Ndërlidhjet

Sulmohet banesa e (ish) kandidatit të SLS’së


Shpërthim në Mitrovicë
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:20 0:00

Shpërthim në Mitrovicë

Është hedhur në erë banesa e Nebojsha Mariq, ish-numrit dy të listës zgjedhore për komunën e Mitrovicës Veriore nga aradhet e Partisë Liberale Serbe-SLS.

Sulmi ndaj pronës së familjes Mariq ka ndodhur rreth orës 4 të mëngjesit të së hënës, në kohën kur ai dhe bashkëshortja e tij ishin në gjumë, por asnjëri nuk është lënduar.

Sekretari i përgjithshëm i SLS-së Petar Milletiq tha për Radion Evropa e Lirë, se sulmi ndaj kandidatit të tyre të dikurshëm është vazhdimësi e kërcënimeve që viktima ka marrë, për ç'arsye Nebojsha Mariq edhe ka kërkuar që të largohet nga lista zgjedhore.

“Neve na vjen keq që kjo i ndodhi zotit Mariq, pavarësisht që ai vazhdon të jetë zyrtarisht në listën tonë [SLS] zgjedhore, por në fakt ishte në listën tonë, sepse një muaj më parë ai ka shkruar një letër publike, ku ka njoftuar opinionin se po largohet nga lista jonë. Kjo është e qartë se është pasojë e asaj që ai [Mariq] ka treguar interesim se dëshiron të jetë pjesë e këtij cikli zgjedhor,” tha Milletiq.

Nga shpërthimi i së hënës ka dëme të mëdha materiale, njofton policia.

Zëvendëskomandanti i policisë për veriun e Kosovës, Besim Hoti tha për Radion Evropa e Lirë, se ende nuk janë gjetur motivet e sulmit, edhe pse nuk e përjashton mundësinë e një prapavije politike.

Fatmirësisht që nuk është lënduar askush nga shpërthimi, përveç dëmeve të konsiderueshme materiale që janë shkaktuar në ndërtesën dhe objektet përreth. Motivet momentalisht janë të aspektit kriminal, por mbetet të hulumtohet më tutje nëse ka motiv tjetër prapa kësaj, përveç këtij kriminal, po mendoj nga aspekti politik ose çfarëdo lloj rrafshi tjetër”, tha Hoti.

Banesa e Mariq gjendet në katin përdhes, dhe e njëjta është dëmtuar nga shpërthimi i fuqishëm.

Dëme kanë pësuar edhe një hotel që gjendet përballë banesës, dhe një makinë.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor, Nebojsha Mariq megjithatë vazhdon të figurojë në listën e SLS-së si kandidat i saj për asambleist në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Por Mariq më 27 shtator ka kërkuar nga KQZ-ja që ta largojë nga lista e kandidatëve për asambleist të Mitrovicës Veriore.

“Në këtë listë kam përfunduar pasi jam mashtruar me premtime të shumta nga politika të Beogradit, sikur edhe prej këtyre lokal [të Kosovës] të partive qeverisëse, se në zgjedhjet e 3 nëntorit populli serb në Kosovë do të ketë mundësi për një jetë më të mirë”, pati shkruar Mariq në njoftimin e tij dërguar atëbotë medieve, duke ftuar edhe serbët e tjerë në veri që të ndjekin shembullin e tij “dhe të tërhiqen nga listat zgjedhore.

Olliver Ivanoviq, nga iniciativa qytetare “Serbia, Demokraci, Drejtësi” thotë për Radion Evropa e Lirë, se viktima ishte një cak i lehtë andaj edhe është zgjedhur për t’u sulmuar nga grupet kriminale që duan të frikësojnë popullatën serbe në veri të Kosovës.

“Pa dashur që të spekuloj, ka shumë gjasa që sulmi në veri ishte i motivuar politikisht, dhe kjo vërtetohet me gjetjet e para në terren. Eksploziv plastik, është përdorur për këtë sulm, dhe atë nuk e përdorin fëmijët e vogël. Atë e përdorin kriminelët seriozë, apo ata që janë të trajnuar për punë me eksploziv të tillë”, thotë Ivanoviq për Radion Evropa e Lirë.

“Kush ka qëllim, dhe synim që edhe një njeri të frikësohet, këtë nuk e di. Por ajo çka është edhe më e rëndësishme është se porosia i është dërguar banorëve [në veri], tek të cilët ka ndikuar ky tmerr, dhe do të ndikoj sigurisht në numrin e atyre që do të dalin për të votuar,” shton ai.

Policia e Kosovës nuk komenton nëse shpërthimi është bërë me eksploziv plastik, dhe pret që kjo gjë të vërtetohet pas hetimeve të mirëfillta.

Shefja e zyrës administrative të Qeverisë së Kosovës në Mitrovicë, Adriana Hoxhiq, që njëherësh është edhe kandidate për kryetare komune në veri të Mitrovicës, përmes një komunikate, ka thënë se shpërthimi në banesën e Nebojsha Mariq është i drejtuar “kundër paqes dhe stabilitetit të të gjithë qytetarëve të Mitrovicës”.

Pak ditë para fillimit të fushatës zgjedhore, familja e Olliver Ivanoviq ishte sulmuar në pikë të ditës në banesën e tyre, që gjendet në pjesën veriore të Mitrovicës.

Bashkëshortja dhe djali i tij ishin sulmuar fizikisht nga një njeri i maskuar, i cili i kishte rrahur ata dhe më pas larguar nga banesa pa marrë asnjë gjë të vlefshme.

Ivanoviq e pati cilësuar këtë incident si tentim për ta frikësuar atë dhe të gjithë serbët në veri që duan të votojnë për zgjedhjet e 3 nëntorit.

Askush ende nuk është ndalur për këtë incident.
XS
SM
MD
LG