Ndërlidhjet

logo-print

Karzai dhe Kerry - imuniteti çështje kontestuese

  • RFE /RL

Hamid Karzai (djathtas) dhe John Kerry gjatë konferencës për shtyp në Kabul.

Hamid Karzai (djathtas) dhe John Kerry gjatë konferencës për shtyp në Kabul.

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, dhe presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, mbrëmë i kanë vazhduar, për të dytën ditë me radhë, bisedimet lidhur me marrëveshjen e re për siguri.

Pas takimit në kryeqytetin Kabul, Kerry dhe Karzai thanë se është arritur marrëveshje e pjesshme, por dallimet mbeten.

Kerry tha se të dy palët mbeten të ndarë lidhur me çështjen se a do të kenë imunitet ushtarët e Shteteve të Bashkuara, që vazhdojnë të qëndrojnë në Afganistan, pasi trupat e jashtme të largohen deri në fund të vitit 2014.

Këtë imunitet e kërkon Uashingtoni, por Kabuli e kundërshton.

Në këtë kuadër, Kerry tha se nëse kjo çështje nuk zgjidhet nuk mund të ketë marrëveshje të sigurisë.

Ne duhet të themi se nëse çështja e juridiksionit nuk zgjidhet, atëherë për fat të keq, nuk mund të ketë marrëveshje bilaterale për siguri. Pra, ne shpresojmë se kjo çështje do të zgjidhet dhe i mbetet popullit afgan që të vendosë”, theksoi John Kerry.

Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, tha se çështja nëse afganët do të kenë autoritet për t’i gjykuar shtetasit amerikanë për krime, që dyshohet se kryhen në territorin e Afganistanit, nuk mund të vendoset nga qeveria e tij.

“Çështja e juridiksionit është çështje që është përtej autoritetit të qeverisë afgane dhe në tërësi i takon popullit afgan, që të vendos nëpërmjet dy mekanizmave: njëri është Asambleja e Madhe e Afganistanit dhe tjetri Parlamenti i Afganistanit”, tha Karzai.

Analistët thonë se qeveria e Afganistanit e ka refuzuar një propozim nismëtar për temën e imunitetit në fillim të vitit dhe prej atëherë është çështje tejet kontestuese.

Dështimi për ta arritur Marrëveshjen për Sigurinë Bilaterale, mund t’i nxisë Shtetet e Bashkuara që t’i tërheqin të gjitha trupat nga Afganistani, pas vitit 2014, që është një finale e njohur si “opsioni zero”.

Presidenti Karzai, po ashtu, tha se bisedimet ishin të fokusuara në mbrojtjen e sovranitetit të Afganistanit dhe se dallimet madhore janë zgjidhur.

“Në marrëveshjen e sigurisë ne kemi arritur marrëveshje për sovranitetin kombëtar, parandalimin e viktimave civile, e kemi qartësuar definimin e agresionit dhe ndaljen e operacioneve nga trupat e jashtme”, tha Karzai, dhe ka shtuar se zënia e komandantit të lartë taliban pakistanez, Latif Mehsud, ishte një shembull i aksionit që Afganistani kishte dashur ta evitoj.

Kësaj ankese Kerry, në konferencën e përbashkët për shtyp në Kabul, pas bisedimeve, ia atribuoi keqkuptimit.(f. bujupi)
XS
SM
MD
LG