Ndërlidhjet

Maqedonia shënon përparim sa i përket ndërtimit të kapaciteteve ligjore për të konkurruar në tregun evropian, por lë për të dëshiruar cilësia e prodhimeve, theksohet në Raportin e progresit të Komisionit Evropian.

Në raport, gjithashtu, apostrofohet si shqetësuese edhe rritja e borxhit publik, ndërkohë që si pozitive është shënuar ruajtja e stabilitetit në planin makroekonomik.

Visar Ademi, ekspert i ekonomisë, thekson se kësaj radhe në raportin e Komisionit Evropian, është cekur në mënyrë më eksplicite se Qeveria e Maqedonisë duhet t`i kushtojë kujdes të veçantë ngritjes së kapaciteteve të kompanive private që të njëjtat të jenë në gjendje të gjenerojnë vende të reja të punës.

“Në raportin e KE-së, kësaj radhe është nënvizuar se duhet të ndërpriten shpenzimet jokapitale, të cilat bëhen pa kritere nga ana e Qeverisë, e që janë kryekëput në dëm të qytetarëve, sepse borxhi publik vazhdon të akumulohet gjithnjë e më shumë duke u rritur në atë masë saqë do të duhen pastaj gjenerata të tëra të mund ta shlyejnë këtë borxh ku po zhytet vendi”, thotë Visar Ademi, ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë

Ndërkaq Mirçe Cekrexhi, kryetare e Lidhjes së Odës Ekonomike të Maqedonisë, vlerëson se praktika ka dëshmuar se zhvillimi ekonomik përkatësisht integrimi ekonomik, për çdo vend para se të bëhet pjesë e familjes evropiane, ka qenë dhe tregues kryesor se ai vend po ecën në drejtim të duhur.

“Një strategji e përbashkët për zhvillimin e ekonomisë së Maqedonisë paraqet dhe mënyrën më të mirë për t`u integruar, si dhe nevojitet transformimi i ekonomisë sonë në një ekonomi, e cila do të jetë konkurruese në tregun evropian”, theskon Cekrexhi.

E, përderisa Maqedonia vazhdon të prodhojë kizë në aspektin ekonomik, sipas Ademit, është më se e qartë se askush nuk dëshiron që këtë krizë ta importojë në BE.

“U harxhua shumë kohë në krijimin e infrastrukturës ligjore dhe tani bëhet e qartë se pikërisht kjo infrastrukturë ligjore, të cilën e krijoi Qeveria, nuk dha asnjë efekt pozitiv në kuptimin real në ekonomi”.

“Ne, tani përpos ranglistave, që për bazë kanë aspektin ligjor, siç është ajo e ‘Të bërit biznes’, tani duhet të merremi edhe me çështje reale, si duhet subvencionuar sektorët real, si duhet të ndihmohen sipërmarrës të rinj, të cilët do të ishin lokomotiva bartëse e ekonomisë së vendit”,
shprehet Ademi.

Ndërkohë që Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë vlerëson se Maqedonia, për t`iu shmangur hendekut gjithnjë e më të thellë, në planin ekonomik, kundrejt vendeve të BE-së, duhet të arrijë një shkallë prej 6 për qind të bruto prodhimit vendor. Në të kundërtën, do të rritet edhe më shumë varfëria dhe vendi nuk do të arrijë të konkurrojë me prodhimet e saj në tregun e familjes evropiane.
XS
SM
MD
LG