Ndërlidhjet

AI: Sulmet me aeroplanë pa pilotë, mund të jenë krime lufte


Në raportin më të ri të organizatës Amnesty International thuhet se disa sulme me aeroplanë pa ekuipazh të Shteteve të Bashkuara në Pakistan, mund të përbëjnë krime të luftës.

Në raportin e titulluar “A do të jem unë i ardhshmi? Sulmet me aeroplanë pa ekuipazh të SHBA-ve në Pakistan”, shfaqen dyshime se Uashingtoni ka ndërmarrë vrasje joligjore nëpërmjet sulmeve me aeroplanë pa ekuipazh në territoret fisnore veriperëndimore të Pakistanit, afër kufirit me Afganistanin.

Kërkuesi i organizatës Amensty International në Pakistan, Mustafa Qadri, tha se “sekreti që e rrethon programin e aeroplanëve pa ekuipazh i jep administratës amerikane licencë për të vrarë jashtë fushëveprimit të gjykatave ose të standardeve të së drejtës ndërkombëtare”.

Ai i ka bërë thirrje Uashingtonit që “të pastrohet lidhur me programet e aeroplanëve pa ekuipazh dhe ata që janë përgjegjës për këto shkelje të merren në përgjegjësi”.

Shtetet e Bashkuara e kanë mbrojtur përdorimin e sulmeve me aeroplanë pa ekuipazh duke i konsideruar si armë kryesore kundër terroristëve dhe grupeve kryengritëse, ndërsa presidenti amerikan, Barack Obama, në muajin maj të këtij viti, ka thënë se sulmet e këtilla ishin “efektive”, “legale” dhe “në masë të madhe të domosdoshme”.

Zëdhënësi i organizatës Amnesty International, Olof Blomqvist, thotë se në raport janë shqyrtuar 45 sulme të njohura me aeroplanë pa ekuipazh në rajonin fisnor pakistanez, Vaziristani Verior, që ishte skenë e më së shumti sulmeve me aeroplanë pa ekuipazh të Shteteve të Bashkuara në Pakistan.

Zëdhënësi Blomqvist i tha Radios Evropa e Lirë se hulumtimet e organizatës Amnesty International kanë zbuluar se viktima të shumë sulmeve me aeroplanë pa ekuipazh ishin civilët, që nuk ishin të ndërlidhura me grupe të armatosura, që vepronin në rajon, dhe si të tillë nuk kanë paraqitur kërcënim për Shtetet e Bashkuara.

Fotografia e madhe është ajo që është vështirë të paraqitet ndonjë përqindje se sa shumë civilë janë vrarë nga sulmet me aeroplanë pa ekuipazh. Por, rastet që ne i kemi përfshirë në raportin tonë, duhet të mjaftojnë për t’i rënë ziles së alarmit dhe për të shturar pyetje serioze lidhur me atë nëse Shtetet e Bashkuara e kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare nëpërmjet programit të vet me aeroplanë pa ekuipazh”, tha Olof Blomqvist.

Viktimat civile në përgjithësi në Pakistan ishin pothuajse të zakonshme në operacionet e ushtrisë së Pakistanit, që filluan në vitin 2013, për t’i pastruar talibanët dhe pjesëtarët e al-Kaidës nga Vaziristani Veriore dhe gjashtë rrethe të tjera fisnore.

Olof Blomqvist thotë se raporti i organizatës Amnesty International e paraqet një fotografi “të zezë dhe mizore” të realitetit të përditshëm në rajonet fisnore.

Ata jetojnë në rajonin ku ata nuk kanë mbrojtje të njëjtë të të drejtave të njeriut si njerëzit në pjesët e tjera të Pakistanit. Ata janë vazhdimisht të frikësuar nga pritja se aeroplanët pa ekuipazh do të paraqitet në qiellin mbi ta. Ushtria e Pakistanit në mënyrë joproporcionale i ka sulmuar me predha fshatrat në konfliktin e armatosur kundër talibanëve dhe aty ku talibanët kanë kryer sulme masive me bomba”, tha Olof Blomqvist.

Aktivistët vlerësojnë se prej vitit 2004, nga më se 300 sulme me aeroplanë pa ekuipazh, janë vrarë më tepër se 2 mijë njerëz në Pakistan, përfshirë edhe liderë të lartë të al-Kaidës. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG