Ndërlidhjet

logo-print

DV: Parregullsi në përgatitjen e procesit elektoral


Kosovo -- Election officials analyse voting documents from the country's first parliamentary elections since independence at the vote counting center in Pristina, 13Dec2010

Kosovo -- Election officials analyse voting documents from the country's first parliamentary elections since independence at the vote counting center in Pristina, 13Dec2010

Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë po zhvillohet e qetë dhe pa ndonjë incident serioz, me përjashtim të veriut të vendit, ndërkohë që Komisioni Zgjedhjeve ende nuk po arrin t’i mënjanojë disa parregullsi, të cilat po e përcjellin përgatitjen e procesit elektoral, kanë vlerësuar përfaqësuesit koalicionit të organizatave joqeveritare “Demokracia në veprim”, i cili monitoron procesin e fushatës zgjedhore dhe vet procesin zgjedhor.

Driton Selmanaj, përfaqësues i KDI-së në koalicionin Demokracia në Veprim, ka theksuar se një nga parregullsitë kryesore që po e përcjellin punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është zgjedhja e zëvendës-kryeshefit të këtij institucioni, Goran Zdravkoviq, i cili vjen nga komuniteti serb.

Sipas tij, zgjedhja e Zdravkoviqit është kontradiktore dhe përcillet me konflikt të interesit.

“Deri në momentin e zgjedhjes, ai ka qenë anëtarë i KQZ-së, si dhe ka qenë anëtar i Panelit vlerësues për këtë pozitë. Ne kemi vlerësuar se këtu ka konflikt interesi. Kemi kërkuar dhe po kërkojmë edhe sot nga KQZ që të reflektoj për këtë çështje, përkundër që është tentuar që të jepet një përgjigje se kjo çështje është bërë për shkak të kushteve dhe për shkak të kohës së paktë dhe se më pas do të vazhdohet me procedura të rregullta. Por, ne vlerësojmë që kjo qasje e KQZ-së nuk do të duhej të ndodhte dhe është e papranueshme”, thotë Selmanaj.

Lidhur me këtë çështje të cilën e ka parashtruar demokracia në veprim, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka dhënë këtë shpjegim.

“Çështja e zëvendës-kryeshefit... Ai ka qenë anëtar i panelit, por në momentin kur ka dhënë dorëheqje ai nuk ka qenë më anëtar. Ai panel e ka kryer punën moti. Ai është vetëm me kontratë, betim në certifikim të zgjedhjeve sepse kemi mbetur dhe qe disa herë është anuluar konkursi dhe tash në këto momente ka qenë e nevojshme që të emërohet dikush”, shprehet Daka.

Në anën tjetër, Selmanaj ka shtuar se problem tjetër është trajnimi i komisionarëve të partive dhe mungesa e tyre në trajnime.

Sipas tij, vetëm në Prishtinë, nga 266 komisionarë, që në ditët e para të trajnimeve, kanë munguar mbi 80 prej tyre, ndër ta edhe kryesues të vendvotimeve.

Demokracia në veprim ka kërkuar nga KQZ ta fuqizoj rolin e saj për të mbikëqyrur procesin e trajnimeve.

Ndërkaq, Enis Halimi nga sekretariati i KQZ-së i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ekipet ë këtij sekretariati janë duke e monitoruar trajnimin e anëtarëve të këshillave të vendvotimeve dhe sipas tij, masat do të merren ndaj të gjithë atyre që nuk respektojnë procedurat.

Ne, si sekretariat, me rregullore dhe udhëzime të caktuara, ua kemi bërë me dije të gjithë atyre që përfshihen në procesin e trajnimit, qofshin anëtarë të këshillave të vendvotimeve, qofshin trajner, por edhe Komisioneve komunale zgjedhore, se ata që nuk e vijojnë trajnimin dhe atë jo vetëm si prezencë fizike, nuk do të mund të shërbejnë si anëtarë të Këshillave të vendvotimit".

"Pra, ne i kushtojmë rëndësi shumë të madhe trajnimit, jo vetëm në aspektin formal të prezencës fizike, por edhe atë substancial të marrjes së njohurive të mjaftueshme, të cilat njohuri garantojnë se anëtarët e Këshillave të vendvotimeve do ta kryejnë punën e tyre, në mënyrën më të mirë të mundshme, konform përgjegjësive që ata kanë”, thotë Halimi.

Demokracia në veprim ka përmendur si problematike edhe Listën përfundimtare të votuese, e cila është certifikuar nga KQZ, e cila përmban 1 milion e 779 mijë e 357 persona, ndërkohë që nga të dhënat nga Agjencia për Statistika e Kosovës, dalin të jenë rreth 1 milion e 815 mijë persona të regjistruar.

Selmanaj thekson se nuk është treguar gatishmëri dhe vullnet i organeve kompetente për ti pastruar listat dhe të ofrohet një listë me të dhëna reale.

Por, krye-shefja e KQZ-, Valdete Daka ka theksuar se censusi apo numri i përgjithshëm i banorëve të evidencuar të Kosovës dhe lista përfundimtare e votuesve janë dy çështje të ndryshme.

“Censusi është regjistrimi i popullsisë rezidente, ata që janë në Kosovë momentalisht, pa e përfshirë diasporën. Ndërsa lista votuese është ekstrakti i gjithë atyre që janë të regjistruar në regjistrin civil. Do të thotë, nuk kanë lidhje njëra me tjetrën dhe për këtë arsye ka mospërputhje. Nuk bën të krahasohen sepse kjo po krijon huti edhe në opinion”.

Çështja tjetër e cila është shtruar si problem nga Demokracia në Veprim, sipas Selmanajt, është përfshirja në lista të votimit dhe në procesin e votimit të personave, siç i ka quajtur ai, me të meta të rënda mendore, sikurse në Entin special në Shtime.

“KQZ dhe KKZ në Shtime ka vendosur që të realizojë proces të votimit edhe në këtë qendër. Sipas vlerësimit tonë, personat që janë në këtë qendër, janë të paaftë për tu përgjigjur për veprimet e tyre".

"Prandaj, ne kemi kërkuar dhe kërkojmë edhe sot nga familjarët e këtyre personave, të cilët janë duke u trajtuar aty, por edhe nga Enti, që të kërkojnë nga gjykatat kompetente që tu hiqet zotësia e veprimit këtyre personave dhe me këtë edhe e drejta për të votuar, në mënyrë që të mos abuzohet me këtë kategori të njerëzve dhe të mos manipulohet me votat e tyre”, thekson Selmanaj.

Ndryshe, Selmanaj ka theksuar se partitë politike po vazhdojnë ti përdorin asetet publike për fushatë elektorale, siç janë veturat zyrtare.

Ndërkohë, po ashtu shqetësim, sipas tyre, mbetet përdorimi i fëmijëve në tubimet e subjekteve politike.

Selmanaj ka theksuar se janë shënuar edhe raste kur mediet janë penguar të përcjellin tubimet elektorale, një në Mitrovicë në tubimin e PDK-së, një në Gjilan në tubimin e AAK-së dhe një në Deçan në tubimin e LDK-së.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG