Ndërlidhjet

Mitrovica veriore nën ethet e zgjedhjeve dhe frikës


Mitrovicë

Mitrovicë

Atmosfera zgjedhore në veri të Mitrovicës dallon nga pjesët tjera të Kosovës. Qyteti verior, është i mbushur me më shumë pano që bëjnë thirrje për bojkot, sesa me aso që do të propagandonin daljen në zgjedhje.

Protagonistët e bojkotit, janë subjektet politike në komunat veriore që kanë udhëhequr me vite strukturat paralele e ilegale atje, të cilat kanë kundërshtuar çdo formë të integrimit të komunave veriore në kuadër të institucioneve të shtetit të Kosovës.

Kurse, qytetarët serbë të këtij qyteti, thonë se nuk po shohin ndonjë atmosferë zgjedhore, pavarësisht që kësaj radhe një inkurajim për dalje në zgjedhje atyre u ka ardhur edhe nga Beogradi zyrtar.

Jelena Stankoviq, një banore e Mitrovicës veriore, thotë se atje, pavarësisht incidenteve dhe shpërthimeve të vazhdueshme, për qytetarët, edhe kjo situatë tashmë është bërë një gjendje rutine.

“Në qytet ka prani të madhe të gazetarëve, por edhe të disa njerëzve të çuditshëm që kushedi se nga kanë ardhur. Do të thotë ka plotë fytyra të reja”, thotë kjo banore.

Jelena Stankoviq, flet edhe për një gatishmëri të një pjese të banorëve që duan të lëvizin gjërat përpara duke dalë në zgjedhje, qoftë edhe duke filluar me pranimin e institucioneve të Kosovës. Por, e gjithë situata, sipas saj, është mjaft shqetësuese dhe e frikshme.

“Është një qetësi e pazakontë dhe kushedi ndoshta po na përgatitet ndonjë stuhi më e madhe”, thotë e brengosur kjo banore e Mitrovicës veriore.

Por, nuk janë të gjithë banorët e këtij qyteti të shqetësuar me zhvillimet e atjeshme, incidentet e vazhdueshme dhe polarizimet nëse serbët e veriut duhet apo nuk duhet të dalin në zgjedhje.

Nikola Dragiq ka besim në mbrojtjen që atyre do t’u vinte, jo nga shteti në të cilin jetojnë, ai i Kosovës, por nga Serbia.

“Nuk frikësohem për sigurinë e familjes, fëmijëve të mi dhe nuk besoj se do të ndodhë diçka përderisa Serbia na ofron neve mbrojtje”, thotë ky banor i Mitrovicës. Sipas tij, kërcënimi më i madh për serbët e veriut do të ishte ai ekonomik, në rast se Serbia do të braktiste financimin atje.

Tensionet dhe përplasjet politike, për disa të rinj serbë nga Mitrovicë, u kanë ardhur te hunda. Studenti Jovan Radakoviq thotë se për të është me rëndësi t’i mbarojë studimet dhe asgjë tjetër.

“Ne nuk mendojmë asgjë dhe po mundohemi që sa më pak të mendojmë për këtë që po zhvillohet këtu. Me rëndësi është që t’i mbaroj me sukses provimet dhe më pas të dehem, e të mos mendoj fare për asgjë që po ndodhë këtu”, thotë ky student nga Mitrovica.

Përndryshe, zgjedhjet lokale në komunat veriore të banuara me shumicë serbe, janë të parat që po organizon Kosova në këtë pjesë. Organizimi i tyre është dakorduar në procesin negociator ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Por, aktualisht vërehet një aktivitet i madh i strukturave që nuk pajtohen me këtë proces, pasi që e nënkuptojnë atë si integrim në shtetin e Kosovës, të cilin këto struktura nuk e pranojnë duke pretenduar se kjo pjesë i takon Serbisë.

Një gjendje e tillë, për dhe kundër, zgjedhjeve ka krijuar një atmosferë aspak të favorshme për organizimin e votimeve të qeta, të lira e demokratike në veri.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG