Ndërlidhjet

Rritet interesimi i investitorëve të huaj


Ilustrim

Ilustrim

Gjatë këtij viti është shtuar interesimi i investitorëve të huaj për të investuar në Kosovë. Sipas Agjencisë për Promovimin e Investimeve, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thuhet se si rezultat i aktiviteteve të shtuara, vetëm gjatë këtij viti, ka pasur 250 kompani të huaja të interesuara që kapitalin e tyre të investojnë në Kosovë.

Kryeshefi ekzekutiv i kësaj agjencie, Valdrin Lluka, për Radion Evropa e Lirë, thotë se janë identifikuar shtatë sektorë kyç për investitorët potencialë, që ofrojnë kushte të mira, fuqi të mjaftueshme të punës, si dhe potencial të madh për eksport.

“Sektorët e identifikuar janë, industria e tekstilit-përpunimit të lëkurës, është industria e drurit dhe mobilierisë, janë minierat dhe mineralet, sektori i teknologjisë informative, (IT) industria e energjisë së ripërtërishme, si dhe industria e turizmit”.

“Do të kemi informata të detajuara për investitorët, do të kemi studime sektoriale të këtyre industrive, do të promovojmë tërë kohën. Nuk do të thotë që industritë tjera nuk kanë potencial, mirëpo këto janë për momentin industritë që për tre vjetët e ardhshëm do të kenë fokus më të madh”,
bën të ditur Lluka.

Sipas Agjencisë për Promovimin e Investimeve, numri më i madh i investitorëve të interesuar, janë përfaqësues të kompanive nga Gjermania, Turqia, Hungaria, Greqia dhe Shqipëria.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike theksojnë se autoritetet kompetente nuk duhet të bëjnë promovime gjenerale, por duhet të paraqesin projekte konkrete dhe sektorë të rëndësishëm.

Mustafë Hasani, profesor i ekonomisë në njërin nga kolegjet private në Prishtinë, konsideron se Kosova ka sektorë të mjaftueshëm për investitorët e jashtëm, por për këtë çështje autoritetet kompetente duhet të jenë më aktive.

“Ne kemi rini që mund t’i bashkohet cilitdo investim. Mund të përgatisim trajnimet, mund t’i paguajmë deri në tre muaj trajnimet derisa ai të bëhet i aftë të fillojë punën tek investitori. Edhe teknologjia informative është potencial. Mundësi tjetër është dhënia e parqeve industriale në shfrytëzim deri në 50 vjet, si edhe forma të ndryshme që janë konkrete, e jo vetëm thirrje gjenerale - eja investoni në Kosovë se Kosova është vend potencial, ka pasuri natyrore, ka tokë bujqësore, rinia është e shkolluar, njohin gjuhë të huaja, por duhen projekte konkrete”, konsideron Hasani.

Ish-kryeshefi i Agjencisë për Promovimin e Investimeve, Hasani, thotë se ideja e vajtje-ardhjeve të zyrtarëve qeveritarë në vende të ndryshme të botës me qëllim tërheqjen e investitorëve, duhet të ndryshojë.

“Edhe në këtë vit ka pasur organizime në vende tjera, janë thirrur investitorët, janë mbajtur fjalime, është mbajtur ndonjë promovim i ndonjë broshure, janë thënë çështje shumë gjenerale dhe nuk ka pasur asnjë ofrim të një projekti konkret”, thekson Hasani.

Por, kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Promovimin e Investimeve, Valdrin Lluka, konsideron se rezultatet e takimeve po vërehen dhe do të vërehen edhe në të ardhmen. Ai shpjegon se në këto takime është paraqitur edhe imazhi i Kosovës.

“Vitin e kaluar kemi organizuar 13 konferenca në vende të ndryshme të botës. Dhe, normalisht, kjo ka zgjuar interesim. Ndoshta direkt nuk është përkthyer në investime të realizuara edhe pse janë disa projekte, mirëpo interesimi është rritur dhe asnjëherë nuk ka qenë më i madh se tash”, shprehet Lluka.

Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, thonë zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, investimet e huaja në Kosovë në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kanë arritur vlerën 143.4 milionë euro.

Sektorët ku është investuar më së shumti gjatë kësaj periudhe janë: patundshmëra, energjetika, shërbimet financiare, transporti dhe telekomunikacioni, si dhe ndërtimtaria.

Ndërkaq, numri i përgjithshëm i të punësuarve nga investimet e huaja vetëm gjatë periudhës janar – gusht të vitit 2013 është 834, numri më i madh i tyre janë të punësuar në sektorin e ndërtimtarisë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG