Ndërlidhjet

logo-print

Kush është vajza bionde e gjetur në kampin e romëve?

  • RFE /RL

Voglushja e gjetur në kampin e romëve

Voglushja e gjetur në kampin e romëve

Policia greke është duke kërkuar ndihmë ndërkombëtare për të identifikuar një vajzë 4 vjeçe, e cila është gjetur duke jetuar në një kamp të romëve, me njerëz që nuk janë familja e saj.

Policia ka gjetur vajzën, e cila mban emrin Maria, gjatë një operacioni për zbulimin e lëndëve narkotike në kampin e romëve pranë qytetit Farsala.

Autoritetet dyshojnë se vajza mund të jetë rrëmbyer në lindje.

“Në këtë pikë, duket se fëmija është rrëmbyer ose marrë në vitin 2009, në rrethana të panjohura”, ka thënë drejtori i policisë rajonale në qytetin Farsala, Vassilis Halatsis.

Në deklaratën e policisë thuhet se “vajza ka lëkurë të bardhë, flokë të verdhë dhe sy të gjelbër – karakteristika krejtësisht të ndryshme nga ato të prindërve të supozuar”.

Burri dhe gruaja rome, të cilët janë paraqitur si prindërit e saj, kanë dhënë dëshmi kundërthënëse. Në fillim, kanë thënë se janë prindërit e vërtetë të vajzës, por pas testit të ADN-së, i cili ka treguar mungesë të plotë të përputhshmërisë mes tyre dhe vajzës, ata kanë pranuar se nuk është fëmija i tyre, porse e kanë gjetur në një supermarket.

Çifti rom është arrestuar dhe mund të përballet me akuza penale. Vajza, ndërkaq, është vendosur në një qendër të kujdesit për fëmijë.

Kostas Yannopoulos, president i Organizatës Buzëqeshja e Fëmijës, me seli në Athinë, e cila po bën përpjekje të identifikojë voglushen, ka thënë se ajo është e hutuar dhe e tronditur nga ndryshimi i mjedisit. Sipas tij, prindërit e supozuar e kanë përdorur atë edhe për të lypur në rrugë.

“Mund të jenë të dyja rastet: edhe rrëmbim, edhe përpjekje e kombinuar e këtyre njerëzve për të blerë dhe shitur fëmijë”, ka thënë Yannopoulos.

BBC thotë se vajza, në bazë të karakteristikave të jashtme, mund të jetë nga Evropa veriore ose lindore.

Një zëdhënës i çiftit britanik, Kate dhe Gerry McCann, vajza e të cilëve është zhdukur në Portugali në vitin 2007, ka thënë se rasti u jep atyre shpresë të madhe se ajo do të gjendet e gjallë.

Policia ka shpërndarë foton e vogëlushes Maria dhe kërkon ndihmën e komunitetit për gjetjen e prindërve biologjikë të saj. Po ashtu ka dyshime se mund të jetë fjala për një organizatë të madhe të trafikimit të fëmijëve.(v.tela)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG