Ndërlidhjet

Zhvillimi ekonomik i Kosovës do të duhej të shkonte në drejtim të hapjes së vendeve të reja të punës. Vendet e punës shihen jo vetëm si rrugëdalje nga varfëria, por edhe si diçka që grave dhe burrave u jep vetëbesim dhe respekt nga shoqëria.

Kështu deklaruan zyrtarë vendorë dhe ndërkombëtarë me rastin e ditës Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë.

Koordinatori i Kombeve të Bashkuar për zhvillim dhe përfaqësues i përhershëm i UNDP-së, Andrew Russell, tha se raportet më të reja flasin se shkalla e papunësisë në mesin e të rinjve të moshës 15-24 vjet është 55.3%, 63.8% janë gra të reja dhe të rinj.

“Para së gjithash njerëzit duan të luajnë një rol për ta rregulluar dhe formësuar botën dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me dizajnimin e një kornize pune, por ka të bëjë me monitorim, implementime e të tjera”, deklaroi Russell duke shtuar se në një shoqëri të varfër, duhet të ketë agjenda të qëndrueshmërisë ku do të integrohen të gjithë.

Derisa prezantoi të gjeturat dhe rekomandimet e raportit global: “Një milion zëra – Botën që e aspirojnë”, si përfaqësues i Kombeve të Bashkuara, Russel, bashkë me stafin e tij, tha se çështjen e papunësisë do ta marrin seriozisht dhe do të punojnë së bashku me institucionet e Kosovës.

Në raportin e prezantuar thuhet se nga konsultimet në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Kosovën, kanë zbuluar përshtypjen se tregu i punës është, po ashtu, tejet i politizuar: të rinjtë kanë më shumë gjasa të gjejnë punësim nëse kanë lidhje me partinë e duhur politike, thuhet mes tjerash në raport.

Kurse, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, u shpreh se institucionet e vendit do të vazhdojnë të përmbushin rolin e tyre institucional duke përpunuar dhe miratuar legjislacion që do të përcaktojë ndryshime pozitive në vend.

“Sipas raportit global del se sikur edhe shume vende të tjera, Kosova duhet të vazhdojë t’i ketë prioritete të larta, rritjen ekonomike, luftën kundër varfërisë dhe uljen e papunësisë, barazinë gjinore, edukimin cilësor, shërbimet efikase shëndetësore, qëndrueshmërinë ambientale, ligjshmërinë e qeverisjes, të paqes dhe sigurisë”, theksoi Krasniqi.

Nga ana tjetër, të dhënat nga Banka Botërore kanë ngritur shqetësime të mëdha në Kosovë lidhur me varfërinë.

Varfëria ekstreme, e cila përkufizohet si jetesa me më pak se 2.5 dollarë në ditë, në Kosovë ka arritur në 30 për qind, derisa varfëria e moderuar, e cila nënkupton jetesën me 5 dollarë në ditë, ka arritur në rreth 50 për qind.

Ndryshe, duke folur për perspektivën e politikave zhvillimore, deputetja Teuta Sahatçija theksoi se sundimi i ligjit, qeverisja demokratike, barazia gjinore e gjëra të tjera ndikojnë drejtpërdrejt në realizimin e shumë objektivave, e sidomos në uljen e varfërisë.

“Një qeverisje e përgjegjshme dhe e ndershme dhe liri politike, mund të krijojë ambiente për vende të reja të punës, për investime të reja për një sistem arsimor, i cili mund të inkuadrojë direk në ekonomi, e jo si ata të cilët punojnë si kamerier, apo vende të tjera të punës, të cilat nuk i përkasin arsimimit që cilin e kanë marrë”, tha Sahatçija.

Në debat u diskutua gjithashtu edhe për të ashtuquajturit Objektivat e Mijëvjeçarit për Zhvillim, të miratuara në shtator të vitit 2000 nga 192 shtete të OKB-së dhe së paku 23 organizata ndërkombëtare.

Kosova, si shteti i ri, i ka nënshkruar këto objektiva në shtator të vitit 2008 dhe është deklaruar se do të jetë e përkushtuar në përmbushjen e tyre.

Janë gjithsej tetë objektiva të mijëvjeçarit: 1) zbutja e varfërisë së skajshme dhe urisë; 2) realizimi i arsimimit fillor në nivel global; 3) përkrahja e barazisë gjinore dhe fuqizimi i rolit të gruas; 4) zvogëlimi i vdekshmërisë së foshnjave (mortalitetit); 5) përmirësimi i shëndetit të nënave; 6) luftimi i HIV/AIDS, malaries dhe sëmundjeve tjera; 7) sigurimi i mjedisit të qëndrueshëm; dhe 8) ndërtimi i partneritetit global për zhvillim.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG