Ndërlidhjet

Maqedoni: Opozita bojkoton institucionet


Një ditë pas vendimit për të bojkotuar institucionet e pushtetit lokal, punimet e grupit punues për zbardhjen e incidentit në Kuvend dhe masa tjera kundër pushtetit, opozita maqedonase e udhëhequr nga LSDM-ja ka protestuar edhe në rrugë kundër siç ka theksuar, “pushtetit të dhunshëm të kryeministrit Nikolla Gruevski”.

Masat e tilla kanë pasuar disa operacione të policisë për arrestimin dhe ndjekjen e disa zyrtarëve opozitar për të cilët dyshohet se janë përfshirë në veprimtari kriminale në bashkëveprim me persona të tjerë të kompanive të ndryshme.

Rasti i fundit është me kryetarin e Këshillit të komunës Qendër, që është edhe një nga komunat më aktuale për faktin se drejtohet nga opozita, e cila gjithë veprimtarinë e saj e ka përqendruar në zbulimin e siç thuhet “aferave korruptive dhe kundërligjore në projektin monoetnike, Shkupi 2014”.

Vendimi i opozitës për bojkot dhe protesta, dhe i pushtetit për të arrestuar opozitarët komentohen në forma të ndryshme nga njohësit e çështjeve politike.

Zdravko Savevski, profesor në fakultetin e shkencave politike në Universitetin e Shkupit, thotë se në Maqedoni nuk respektohen standardet demokratike në më shumë sfera, por, sipas tij, LSDM-ja ndodhet në pozitë jo të favorshme sa i përket rrethanave në të cilat ndodhet vendi.

“LSDM-ja është në një pozitë të palakmueshme. Ajo e mbështet integrimin euroatlantik të Maqedonisë por nëse ajo ndërmerr veprime jashtë institucionale do të pengonte procesin e eurointegrimit, kjo do të kishte pasoja negative si për të ashtu edhe për procesin Por, njëkohësisht nuk është mirë që të heshtet ndaj rrënimit të standardeve demokratike”.

Në një situatë tillë duhet patur shumë kujdes në veprime, të mos veprohet vetëm në bazë të interesave të ngushta partiake, por as të mos heshtet ndaj veprimeve të pushteti në emër të integrimit. Kjo është ajo situata në të cilën gjendet opozita. Mirëpo nëse vendos të vazhdoj me reagime më të , ajo duhet të siguroj mbështetje më të madhe dhe masë më të madhe kritike ndaj fenomeneve negative”, thotë Savevski.

Por, ndryshe nga Savevski mendon Jonuz Abdyllahu, ish deputet dhe profesor në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Ai thotë se situata e krijuar është e qëllimshme, e inskenuar siç thotë ai për të tërhequr vëmendjen nga problemet reale, e në veçanti nga raporti i progresit të Komisionit Evropian, si dhe nga problemet e shumta ekonomike.

Në një situatë të tillë, Abdullahu thotë se pushtetit i konvenon të nxis reagime të tilla të opozitës dhe më pas ta fajësoj atë për ngecjet.

“Tentohet që vëmendja e opinionit të kthehet tek raportet mes pozitës dhe opozitës dhe jo nga gjendja reale siç janë procesi i një demokracie të brishtë, pastaj mirëqenia e qytetarëve, standardi , problemet rreth ekzistencës ekonomike e sociale të qytetarëve e kështu me radhë. Të gjitha këto çështjet dëshirohet të mbulohen me përkeqësimin e raporteve pozitë-opozitë”, thotë Abdullahu.

Se raportet e tilla mes pozitës dhe opozitës do të dëmtojnë të ardhmen evropiane të vendit, flet edhe Bekim Kadriu, ligjërues i së drejtës ndërkombëtare në Universitetit Fon.

Ai thotë se kritikat në veçanti do të përqendrohen në dështimin e përgatitjes së një raporti nga grupi punues për incidentin e 24 dhjetorit, përpilimi i të cilit, ishte iniciuar nga Bashkimi Evropian.

Ai thotë se Brukseli nuk do të gjykoj veprimet e opozitës, por, do të kërkoj që problemet të zgjidhet në kuadër të institucioneve.

“Normalisht kjo mund të ketë reperkusione negative drejt asaj se çfarë obligime kemi ndaj institucioneve ndërkombëtare, konkretisht ndaj Bashkimit Evropian. Në këtë rast do të veçoja punën e komisionit që u formua për verifikimin apo hetimin e ngjarjeve të 24 dhjetorit të vitit të kaluar në Kuvend që nuk solli ndonjë epilog pozitiv, dhe kjo konsideroj se do të përmendet në raportin e progresit të KE-së".

"Në këtë raport nuk mendoj se do të gjykohet sjellja e opozitës, mirëpo komisioni do të bëj apel që megjithatë të gjitha problemet që ekzistojnë ndërmjet pozitës dhe opozitës të zgjidhen brenda institucioneve”, thotë Bekim Kadriu.
XS
SM
MD
LG