Ndërlidhjet

Fushata me “kuazi folklor” dhe improvizime të elementeve artistike


Fushatat zgjedhore përgjithësisht në botë, kryesisht organizohen me shfaqje të përcjellëse, në të shumtën e rasteve artistike, por edhe që e tërheqin masën, por një gjë e tillë nuk po ndodh në Kosovë, vlerësojnë pjesëtarët e komunitetit të artistëve.

Sipas tyre, skenat e mitingjeve zgjedhore të cilat i organizojnë partitë politike dhe kandidatët për kryetar komunash në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë, kryesisht dominohen nga fjalimet me përmbajtje të ekzagjeruar dhe pa ndonjë shfaqje me vlera kulturore dhe artistike.

Por, a e tregon kjo shijen e politikanëve për artin dhe kulturën, si dhe interesimin e tyre për një investim në këtë fushë?

Kompozitori Valton Beqiri, profesor në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se fushatat kryesisht shoqërohen me, siç i quan ai ‘show–programe’, të cilat liderët lokalë që konkurrojnë në zgjedhje, mendojnë se janë të përshtatshme për masën.

“Show-programi ngërthen në vete ndonjëherë më shumë efekte se sa përmbajtje me vlerë. Por, marrë parasysh që kemi të bëjmë me fushatën lokale, shpeshherë kandidatët janë ata të cilët marrin përsipër një lloj organizimi dhe natyrisht, në suaza lokale, i përshtaten kërkesave apo shijeve lokale”.

“Prandaj, nuk mund të themi që është pasqyrë reale e ndonjë partie vet fushata, sepse nuk kemi të bëjmë me zgjedhje qendrore, por kemi të bëjmë më zgjedhje lokale. Natyrisht, ato ndikojnë që në suaza lokale, kandidatët ndryshëm të intervenojnë apo të bëjnë programin e tyre, të themi kushtimisht ‘artistik’”, shprehet Beqiri.

Dramaturgu Arian Krasniqi, shpreh mendimin se në fushatën e tashme zgjedhore është e dukshme që konceptimi i fushatave zgjedhore në Kosovë vazhdon të jetë një trend i njëjtë, i kthyer në skematizëm, ku dominon pamja vizuale pa përmbajtje.

“Sa i përket elementeve tjera kulturore dhe artistike që shoqërojnë fushatat e partive politike, unë mendoj se më tepër është improvizim për të argëtuar masën se sa ndonjë përpjekje serioze për të tërhequr mbështetjen e komunitetit të artistëve ose të njerëzve me emër në art dhe në kulturë. Pra, nuk shoh ndonjë avancim të madh në kuptimin e realizimit estetik dhe artistik të kampanjave zgjedhore”, bën të ditur Krasniqi.

Sipas kompozitorit Beqiri, për shkak të mungesës së programeve artistike në kuadër të pjesës zyrtare në tubimet zgjedhore, kjo synohet të kompensohet para fillimit të kësaj pjese.

“Zakonisht, ne po e shohim që në kuadër të vet pjesës zyrtare të kampanjës, është largu pjesa e estradës,mbase përveç në raste të rralla. Gjithë ajo çka po shohim në televizione, është që në hapësirat, para fillimit të pjesës zyrtare, në hyrje të sallave apo para mbledhjes së popullatës, kemi një kuazi-folklor, i cili megjithatë nuk mund të quhet pjesë e programit artistik”.

Por, të gjitha këto elemente që i karakterizojnë tubimet zgjedhore të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre, dramaturgu Krasniqi i sheh si rezultat të mungesës së angazhimit të njerëzve kompetent në dizajnimin e koncepteve të fushatave.

Sipas tij, është e dukshme që partitë politike nuk kanë angazhuar njerëzit kreativ të artit dhe kulturës, të cilët, siç thotë ai, do t’i jepnin jetë dhe shpirt fushatës në kuptimin artistik.

“Si pasojë e kësaj varfërie artistike dhe kulturore të fushatave, ne kemi dominimin e fjalimeve të liderëve, kryesisht fjalime këto që kryekëput kanë konotacion ose ngjyrim patetik dhe politik. Edhe pse janë zgjedhje lokale, ne vazhdojmë të dëgjojmë për çdo ditë e më shumë fraza për ‘çështje të mëdha të vendit’, në kuptimin e çështjeve të mëdha politike e jo të çështjeve dhe problemeve që i prekin drejtë për drejtë qytetarët ose interesat e tyre në nivel lokal”, thotë Beqiri.

Ndryshe, partitë politike patën paralajmëruar se në kuadër të fushatave zgjedhore do të kenë edhe programe me përmbajtje artistike dhe kulturore.

Por, pjesëtarët e komunitetit të artistëve kanë vlerësuar se deri më tash, përveç në raste tejet të rralla, kjo nuk ka ndodhur.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG