Ndërlidhjet

Përparim historik në zvogëlimin e vdekshmërisë së fëmijëve

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Sipas një raporti të ri të Fondacionit “Save the Children”, me seli në Londër, bota ka bërë “përparim të paparë” në zvogëlimin e vdekshmërisë së fëmijëve gjatë brezit të fundit.

Megjithatë, shtetet kanë ende punë për të përmbushur Objektivat e Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, të cilat parashohin reduktimin e vdekshmërisë së fëmijëve për dy të tretat deri në vitin 2015.

“Kemi parë përgjysmim të vdekshmërisë së fëmijëve në një brez. Ky është përparim historik. Tani mund të flasim për fundin e vdekjeve të parandalueshme të fëmijëve në brezin e ardhshëm. Mendoj se njerëzit janë duke u vetëdijesuar rreth kësaj çështjeje; janë duke e parë se kjo është diçka që mund të ndryshojë brenda jetës së tyre”, ka thënë drejtori operativ i Fondacionit “Save the Children”, Ben Hewitt.

Raporti, i publikuar të mërkurën, ka analizuar 75 vende dhe ka konstatuar se numri i fëmijëve që vdesin nën moshën 5 vjeç, nga shkaqe të parandalueshme, ka rënë nga 12 milionë sa ka qenë në vitin 1990, në 6.6 milionë vitin e kaluar.

Hewitt ka thënë se qëllimi i këtij raporti është të krahasohen vendet dhe rajonet brenda tyre, për të parë nëse përparimi është i qëndrueshëm.

“Është shumë interesante. Kemi përparim shumë të shpejtë në reduktimin e vdekshmërisë së fëmijëve në vendet si Bangladeshi, i cili ka rritje të ulët ekonomike”, ka thënë Hewitt.

Raporti ka konstatuar se Nigeri ka bërë përparimin më të madh, duke reduktuar vdekjet e parandalueshme të fëmijëve për më shumë se gjysmën që nga viti 1990, me gjithë thatësirat dhe mungesën kronike të burimeve.

"Vendet që janë lart në indeks janë vendet si Nigeri, ku është reduktuar mortaliteti. Ato janë duke ofruar shërbime falas për gratë shtatzëna dhe fëmijët”, ka thënë Hewitt.

Në mesin e dhjetë vendeve që kanë bërë hapa të mëdhenj në luftimin e vdekjes së fëmijëve janë: Liberia, Ruanda, Indonezia, Madagaskari, Kina, Egjipti, Tanzania dhe Mozambiku.

Ndërkaq, më problematike në këtë drejtim kanë qenë Haiti dhe Papa Nju Guinea.

“Save the Children” u ka bërë thirrje qeverive që të zbatojnë “planet kombëtare të kujdesit shëndetësor, duke përfshirë çdo fëmijë, me synimin për të arritur mbulim të plotë deri më 2030”. Fondacioni po ashtu ka bërë thirrje për reduktimin e kequshqyerjes së fëmijëve. (v.tela)
XS
SM
MD
LG