Ndërlidhjet

logo-print

Asgjë konkrete për kthimin e pronave jashtë Kosove


Vetëm ndërmarrja shoqërore e tekstilit “Jatex”, nga Peja, ka 31 objekte afariste në republikat e ish-Jugosllavisë.

Vetëm ndërmarrja shoqërore e tekstilit “Jatex”, nga Peja, ka 31 objekte afariste në republikat e ish-Jugosllavisë.

Autoritetet kosovare ka kohë që kanë identifikuar disa asete të ndërmarrjeve shoqërore në vende të ndryshme të rajonit. Por, për këtë çështje, zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, thonë se përveç që kanë zhvilluar bisedime dhe vizita të ndërsjella me shtetet ku gjenden këto asete, deri më tani nuk ka asgjë konkrete në kthimin apo privatizimin e tyre.

Nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, thonë se janë duke shqyrtuar të gjitha mundësitë që ky proces të zgjidhet në bazë të legjislaturës në fuqi.

Ylli Kaloshi, zëdhënës në AKP, thotë për Radion Evropa e Lirë se zyrtarë të kësaj agjencie kanë vizituar dhe kanë zhvilluar bisedime me përfaqësues të disa shteteve të rajonit për t’i zgjidhur problemet me asetet e Kosovës që gjenden atje.

“Agjencia, bashkë me përfaqësues të Qeverisë dhe me përfaqësues të tjerë të institucioneve shtetërore, janë angazhuar në bisedime, vizita direkte në shtetet fqinje dhe për këtë janë krijuar edhe grupe punuese për të evidentuar asetet e mbetura dhe për të gjetur një zgjidhje, që është kthimi te pronari i vërtetë, ashtu siç përcaktohet me ligj dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thotë Kaloshi.

Sipas dokumenteve zyrtare, në territorin e ish-Jugosllavisë gjenden 172 prona të subjekteve ekonomike të Kosovës.

Vetëm në territorin e Serbisë gjenden 104 prona të ndërmarrjeve shoqërore, në Mal të Zi 42; 15 gjenden në Bosnje e Hercegovinë; në Kroaci 6; 4 në Maqedoni, ndërsa në Slloveni gjendet një objekt afarist.

Por, ekspertë për çështje ekonomike, e konsiderojnë delikat këtë proces, i cili sipas tyre, mund të zgjidhet vetëm përmes një kompromisi, apo formule të përbashkëta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, apo vendeve tjera të rajonit.

Eksperti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, thotë se pavarësisht faktit se në mënyrë ligjore, privatizimi i të gjitha ndërmarrjeve shoqërore është kompetencë e AKP-së, megjithatë kjo kompetencë, sipas tij, është e kufizuar për shkak të mosnjohjes së Republikës së Kosovës nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina.

“Ky problem nuk mund të ketë zgjidhje të shpejtë, apo ndonjëri prej mekanizmave institucionalë të Kosovës, të mund të ketë ndikim që këto asete të ruhen. Mirëpo, ekziston një mundësi ligjore, së paku për asetet që vërtetohen se u takojnë ndërmarrjeve shoqërore në Kosovës, ato të bllokojnë privatizimin apo të ruajnë këtë vlerë derisa të gjendet një zgjidhje e përshtatshme”, shprehet Rexhepi.

Megjithatë, Rexhepi konsideron se për ndërmarrjet shoqërore, të cilat kanë dokumentacion që asetet, që janë pronë e tyre, dhe gjenden në vende të ndryshme të rajonit, duhet të hapin procedura gjyqësore.
AKP- ja apo ndërmarrjet shoqërore në Kosovë, të cilat vlerësojnë dhe kanë dokumentacion se aseti është vërtet pronë e tyre, atëherë duhet të hapin procedura gjyqësore.

“AKP- ja apo ndërmarrjet shoqërore në Kosovë, të cilat vlerësojnë dhe kanë dokumentacion se aseti është vërtet pronë e tyre, atëherë duhet të hapin procedura gjyqësore. Pra, përmes formave gjyqësore të kthejnë asetin në pronësi të tyre apo të gëzojnë të drejtën e pronësisë në këtë aset dhe të vendosin për shitje apo privatizim”, vlerëson Rexhepi.

Në bazë të dokumenteve zyrtare, vetëm ndërmarrja shoqërore “Jatex” nga Peja, ka 31 objekte afariste në republikat e ish-Jugosllavisë. Pas kësaj vjen “Trepça” me 31 prona, pastaj “Eximkos”, ndërmarrja “Marketing-Export”, e të tjera.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG