Ndërlidhjet

KE: Kosova, e gatshme për negociata për MSA

  • RFE /RL

Bruksel

Bruksel

Komisioni Evropian ka miratuar të mërkurën në Bruksel paketën e zgjerimet dhe raportet individuale të progresit për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Turqinë dhe Islandën, po ashtu edhe ka analizuar përparimin që kanë bërë këto shtete në procesin e integrimeve evropiane.

Në përgjithësi, siç tha komisionari për Zgjerim, Shtefan Fyle, duke paraqitur këto raporte, të gjitha këto shtete kanë bërë një lloj përparimi, mirëpo kanë mbetur ende shumë sfida që të adresohen në mënyrë që këto shtete të lëvizin përpara në procesin e integrimeve evropiane.

Sa i përket Kosovës, KE-ja ka konstatuar atë që kishte konstatuar edhe në pranverë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet afatshkurtra dhe tash është e gatshme që të t’i nisë negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit, negociata këto që pritet të nisin më 28 të këtij muaji.

Për këtë, komisionari Fyle tha:

“Në vitin 2013 vendimi i Këshillit të BE-së për të autorizuar hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit, solli Kosovën në një fazë të re në raportet me Bashkimin Evropian. Kjo është një njohje për progresin e arritur nga Kosova në reformat kyçe dhe përpjekjet domethënëse që ka bërë Kosova drejt normalizimit të raporteve me Serbinë”, deklaroi Fyle.

Ai shtoi se Komisioni ka për qëllim që të përmbyllë negociatat për MSA në pranverë të vitit 2014 dhe draftin ta paraqesë në verë, që më pas të bëhet propozimi për Këshillin për ta nënshkruar dhe konkluduar këtë marrëveshje.

Komisionari Shtefan Fyle, duke folur për Kosovën nënvizoi, po ashtu, rëndësinë që ka për Kosovën procesi i liberalizimit të vizave dhe paralajmëroi që vitin e ardhshëm do të bëhet edhe një raport lidhur me përparimin që po bën Kosova në kuadër të dialogut të vizave.

Fyle, duke pasur parasysh problemet që kanë disa shtete anëtare të BE-së me vendet e rajonit të Ballkanit, tha se kërkon nga të gjitha vendet e Ballkanit, të cilat tashmë gëzojnë liberalizimin e vizave, që të bëjnë çmos të mos lejojnë keqpërdorimin e këtij liberalizimi në mënyrë që t’ua lehtësojnë shteteve të BE-së që ta përfshijnë edhe një shtet më tepër nga Ballkani në procesin e liberalizimit të vizave, natyrisht duke menduar në rastin e Kosovës.

Sa i përket vetë përmbajtjes së Raportit të progresit, progres i Kosovës kryesisht konstatohet se është arritur në aspektin e miratimit të ligjeve dhe ndërtimit të një kornize institucionale për të marrë përgjegjësi më shumë në realizimin e prioriteteve evropiane.

Mirëpo, Komisioni edhe kësaj radhe ka gjetur shumë mangësi në funksionimin e institucioneve të Kosovës. Kështu, Kosova edhe një herë kritikohet për ndikim politik në Gjyqësor, në media, si dhe në shërbimin civil. Kërkohet nga Kosova që të bëjë më shumë dhe të japë rezultate konkrete në mënyrë prioritare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Po ashtu, KE-ja nënvizoi se Kosova vazhdon të jetë e goditur nga problemet ekonomike, sidomos nga papunësia e madhe e cila ka goditur sidomos shtresën e të rinjve. KE-ja mbetet e gatshme që të ndihmojë Kosovën në procesin e integrimeve evropiane.

Pjesa ku Kosova merr më së shumti lëvdata nga KE-ja, në këtë raport, është ajo ku flet për raportet e Kosovës me Serbinë dhe rezultatet e dialogut që është zhvilluar dhe vazhdon të zhvillohet në Bruksel me lehtësimin e BE-së.

Si në raportin për Kosovën, ashtu dhe në atë për Serbinë, KE-ja ka kërkuar që të bëjnë çmos për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash, dhe se zbatimi i këtyre marrëveshjeve vazhdon të jetë kusht si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, për lëvizjet e tyre përkatëse drejt procesit të integrimeve evropiane.

Sa i përket vendeve tjera të rajonit, Komisioni edhe një herë ka përsëritur rekomandimin për të nisur negociatat e anëtarësimit me Republikën e Maqedonisë, ndërsa kësaj radhe ka rekomanduar edhe dhënien e statusit të kandidatit Republikës së Shqipërisë, me kuptimin se Shqipëria të vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
XS
SM
MD
LG