Ndërlidhjet

logo-print

Obama: Politikanët në Uashington duhet të ndryshojnë

  • RFE /RL

Barack Obama

Barack Obama

Presidenti amerikan, Barack Obama, thotë se politikanët në Uashignton duhet ta ndryshojnë mënyrën se si ata e kryejnë punën e tyre.

Duke folur pas miratimit të legjislacionit me të cilin në momentin e fundit u evitua falimentimi financiar, presidenti Obama tha se “populli amerikan është krejtësisht i ngopur me Uashingtonin”.

Ai pastaj i ka kritikuar republikanët për shkak se e kanë bërë qeverinë “jofunksionale”.

Presidenti Obama theksoi:

“Le të punojmë së bashku për të bërë që qeveria të punoj më mirë, në vend se ta trajtojmë atë sikur armik. Ne me qëllim ia vështirësojmë punën. Kjo nuk është ajo që themeluesit e këtij vendi e kanë parashikuar kur na e dhanë dhuratën e vetëqeverisjes”, tha Barack Obama, duke folur në Shtëpinë e Bardhë.

Të dy dhomat e Kongresit amerikan, Dhoma Përfaqësuese dhe Senati, e kanë miratuar legjislacionin, me të cilin ka përfunduar lufta e ashpër partiake lidhur me atë nëse do të ngritet kufizimi i borxhit i Shteteve të Bashkuara.

E gjithë kjo përfundoi pak orë para mesnatës të sëmërkurës, kur ishte afati i fundit që qeveria të mund ta rriste tavanin e borxhit, icili aktualisht ishte 16 700 miliardë dollarë. Sikur të mos ishte arritur marrëveshja, Amerika rrezikohej që të përjetonte falimentim financiar, me ç’rast nuk do të kishte qenë në gjendje t’i paguajë borxhet e veta.

Thesari i Shteteve të Bashkuara (praktikisht Ministria e Financave) kishte tërhequr vërejtjen për pasoja “katastrofale” potenciale për ekonominë amerikane. Po ashtu, kjo situatë e paqartë, disa orë para kalimit të afatit, kishte dërguar valë shokuese në të gjitha tregjet financiare në mbarë botën.

Fjalimin e tij Obama e mbajti në Shtëpinë e Bardhë, para një audience ku ishin punëtorët federalë, të cilët kishin qenë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi, për 16 ditë, derisa ka zgjatur mbyllja e pjesërishme e qeverisë, që po ashtu ishte shkaktuar nga ndarjet politike lidhur me çështjet buxhetore.

Qindra mijëra punonjësve të qeverisë së Shteteve të Bashkuara u është thënë që të kthehen në vendet e tyre të punës.

Presidenti amerikan theksoi se derisa vendi ka dalur nga kjo krizë me atë që “besimi i plotë në Shtetet e Bashkuara mbetet i padiskutueshëm”, është shumë herët të flitet për madhësinë e “dëmit krejtësisht të panevojshëm për ekonominë” amerikane.

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore e kanë mirëpritur zgjidhjen e krizës së buxhetit. Kina, që është kreditori më i madh i Shteteve të Bashkuara, po ashtu e ka mirëpritur përfundimin e krizës.

Obama tha se reputacioni i Shteteve të Bashkuara duhet të ripërtërihet nga goditja e madhe.

“Me gjasë asgjë nuk ka bërë më shumë dëm për kredibilitetin e Amerikës në botë dhe për pozitën tonë me vendet e tjera, se sa ky spektakël, që e kemi parë gjatë këtyre disa javëve. Kjo i ka inkurajuar armiqtë tanë, i ka trimëruar konkurrentët tanë, dhe u ka shkaktuar depresion miqëve tanë, që nga ne kërkojnë udhëheqje të fuqishme”, tha Barack Obama, duke folur në Shtëpinë e Bardhë.

Obama ka përsëritur thirrjen e tij për bashkëpunim dypartiak për arritjen e marrëveshjes afatgjate për buxhet.

Negociatorët për buxhet e kanë filluar një rund të ri të bisedimeve, ditën e enjte, në përpjekje për kapërcimin e dallimeve të mëdha ndërmjet prioriteteve fiskale të republikanëve dhe demokratëve.

Derisa shumë në Uashington kanë shprehur çlirim se falimentimi është evituar, ata po ashtu theksojnë se një krizë tjetër buxhetore duket në horizont, meqë legjislacioni i ri që është miratuar në Kongres, parasheh zgjidhje afatshkurtër.

Ai e ripërtërinë financimin e qeverisë deri më 15 janar të vitit të ardhshëm dhe e zgjeron autoritetin e huazimit të qeverisë vetëm deri më 7 shkurt.

Analistët thonë se pa një frymë të re të bashkëpunimit në Uashington, ligjvënësit mund të përfshihen në një bllokadë të njëjtë, në fillim të vitit 2014.

Republikanët e kanë penguar ngritjen e kufizimit të borxhit duke kërkuar ndryshim të legjislacionit të kujdesit shëndetësor të presidentit Obama, që ka filluar të zbatohet më 1 tetor të këtij viti.

Por, ky legjislacion i njohur si kujdesi shëndetësor i Obamës, nga kriza e fundit doli i paprekur. Megjithatë, republikanët kanë shprehur përkushtim për të vazhduar që këtë ligj ta shndërrojnë në çështje në debatet e ardhshme buxhetore.

Por, është e paqartë se në çfarë shkalle ligjvënësit republikanë do ta shfrytëzojnë tavanin e borxhit si levë gjatë këtyre debateve, për shkak të rënies së shënuar në hulumtimet e opinionit gjatë krizës aktuale. (f. bujupi.)
XS
SM
MD
LG