Ndërlidhjet

logo-print

Premtojnë më të mirën për Prishtinën


Fitorja në garën zgjedhore për kryetarin dhe asamblenë komunale të Prishtinës, paraqitet si një nga synimet kryesore të subjekteve pjesëmarrëse në procesin elektoral të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit. Nga nëntë kandidatët e certifikuar në garën zgjedhore për kryetar të Prishtinës, në vijim do prezantojmë pesë prej tyre.

Kryetari aktual i Prishtinës, Isa Mustafa, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës i ka hyrë për të tretën herë garës zgjedhore për të parin e Prishtinës.

Me moton “Sot Komuna nesër Kosova”, Mustafa paralajmëron kthimin e LDK-së në pushtet edhe në nivelin qendror.

Sipas prezantimeve nga bashkë-partiakët e tij, Mustafa mund të jetë kandidati i LDK-së edhe për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pavarësisht nëse ndërkohë do të merr besimin që edhe për një mandat të qeverisë me Prishtinën.

Fitorja jonë është fitore e qytetarëve të Kosovës. Ne duam të dëshmojmë se Prishtina do të jetë qytet me ujë 24 orë, një qytet me dritë 24 orë, një qytet me dritë 24 orë, një qytet me trafik të mirë urban, një qytet gjelbërim, një qytet pa dallime të thella nga njëri cep në tjetrin. Një qytet me jetë dhe gjallëri”, ka premtuar Mustafa.

Partia Demokratike e Kosovës, e cila në nivelin qendror përbën shumicën qeverisëse, në Prishtinë nuk ka arritur ende të sigurojë një mandat udhëheqës.

Kësaj radhe, PDK ka konkurruar me ish-komandantin e UÇK-së dhe ish-kryeministrin, Agim Çeku.

Me moton për “Për Prishtinën evropiane”, Çeku po synon të marrë mbështetjen e qytetarëve të Prishtinës për ndryshimet që ai dhe partia e tij i konsiderojnë të domosdoshme.

Kemi vizion shumë të qartë për Prishtinën. Prishtina qytet evropian, që do të thotë Prishtina qytet me shërbime efikase, cilësore që u mundëson qytetarëve një jetë më të mirë dhe infrastrukturë moderne që i përballon sfidat e rritjes së ekonomisë dhe popullsisë me vlera të dallueshme”, është zotuar Çeku.

Me ofertën për ndryshime në Prishtinë është prezantuar edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Kandidati i këtij subjekti politik, Shpend Ahmeti po zhvillon fushatën me moton “Ndryshimin do ta bëjmë bashkërisht”.

Kandidati i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti u ka premtuar qytetarëve të Prishtinës ujë, transport publik të rregullt, çerdhe publike dhe mirëqenie sociale, sidomos për kategoritë e rrezikuara sociale.

Ne jemi zotuar për gjëra të thjeshta që tregon zotimin tonë për sektorin publik, shërbimet publike. Mendoj që është koha që ndryshimi në Prishtinë të vjen me zgjidhje konkrete për qytetarin e në këtë rast nuk ka prioritet më të madh sesa uji. Të shohim se ku është problemi. Prishtina ka ujë, sepse prodhon 300 litra për çdo banor në këtë qytet, por 55 për qind humbet në rrjet”, ka përmendur një nga premtimet e tij, Ahmeti.

“Kontrata për ndryshim”, është moto më të cilën i ka hyrë për herë të dytë garës për Prishtinën, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

Ai thotë se puna e tij dhjetë mujore ka rezultuar me një plan lagje për lagje e cila parasheh zgjidhje të problemeve me të cilat po ballafaqohen qytetarët e Prishtinës.

Tahiri e sheh këtë kontratë si një ofertë serioze për kryeqytetin dhe ndryshimet, që sipas tij, janë të nevojshme.

“Kontrata për ndryshim është një ofertë që buron prej njerëzve të Prishtinës. Ajo buron drejtpërdrejtë prej kërkesave dhe të njëjtën kohë adreson çështjet që prekin drejtpërdrejt kualitetin e jetës së njeriut në Prishtinë. Kjo kontratë e ka aspektin e parë që ndërlidhet me sektorët dhe aspektin e dytë, programin lagje për lagje”, ka thënë Tahiri.

Një nga ata që identifikohet në fushatë si njeriu i ligjit, është Korab Sejdiu i cili garon për kryetar të Prishtinës si kandidat i Aleancës Kosova e Re.

Me moton, “Sot Prishtina, nesër Prishtina, gjithmonë Prishtina”, Korab Sejdiu mendon se ndryshimet duhet të nisin nga reformat në administratë, duke kthyer rendin dhe zbatimin e ligjit e deri tek çrrënjosja e korrupsionit dhe dukurive tjera negative.

Ndryshimet në qytetin tonë janë të mundshme vetëm nëse ka një reformë të thellë në komunën e Prishtinës. Kjo mund të bëhet vetëm nëse fillimisht i rikthehet komunës së Prishtinës sundimi i ligjit. Njëkohësisht si njeri i ligjit, premtoj që do të jem përgjegjës për çrrënjosjen e korrupsionit brenda komunës së Prishtinës”, ka folur për zotimet e tij, Sejdiu.

Për zgjedhjen e kryetarit të Prishtinës dhe këshilltarët e asamblesë komunale, të drejtë vote kanë mbi 172 mijë qytetarë.

Kryetari, zgjidhet me mbi 50 për qind të votave nga totali i pjesëmarrësve në votim.

E nëse kjo përqindje nuk sigurohet në raundin e parë më 3 nëntor, atëherë dy kandidatët me më së shumti vota i nënshtrohen edhe garës së balotazhit që pritet të zhvillohet më 1 dhjetor.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG