Ndërlidhjet

Maqedoni: Vlerësime të kundërta për raportin


Komisioni Evropian

Komisioni Evropian

“Maqedonia nuk duhet të humbas kohë duke analizuar se Raporti i vjeshtës i Komisionit Evropian është pozitiv apo negativ", ka porositur autoritetet e Shkupit ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoni, Aivo Orav, duke nënvizuar se ka edhe dy muaj deri në dhjetor, kohë kjo e mjaftueshme që Qeveria e kryeministrit të Maqedonisë Nikolla Gruevski të marrë parasysh të gjitha vërejtjet e nënvizuara nga KE-ja.

Ambasadori Orav ka apostrofuar si problematik edhe më tej gjyqësorin, përmirësimin e dialogut politik, lirinë e mediave si dhe nevojën për të eliminuar trysninë që i bëhet eterit mediatik.

"Edhe për të pestën herë me radhë u rekomandua që të nisni negociatat dhe Komisioni Evropian përsëriti qëndrimin e tij se fillimi i negociatave do të krijojë kushte të përshtatshme për të përmirësuar marrëdhëniet ndër-fqinjësore dhe me këtë edhe zgjidhje të çështjes së emrit. Rekomandimi është i qartë dhe ky është një lajm i mirë për vendin", është shprehur ambasadori Aivo Orav.

Gjersa presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, pasi ka marrë në dorë personalisht nga ambasadori Orav raportin e progresit të KE-së, tha se ky raport është një pasqyrë reale e asaj që është punuar gjatë vitit të fundit si dhe reflekton të arriturat e shtetit në lëmi të caktuara.

“Është koha e fundit që Maqedonia të vazhdojë me proceset integruese, është koha e fundit që Maqedonisë t’i mundësohet ecje paralele. Gjendja e status-quos, askujt nuk i sjell asgjë. Nuk ka impuls më të fuqishëm për reformat dhe për tejkalimin e dobësive se sa fillimi i bisedimeve për anëtarësim”, ka deklaruar presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov, duke iu drejtuar ambasadorit Aivo Orav.

Ndërkohë që raporti i Komisionit Evropian është cilësuar si shumë pozitiv nga përfaqësuesit e koalicionit qeveritar, opozita maqedonase të njëjtin e ka quajtur si raporti më negativ që ka marrë vendi gjatë pesë viteve të fundit.

Partia më e madhe maqedonase në opozitë, LSDM vlerëson se në këtë raport Këshilli Evropian nuk ka apostrofuar asnjë hap pozitiv.

“Për ne ky është Raporti më i keq nga ai i vitit të kaluar dhe këtë do ta argumentojmë më vonë për shkak se akoma bëhen analizat rreth rekomandimeve specifike dhe observimeve. Kjo argumentohet posaçërisht në gjyqësor ku sërish potencohet kthim prapa në kuptim të drejtësisë selektive, në kuptim të presionit politik në gjyqësor dhe korrupsion”, është shprehur nënkryetari i LSDM-së Gordan Georgiev.

Por, ndryshe nga opozita, VMRO-DPMNE-ja e kryeministrit Nikolla Gruevski, raportin e KE-së e sheh si fitore morale e pestë me radhë për Maqedoninë.

“Për çdo rast raporti pozitiv do të kuptohet si një nxitje shtesë për vazhdimin e reformave, njëkohësisht duhet të jetë edhe sinjal deri te të gjitha vendet anëtare të BE-së posaçërisht atyre që janë të pritur drejtë zgjerimit të BE-së, se Republika e Maqedonisë edhe në rrethana të pavolitshme është vënë në një presion të pabarabartë politik, sërish ka arritur ta mbajë tempon dhe entuziazmin në nivel të kënaqshëm”, ka deklaruar për mediat deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski.

Edhe partia shqiptare në pushtet BDI, e ka përshëndetur vendimin e Komisionit Evropian për Zgjerim që ta përsëris për herë të 5-të rekomandimin që Maqedonia të marrë datë për fillim te negociatave për anëtarësim në BE.

“Ky vendim i Komisionit duhet te pranohet si një nxitje e fuqishme për zbatim intensiv te reformave, por kryesisht si një përkrahje për zgjidhje sa më të shpejtë të çështjes së emrit si sfida jonë më e madhe për anëtarësim jo vetëm në BE, por edhe në NATO si dhe për stabilitet të brendshëm dhe rajonal”, thuhet në reagimin me shkrim të BDI-së.
XS
SM
MD
LG