë, thotë drejtoresha e këtij fondi, Sandra Orloviq, në intervistën për Radion Evropa e Lirë. Ajo thekson se tashmë kanë identifikuar 6 eprorë të ushtrisë dhe policisë, të cilët kanë qenë në pozitat më të larta të njësive që dyshohen se kanë kryer krimet.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonjusha Orloviq, Fondi për të Drejtën Humanitare ka bërë kallëzim penal kundër disa eprorëve të ushtrisë jugosllave, siç thuhet, me dyshim të bazuar se kanë kryer vepra penale në Kosovë, gjatë luftës në vitin 1999. Për çfarë bëhet fjalë dhe në çfarë bazohet kallëzimi penal?

SANDRA ORLOVIQ
Kallëzimi penal është bërë për shkak të krimit në Kralan (Gjakovë), i cili ka ndodhur ndërmjet 2 dhe 4 prillit të vitit 1999. Kallëzimi penal është bazuar në deklaratat e dhjetëra dëshmitarëve, të cilët i kanë rrëfyer Fondit për të Drejtën Humanitare dhe Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, se më 2 prill të vitit 1999, në qendër të fshatit Kralan, pjesëtarët e ushtrisë dhe policisë serbe, nga një grup i civilëve me rreth 1 mijë e 500 persona, kanë ndarë një grup prej disa qindra meshkujve shqiptarë. Ai grup është mbajtur në një livadh në fshat, ndërkaq grave, fëmijëve dhe pleqve u është urdhëruar të shkojnë në Shqipëri.

Grupi i meshkujve që është mbajtur në livadh, ka mbetur 2 ditë pa ujë dhe pa ushqim. Kanë qenë të rrethuar me tanke dhe më 4 prill, do të thotë, dy ditë pasi që i kanë ndarë nga familjet e tyre, një numër i madh i meshkujve nga ai grup është liruar. Por, janë mbajtur 78 meshkuj të rinj, ndër të cilët kanë qenë edhe 11 të mitur. Që nga ajo ditë, që nga ai moment, askush nga ta më nuk është parë i gjallë. Trupat e 18 prej atyre meshkujve të ndaluar, janë gjetur në varrezën masive në Serbi, në varrezën e cila është gjetur pranë liqenit të Peruçës, në komunën e Bajna Bashtës.

Tetë trupa janë gjetur në varrezën në fshatin Brekoc pranë Gjakovës. Ndërkaq, 53 meshkuj, djelmosha, ende vazhdojnë të jenë të evidentuar si të pagjetur. Ne, përveç deklaratave të dëshmitarëve, kemi shfrytëzuar edhe dokumentacionin e Ushtrisë jugosllave, së cilës kemi mundur t’i qasemi gjatë gjykimeve që janë zhvilluar kundër funksionarëve të lartë politik dhe ushtarak në Hagë, do të thotë, kemi të bëjmë me lëndën e Shahinoviqit dhe të tjerëve.

Ai dokumentacion ushtarak tregon se ato ditë, më 2, 3 dhe 4 prill, në Kralan kanë qenë dy njësi. Njëra ka qenë njësia ushtarake, Brigada e motorizuar 125, dhe tjetra ka qenë njësia policore, Detashmenti i 24 i njësive të veçanta policore, i përbërë prej policëve nga territori i Kosovës. Ai dokumentacion, padyshim flet që ato dy njësi kanë qenë përgjegjëse, fillimisht për ndarjen, e më pas edhe zhdukjen apo vrasjen e meshkujve që atë ditë janë ndarë nga familjet e tyre.

Bëhet fjalë kryesisht për meshkujt që rrjedhin nga disa fshatra të komunës së Klinës dhe që ato ditë kanë qenë të strehuar në Kralan.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë gjetjet tuaja lidhur me këtë çështje dhe a ekzistojnë emra, për të cilët dyshohet se kanë bërë vepër penale?

SANDRA ORLOVIQ
Ne lehtësisht i kemi identifikuar 6 eprorë të ushtrisë dhe policisë, të cilët kanë qenë në pozitat më të larta në Brigadën e 125 të motorizuar dhe në Detashmentin e 24 të njësive të veçanta të policisë. Komandant i Brigadës 125 të motorizuar është Dragan Zhivanoviq, i cili sot është gjeneral në pension dhe i gëzon të gjitha privilegjet e një gjenerali të pensionuar në Serbi.

Ne konsiderojmë se dokumentet, nga të cilat shihet se ai ka qenë i njoftuar se pjesëtarët e tij po i ndajnë meshkujt nga familjet e tyre dhe po i mbajnë, siç thuhet në ato dokumente, në paraburgim, është bazë krejtësisht e mjaftueshme që institucionet përgjegjëse të Republikës së Serbisë ta pyesin gjeneralin Zhivanoviq se çfarë ka ndodhur me ata njerëz, të cilët pjesëtarët e tij i kanë mbajtur në paraburgim.

Gjithashtu, konsiderojmë, logjika e shëndoshë na thotë të dyshojmë me një dozë të madhe të sigurisë se vetë komandanti Zhivanoviq ka qenë i njohur me faktin se pjesëtarët e tij, në atë kohë, ua kanë hequr lirinë meshkujve dhe i kanë mbajtur në paraburgim.

Ndërkohë, në atë mënyrë se si ka funksionuar ushtria dhe policia në atë kohë, ai me siguri se ka qenë i njoftuar për të gjitha se çfarë po ndodh me ata meshkuj në atë kohë.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka ndonjë njohuri lidhur me atë se ku kanë mbetur trupat tjerë?

SANDRA ORLOVIQ
Natyrisht që fati i panjohur i meshkujve të Kralanit është diçka që këtë krim e bën si një prej më të rëndëve që kanë bërë forcat serbe në Kosovë gjatë luftës.

Përskaj Krushës së Madhe dhe Krushës së Vogël, krimi në Kralan është me numrin më të madh të civilëve të zhdukur, për të cilët ende gjurmohet. Ne nuk kemi asnjë njohuri e as indikacione se ku mund t ëjenë fshehur ata trupa.

Ne kemi bërë thirrje tek institucionet përgjegjëse që para së gjithash të procesojnë me përgjegjësit e këtij krimi dhe ne konsiderojmë se me një proces serioz, adekuat dhe gjithëpërfshirës, mund të arrihet deri tek informacioni për atë se ku janë fshehur trupat e meshkujve nga Kralani.

Mund të supozojmë dhe për këtë është folur edhe në gjykatë, para Tribunalit të Hagës, sepse një inspektor i policisë ka thënë se ekzistojnë edhe të tjera varreza masive në Serbi. Ne nuk mund të zbulojmë ose të tregojmë për ndonjë lokacion. Për këtë janë përgjegjëse institucionet e Serbisë, sepse informacionet gjendet tek ato.

RADIO EVROPA E LIRË
Në fund, zonjusha Orloviq, sipas jush, cilës kategori i takojnë këto krime? Cilat janë pritjet tuaja, si do të trajtohet e gjithë kjo?

SANDRA ORLOVIQ
Pranë Gjykatës për krime lufte në Serbi deri më tash janë zhvilluar disa procese dhe po zhvillohen ende, e të cilat kanë të bëjnë me krimet që forcat serbe i kanë bërë ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë kohës së luftës. Ato janë lëndë, në të cilat kemi të bëjmë me krime shumë të rënda. Bëhet fjalë për krimet në Podujevë mbi familjen Duriqi dhe Bogujevci, pastaj për krimet që janë bërë në Qyshk, Pavlan, Zahaç dhe të tjera.

Por, ajo që është e meta dhe anomalia e gjithë atyre procedurave, është se ato janë të orientuara kryesisht ndaj kryerësve të drejtpërdrejtë të veprave, ndaj atyre që e kanë tërhequr këmbëzën, ndaj atyre që në terren kanë bërë krime dhe kanë vrarë civilët e pafajshëm.

Ajo për të cilën ne avokojmë dhe kërkojmë gjithë këto vite dhe shpeshherë i kritikojmë institucionet përgjegjëse në Serbi, është se ato procedura asnjëherë nuk janë drejtuar ndaj atyre që këto krime i kanë urdhëruar dhe të cilët i kanë toleruar dhe i kanë fshehur gjurmët e krimit.

Bëhet fjalë për ata eprorë të ushtrisë dhe policisë, të cilët kanë qenë diku në mes të strukturës komanduese, sepse eprorët më të lartë politikë dhe ushtarakë janë dënuar në shkallën e parë në Tribunalin e Hagës.

Logjika bazike shtyn drejt një kërkese që të procedohen të gjithë ata që kanë qenë ndërmjet atyre eprorëve të lartë që janë gjykuar në Tribunalin e Hagës dhe atyre që kanë kryer veprat në mënyrë të drejtpërdrejtë.
XS
SM
MD
LG