Ndërlidhjet

Price: T’i jepet rast diplomacisë me Iranin


David Price
David Price

Intervistë me anëtarin e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, David Price, demokrat nga Karolina Veriore

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas një artikulli në ueb faqen e revistës Foreign Policy, “administrata e presidentit Barack Obama, po ballafaqohet me vështirësi të papritura në bisedimet e reja bërthamore me Iranin, pasi një numër i konsiderueshëm i ligjvënësve demokratë amerikanë, e kanë bërë të qartë se ata do të ndahen nga Shtëpia e Bardhë dhe do të luftojnë kundër çfarëdo përpjekjeje për t’i tërhequr sanksionet aktuale kundër Teheranit”. A pajtoheni se ekzistojnë dallime të mëdha ndërmjet qeverisë dhe Kongresit të Shteteve të Bashkuara për Iranin?

DAVID PRICE
E kam parë artikullin lidhur me këtë ndarje të dyshuar; mendoj se është i ekzagjeruar. Me siguri se ekziston një grup i senatorëve, që janë shumë të shqetësuar lidhur me Iranin dhe për programin e tij atomik dhe ata kanë këmbëngulur që koncesionet diplomatike për sanksione të mos bëhen pa shenja shumë të prekshme të progresit diplomatik.

Pra, ka shumë njerëz që tërheqin vërejtjen se ne nuk jemi shumë optimistë për finalen e mundshme të negociatave. Por, nuk mendoj se çdokush është deklaruar paraprakisht për njërën apo mënyrën tjetër se çka do të ishte e pranueshme për të pasur një relaksim të kalibruar të sanksioneve si kthim për marrëveshje shumë specifike, sa i përket programit atomik.

Sinqerisht mendoj se është e parakohshme të deklarohet se një marrëveshje e tillë është e pamundshme për shkak të pozicionit të senatorëve . Pra, nuk mendoj se kemi të bëjmë me këtë rast.

RADIO EVROPA E LIRË
Në korrik, kongresmeni Charles Dent, republikan nga Pensilvania, dhe ju keni shkruar një letër, të cilën disa e kanë cilësuar si “historike”, në të cilën ju kërkoni nga presidenti Obama që ta ndjek diplomacinë me Iranin. Këtë letër e kanë nënshkruar 131 kongresmenë. Si e vlerësoni ju dinamizmin e diplomacisë ndërmjet dy vendeve, gjatë muajve të fundit?

DAVID PRICE
Letra është pranuar mirë nga anëtarët e të dy anëve të politike, republikanëve dhe demokratëve, dhe në fakt, ne patëm në tepër se gjysmën e grupit të demokratëve, që e kanë nënshkruar letrën.

Kjo letër thjeshtë thoshte se me ndryshimin e udhëheqjes në Iran dhe me dëshirën e shpallur për start të freskët me perëndimin, nga ana e presidentit të ri, Hassan Rohani, ne duhet ta testojmë këtë dhe të shohim se çfarë mundësish mund të ketë. Nuk duhet të besojmë në mënyrë naive; ne e kuptojmë se kjo ndoshta nuk do të funksionojë.

Por, njëherësh do të jetë gabim shumë serioz nëse nuk provohet se çfarë mundësish mund të ekzistojnë. Ndjenja ime është se politika e presidentit, përpjekjet diplomatike që i ka ndërmarrë, është pikërisht ajo që ne e kemi në mendje.

Është saktësisht lloji i lëvizjes që ne jemi përpjekur ta inkurajojmë. Natyrisht, është shumë herët për ta ditur se çka mund të sjellë kjo, por ne ndjejmë se kemi ndihmuar në krijimin e një lloj klime në Capitoll Hill, që do ta inkurajoj administratën për ta ndërmarrë këtë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund ta shpjegoni më për së afërti qëllimin tuaj me këtë letër?

DAVID PRICE
Anëtarët e Kongresit ndonjëherë janë të identifikuar si agresivë në këtë çështje, që janë shumë pesimistë për mundësinë e diplomacisë dhe kryesisht janë të interesuar në vendosjen e sanksioneve të reja.

Mendoj se letra jonë indikon se megjithëqë shumë prej nesh i kanë mbështetur sanksionet në të kaluarën dhe e kemi kuptuar se ato mund të jenë një mjet i rëndësishëm, ne ende i shohim ato si një mjet.

Ideja nuk është vetëm të vendosim sanksione ndaj një vendi ose për ta ndëshkuar një vend. Ideja është që të krijohet situatë ku do të ketë stimulime të fuqishme për marrëveshje diplomatike. Ky është qëllimi final.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë koncesionesh konkrete pret Kongresi i Shteteve të Bashkuara nga Irani, për t’i tërhequr sanksionet aktuale ose vetëm një pjesë të tyre?

DAVID PRICE
Nuk mendoj se secili prej nesh tash është në pozitë që të futet në atë nivel të detajizuar për atë se cilat koncesione specifike mund të kërkohen apo çfarë lloji të nxitjesh, në kuptimin e kalibrimit të sanksioneve, do të mund të ndërmerreshin. Ky është nivel i detajit që i pret diplomatët, të cilët do ta bëjnë planin.

Mendoj se ajo për të cilën ne po flasim është përfundimisht tërheqja e kapacitetit të Iranit për ta zhvilluar armatimin atomik dhe ne po shohim për një përzierje të politikave, që do të shkonin prej shkatërrimit të disa kapaciteteve e deri te pajtueshmëria për një prani ndërkombëtare, që do ta verifikonte aktivitetin ose mungesën e aktivitetit.

Mendoj se pjesa më e madhe e zgjidhjeve, për të cilat është biseduar, do të jenë një përzierje e këtyre masave. Por, saktësisht si ato do të ndaheshin dhe si ato do të kalibroheshin sa u përket sanksioneve, nuk ka gjasë që unë ose ndokush tjetër të futet në atë nivel të detajizuar në këtë distancë.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa senatorë po synojnë përshkallëzim të sanksioneve ndaj Iranit pas bisedimeve atomike. A nuk mendoni se sanksionet e reja kundër Iranit, në këtë moment, do t’i shkatërronin të gjitha nismat diplomatike?

DAVID PRICE
Do të shpresoja që ky nuk është rasti. Them se duke votuar në Dhomë kundër rundit të ri të sanksioneve, saktësisht në këtë moment, isha në pakicë. Në fakt, legjislacioni për imponimin e sanksioneve të reja, ka kaluar me shumicë votash në Dhomën Përfaqësuese.

Senati e ka shtyrë shqyrtimin e këtij legjislacioni, por mund ta ketë në çfarëdo kohe në diskutim. Sigurisht se ekzistojnë disa senatorë që kërkojnë një valë të re të sanksionve. Unë mendoj se do të ishte më e preferueshme që debati të shtyhet.

Tash efektivisht ne kemi në fuqi shumë sanksione. Çdo indikacion tregon se ato kanë efekt në qeverinë e Iranit. Mund të vijë koha kur rundi i ri i sanksioneve duhet të vendoset, por vlerësimi im është se do të ishte më mirë që këtë të mos e bëjmë tash, për t’i dhënë diplomacisë më tepër mundësi. Duke e thënë këtë, prapë se prap, nuk mendoj se kalimi i këtij legjislacioni do ta shkatërronte diplomacinë ose do ta varroste atë. Sinqerisht shpresoj se jo.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG