Ndërlidhjet

Mbetet i paqartë formimi i Komisionit parlamentar hetimor për rastin e shitjes së 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Kryesia e Kuvendit e ka futur formimin e këtij komisioni për rendin e ditës së seancës së radhës që mbahet të enjten.

Formimi i komisionit hetimor, ishte kundërpërgjigje e opozitës pas vendimit të qeverisë që të shesë 75 për qind të aksioneve të PTK-së konzorciumit gjerman AXOS capital në shumën prej 227 milion euro, nën dyshimet për keqpërdorime.

Në mungesë të përkrahjes nga shumica në Kuvend, qeveria dhe partitë e koalicionit patën dështuar të miratojnë privatizimin e PTK-së, përkatësisht shitjen e aksioneve, kështu që tani, opozita është ajo që ka kaluar në ofanzivë duke kërkuar formimin e komisionit hetimor.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri mendon se komisioni duhet të konsiderohet i themeluar pasi që mbështetet nga 40 nënshkrime të deputetëve.

Sipas tij, partitë e koalicionit duhet të pranojnë këtë fakt dhe të kthehen në Kuvend për të lejuar kuorumin e nevojshëm në mënyrë që të merret vendimi.

“Ky proces është jo ligjor. Është pa vendim të organit kompetent, në këtë rast të Kuvendit të Kosovës. Vendim që është i obligueshëm në bazë të ligjit për ndërmarrjet publike dhe një vendim i tillë nuk ka ekzistuar por është tentuar që të kontrabandohet procesi i shitjes së PTK-së”, thotë Beqiri.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci thotë se PDK-ja dhe partitë e koalicionit qeverisës mund t’i dërgojnë emrat e deputetëve për formimin e këtij komisioni, por nuk është pajtuar që puna e tij deri në nxjerrjen e rezultateve të zgjas gjashtë muaj.

Zvarritjet e shitjes së aksioneve të PTK-së, sipas Grabovcit janë të dëmshme dhe do t’i ulin çmimin shitjes së aksioneve të Postës dhe Telekomit.

“Vlerësojmë se është një tentativë e bllokimit të këtij procesi që për mendimit tonë i shkakton dëme të jashtëzakonshme ekonomisë së vendit dhe pikërisht këtij aseti i cili nuk i takon një subjekti politik, një koalicioni apo vetë qeverisë. Ne vlerësojmë se janë zhvilluar të gjitha procedurat e rregullta”, është shprehur Beqiri.

Duke u nisur nga përplasjet ndërmjet pozitës dhe opozitës, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ka kërkuar që fajtori për zvarritjen e formimit të komisionit të kërkohet tek ata që kanë braktisur seancën, që në këtë rast nënkupton PDK-në dhe partitë partnere.

Në do rast, Krasniqi deklaron se komisioni nuk mund të funksionoj edhe pa pjesëmarrjen e shumicës.

“Derisa kryetari dhe anëtarët e komisionit duhet ta marrin shumicën e votave në kuvend dhe derisa komisioni duhet t’i ketë shumicën e anëtarëve të propozuar në atë komision, pa shumicën ai nuk mund të funksionoj. Ne nuk jemi për të hulumtuar dallavretet, kërkoni shpjegime nga ata që e pengojnë formimin e komisionit”, thotë Krasniqi.

Rasti i shitjes së aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës ka nxjerrë në shesh një krizë në vendimmarrje tek Kuvendi i Kosovës, ku pozita në pamundësi të marrjes së vendimeve, po e lëshon sallën.

Lëshimi i punimeve të Kuvendit nga shumica, paraqet një praktikë jo shumë të dëgjuar parlamentare, por në rastin e Kosovës po shihet si tregues që qeveria e ka humbur përkrahjen e shumicës dhe nuk i ka më numrat e domosdoshëm për të qeverisur.

Një gjendje e tillë po shihet edhe si tregues i qartë se do të duhet gjetur një zgjidhje, që mbase do të kërkohet pas zgjedhjeve lokale e që mund të jetë një marrëveshje mes liderëve politik për të caktuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG