Ndërlidhjet

logo-print

Kush ka shumicën në Kuvend, pozita apo opozita?


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Pozita dhe opozita ndajnë mendime krejtësisht të kundërta rreth asaj nëse në Kosovë ka apo nuk ka një krizë evidente parlamentare e institucionale.

Dy-tri seancat e fundit të Kuvendit kanë dështuar për mungesë të kuorumit. Këto seanca, ku kryesisht është trajtuar çështja e privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës, kanë vërtetuar se as pozita, dhe as opozita, aktualisht nuk kanë shumicën, kurse një numër deputetësh mban qëndrime neutrale.

Shumica minimale që i duhet një qeverie për të mbijetuar, është 61 vota të deputetëve nga 120 sa ka gjithsej Parlamenti i Kosovës.

Por, një gjendje e tillë, ku nuk po dihet se kush e ka shumicën në Kuvend, sipas shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, nuk nënkupton se ka krizë. Sipas tij, kjo është kohë e fushatës për zgjedhjet lokale dhe shumë deputetë janë të angazhuar në të, kurse pret që gjendja të stabilizohet në Kuvend menjëherë pas zgjedhjeve të 3 nëntorit.

“Nuk e shoh asnjë arsye që për këtë shkak Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Unë kam besim që menjëherë pas zgjedhjeve lokale, do t’i kthehemi punës dhe do të punojmë ndoshta me kapacitete më të shpejtuara dhe do të arrijmë të kompensojmë atë që në njëfarë forme kemi humbë në Parlament”, tha Grabovci në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe nga Grabovci, u shpreh Burim Ramadani, deputet opozitar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ai, përveç se konstaton se Kosova është futur në një krizë evidente parlamentare, tha se pret që subjektet politike menjëherë pas zgjedhjeve lokale, të ulen dhe të diskutojnë caktimin e datës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare për muajin maj të vitit vijues.

“Qëndrimi i AAK-së është që ne duhet ta përfundojmë këtë fazë të zgjedhjeve lokale dhe menjëherë pas tyre të fillojnë përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme, për të cilat ne besojmë që muaji maj i vitit 2014 është muaji më i përshtatshëm”, deklaroi Ramadani për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, Adem Grabovci i PDK-së, tha se koalicioni i ka numrat e mjaftueshëm që të vazhdojë me qeverisjen aktuale deri në fund të mandatit.

“Jam shumë i sigurt që koalicioni i ka votat e mjaftueshme për të vazhduar tutje dhe për të eliminuar çdo mundësi për të ardhur deri te ndonjë krizë parlamentare. Jam i sigurt që edhe subjektet tjera politike, qoftë të pozitës apo opozitës nuk kanë ndonjë interes që Kosova të shkoj në zgjedhje të parakohshme ”, u shpreh Grabovci.

Ismet Beqiri

Ismet Beqiri

Për numrat e koalicionit aktual qeverisës foli edhe deputeti Ismet Beqiri, shef i Grupit Parlamentar të partisë më të madhe opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai beson që koalicioni aktual tashmë ka humbur shumicën në Kuvend, pavarësisht faktit që PDK-ja, si partia më e madhe në pushtet, nuk e pranon këtë fakt.

“Ata që thirren se i kanë numrat dhe po qeverisin dhe thonë se kanë stabilitet, atëherë duhet këtë ta dëshmojnë me të kundërtën e asaj se si po veprojnë tash për tash. Kjo qeveri dhe këto parti të koalicionit nuk e kanë gjatë”, theksoi Beqiri.

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare, sipas mandatit kushtetues, do të duhej të organizoheshin në fund të vitit 2014. Por, siç qëndrojnë aktualisht punët me funksionimin e Kuvendit, i cili nuk po arrin të marrë asnjë vendim, nuk do të ishte befasuese që subjektet politike të merren vesh që vendi të shkojë edhe në zgjedhje të parakohshme në pranverën e vitit të ardhshëm.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG