Ndërlidhjet

NYT: Romët, përsëri, në rolin e "deles së zezë"


Ilustrim
Ilustrim
Romët, nganjëherë të quajtur jevgj, kanë qenë pjesë e peizazhit kulturor evropian për vite me radhë. Ata kanë vuajtur po ashtu nga diskriminimi dhe paragjykimi, veçanërisht në kohë të krizës ekonomike.

Një gjë e tillë po ndodh edhe tani, shkruan gazeta amerikane “New York Times”.

Të ballafaquara me papunësi të lartë dhe buxhete të tendosura, disa vende të Bashkimit Evropian e kanë vlerësuar se është më lehtë t’i stigmatizojnë dhe dëbojnë romët, sesa t’iu sigurojnë arsim, strehim dhe punësim, thuhet në artikull.

“New York Times” po ashtu kujton një rast në Londër, ku, gjatë verës, autoritetet kanë çmontuar një kamp të romëve dhe banorët i kanë kthyer në Rumani. Në Republikën Çeke, sipas gazetës, fëmijët romë janë ende të ndarë në mënyrë rutinore në shkolla.

Kushtet e varfra të jetesës së romëve dhe pamundësia për të gjetur punë të ligjshme përforcojnë stereotipet e një populli të detyruar që të jetojë në margjina të shoqërisë.

Ministri i Brendshëm i Francës, Manuel Valls, ka thënë se mënyra e jetesës së romëve nga Rumania dhe Bullgaria është aq e ndryshme, saqë shumica nuk mund të integrohen në shoqërinë franceze dhe duhet të dëbohen.

“New York Times” thotë se komentet e tij janë kritikuar nga zyrtarët e tjerë, ndërsa Amnesty International ka dënuar dëbimet e shumta nga Franca. Të enjten ka pasur protesta në Paris për dëbimin e një vajze rome (nga Kosova), e cila është nxjerrë nga autobusi i shkollës.

Sipas gazetës, diskriminimi kundër romëve është shkelje e drejtpërdrejtë e Direktivës së Bashkimit Evropian për Barazinë Racore dhe politikës së saj zyrtare për integrimin e romëve.

Viviane Reding, zëvendëspresidente e Komisionit Evropian dhe komisionare për drejtësi e BE-së, ka qortuar ashpër Francën për shkelje të rregullave të BE-së, që mbrojnë qarkullimin e lirë të individëve.

Zyra e saj ka thënë se Franca mund të përballet me sanksione të Bashkimit Evropian për trajtimin që u bën romëve.


Gazeta “New York Times” shkruan se disa vende evropiane, megjithatë, janë duke ndërmarrë hapa për të trajtuar në mënyrë konstruktive diskriminimin kundër romëve.

Duke pranuar se varfëria është një problem real, Berlini ka nisur një plan ambicioz për të siguruar strehim, edukim dhe kujdes mjekësor për fëmijët romë, shkruan gazeta amerikane.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG