Ndërlidhjet


"Secili qytetar i Kosovës duhet të investojë në vetveten, në ngritjen e nivelit të vet profesional, kudo që punon, në cilindo profesion që punon, të fitojë sa më shumë. E para është që duhet të fitosh, e pastaj ato fitime të mendosh si t’i shpenzosh dhe të vendosësh një listë të prioriteteve dhe të bazohesh në aryeshmërinë e atyre prioriteteve”, thotë në një intervistë për Rubrikën "Vetëmenaxhim" të Radios Evropa e Lirë, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hamza, administrimi i parave në familjet në Kosovë është një problem mjaft i theksuar. Gjatë kohës sa ne jemi duke e transmetuar rubrikën “Vetëmenaxhim”, kemi parë se qytetarët kanë mungesë të informacionit se si duhet menaxhuar paratë e tyre. Sipas jush, çfarë duhet ditur qytetarët për menaxhimin më të mirë të parasë?

BEDRI HAMZA
Në përgjithësi, ne, si qytetarë të Kosovës, kemi nevojë që ta rrisim nivelin e kujdesit edhe rreth menaxhimit dhe shpenzimit të parave personale dhe buxhetit familjar. Në këtë drejtim ka shumë vend për përmirësime.

Duhet të vendosen prioritete edhe brenda buxhetit personal dhe buxhetit familjar, cilat janë prioritetet më të rëndësishme, e cilat janë prioritetet që kanë arsyeshmëri më të madhe, edhe të bëhet një rangim i prioriteteve. Unë jam ithtar i asaj që secili qytetar i Kosovës të investojë në vetë veten, në ngritjen e nivelit të vet profesional, kudo që punon, në cilindo profesion që të punon, të fitojë sa më shumë.

E para është që duhet të fitosh, e tani pastaj ato fitime të mendosh si t’i shpenzosh dhe të vendosësh një listë të prioriteteve dhe të bazohesh në arsyeshmërinë e atyre prioriteteve.

Shumë herë ndodh në Kosovë që kemi rangim jo të drejtë të prioriteteve, investojmë në shpenzime, të cilat mund trajtohen si shpenzim luksi dhe jo si investim.

Nuk mund të investojmë ndoshta edhe në standardin jetësor dhe mos të kemi konsideratë shkollimin e fëmijëve, nuk mund të mendojmë të investojmë në blerjen e veturave të shtrenjta, e mos të sigurojmë fonde të mjaftueshme për shkollimin e fëmijëve.

Të ndahen mjete për pension


Mbi të gjitha, duhet të mendojmë të ndajmë mjete, pasi që vjen një kohë kur shëndeti nuk të lejon të punosh me kapacitete të plota dhe t’i nuk ke mundësi të fitosh aq sa ke nevojë për shpenzime. Pra, duhet të mendojmë edhe për moshën e tretë, për pension, të ndahen mjete që të kesh edhe në atë moshë një siguri materiale dhe financiare.

Nuk jam kundër asaj që njerëzit të mos kenë mundësi të bëjnë një jetë, mos të kenë mundësi të pinë kafe, të bëjnë një shëtitje apo mos të kenë mundësi që të kenë një veshje korrekte, por megjithatë nganjëherë ne shpenzojmë në disproporcion me mundësitë dhe të hyrat personale edhe familjare, pra u japim prioritet shpenzimeve, të cilat nuk kanë karakter të investimit.


Investimet e gabuara

Nëse e marrim edhe te ndërtimi, te shtëpitë familjare, shpeshherë në Kosovë shumë familje me një numër jo të madh të anëtarëve, ndoshta me katër apo pesë anëtarë, kanë shtëpi dhe kanë hapësirë banimi më shumë se sa që u nevojitet.

Sikur një pjesë të atyre mjeteve që janë investuar në hapësira banimi të panevojshme dhe të pashfrytëzuar që kanë edhe kosto të mirëmbajtjes dhe kërkojnë edhe kohë për mirëmbajtje, të ishin përdorur për hapjen e bizneseve familjare, sigurisht se do të ishin krijuar më shumë vende pune dhe familjeve do t’iu mundësohej të gjenerojnë të hyra dhe me ato të hyra të kenë mundësi të zhvillojnë bazën e vet materiale.

Ka mundësi, në këtë drejtim, të kemi shumë përmirësime. Fillimisht, të angazhohemi që të punojnë më shumë, të punojmë në sektorë që gjenerojnë të hyra, duke filluar nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ekonomive familjare, agro-bizneseve, të angazhohemi të gjithë anëtarët e familjes dhe jo një apo dy të punojnë, e të tjerët të jenë të padobishëm, pra të jenë shpenzues në ato familje.


Racionalizimi i shpenzimeve


Ne sot e vërejmë që kemi një komunikacion të dendur në Kosovë, shumë pak prej neve e shfrytëzon udhëtimin me autobus, shumë pak e shfrytëzojmë udhëtimin me tren, e të gjithë udhëtojmë me vetura. Nëse ndalemi dhe e analizojmë, shohim se çdo veturë ka një apo dy pasagjerë dhe nuk i ka kapacitetet e shfrytëzueshme - shpeshherë dalim dhe bëjmë xhiro të panevojshme me vetura, duke mos menduar në atë se çdo lëvizje është edhe shpenzim.


T’i edukojmë fëmijët rreth menaxhimit dhe shpenzimit të parave


Është me rëndësi që edhe te veshja të kemi kujdes. Te veshja e fëmijëve të kemi kujdes. Gjatë jetës sime kam pasur raste të dëgjoj ligjërata nga njerëz shumë kompetentë rreth menaxhimit të buxhetit personal dhe familjar.

Shpeshherë kam parë se ne biem në ndikim të kërkesave dhe presioneve të fëmijëve tanë edhe jashtë mundësive tona për t’i financuar.

Ne kemi nevojë që fëmijët tanë t’i edukojmë, se paraja nuk fitohet lehtë. Për të fituar duhet të punohet shumë dhe kurrë nuk fitohet lehtë, dhe nuk është diçka që ti ke dhe sa ty të nevojitet, atëherë duhet të dihet si të menaxhohet. Nëse ata e kanë një kërkesë, duhet të dimë t’i themi jo dhe t’ua shpjegojmë pse jo.

Nuk jam kundër asaj që brenda mundësive reale të mos ushqehen mirë, apo të mos vishen, por mbi të gjitha duhet të mendojmë që edhe ushqimi të jetë me masë, nuk ka nevojë që të hidhen, edhe në aspektin e veshjes të mos bëjmë shpenzime të panevojshme.

Duhet të mendojmë që të ndahen mjete për shkollimin e tyre, pasi që ato mjete nuk janë shpenzim, por investim.

RADIO EVROPA E LIRË

Cilat, sipas jush, janë mënyrat më të mira të kursimit të parave?

BEDRI HAMZA
Mënyra më e mirë për ato familje që gjenerojnë të hyra, do të ishte investimi në biznese të tipit familjar dhe të rritet apo të zgjerohet aktiviteti ekonomik. Me rritjen e ndërmarrjes, mundësia për fitim është më e madhe.

Përveç investimeve, nëse nuk ka projekte që janë fizibile, është mirë që të bëhen kursimet në sistemin bankar, e para kursehet dhe fiton nga depozitat e investuara dhe pastaj ato mjete të përdoren në momentin kur janë të nevojshme me prioritet dhe arsyeshmëri.

Një rast i një taksisti. Afër vetes e kishte pasur një arkë dhe punën e parë të ditës e kishte hedhur në atë arkë dhe çdo ditë kishte kursyer diçka nga dita e tij e punës, pra nuk është e pranueshme që të shpenzosh krejt atë çka e fiton.

Te menaxhimi i parasë, çdo cent e ka vlerën e vet, çdo cent fitohet jo lehtë dhe duhet të shpenzohet për atë që ka nevojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të përballen me kushtet e vështira ekonomike dhe sociale. Sa është problem në këto familje menaxhimi i parasë?

BEDRI HAMZA
Ka një numër të konsiderueshëm të faktorëve, është sigurisht se edhe aspekti ekonomik e bën të veten, realisht familjet apo personat me të hyra të vogla e kanë të vështirë t’i rangojnë prioritetet, e kanë vështirë edhe të kursejnë, ka shumë prej tyre që muajin në muaj nuk mund ta përmbyllin, por ka edhe të atillë që kanë mundësi t’i menaxhojnë shumë më ndryshe se sa që jemi duke i menaxhuar.

Ka nevojë që edhe në sistemin e shkollimit të futet në praktikë edukimi për menaxhimin e parasë, për menaxhimin e buxhetit familjar dhe fëmijët qysh nga mosha e vogël të jenë të kujdesshëm në kërkesat e tyre, për shpenzimin e parave të tyre dhe nëse ka në dispozicion një euro dhe nuk ka para të shpenzojë aq sa do ai.

Fillimisht, duhet të dihen burimet e pastaj të bëhen prioritetet e shpenzimeve dhe pavarësisht që mund të kenë fitime më të mëdha.

RADIO EVROPA E LIRË
Kush do të duhej ta bënte një informim për qytetarët mbi menaxhimin e parave?

BEDRI HAMZA
Ne e kemi aprovuar Strategjinë për mbrojtjen e konsumatorit dhe edukimin financiar - e kemi pasur këtë qëllim nuk është se ne vetëm e kemi bërë dhe nuk do ta zbatojmë. Ky dokument do të zbatohet.

Prandaj, sigurisht, si BQK, në të ardhmen do të bëjmë diçka. Unë konsideroj që është një fushë ku të gjithë ne kemi nevojë që të kemi një qasje pak më ndryshe në raport me atë që e kemi aktualisht për menaxhimin e parasë.

* * *
Në edicionin e ardhshëm ju ftojmë të ndiqni menaxhimin e të ardhurave mbi mesataren e pagave në Kosovë.

Ekspertët e çështjeve ekonomike do t’ju japin këshilla si t’i administroni më mirë ato mjete financiare.

Në edicionin e nëntë, po ashtu, do të ndiqni edhe një përmbledhje të rubrikës “Vetëmenaxhim”.

Pyetjet tuaja mund t’i dërgoni në forumin e kësaj rubrike.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG