Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës, kohëve të fundit nuk ka mundur t’i zhvillojë normalisht seancat e parapara, pasi që shumë deputetë mungonin për shkak të fushatës për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Për këtë arsye, Kryesia e Kuvendit ka vendosur që të ndërpritet puna e Kuvendi deri me datën 7 nëntor, kur edhe është paralajmëruar seanca e radhës.

Mirëpo, vendimi i fundit i Kryesisë së Kuvendit nga analistët politikë dhe organizata Demokracia në Veprim, që monitoron punën e Kuvendit, shihet si një precedent i panjohur për praktikat parlamentare në rajon dhe më gjerë.

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës, konsideron se veprimet e tilla të Kuvendit janë të papranueshme dhe mund të sjellin dëme të mëdha në të ardhmen.

“Tendenca për ta vënë jashtë funksionit Kuvendin e Kosovës e kanë arritur qëllimin, pra Kuvendi i Kosovës sot është jofunksional dhe mendoj se kemi një krizë parlamentare, sepse është lënë anash miratimi i ligjeve, është lënë anash plotësimi i agjencive shumë të rëndësishme të pavarura. Mendoj, se kjo qasje e subjekteve politike, me theks të veçantë të subjekteve politike shumicë, tregon se sa të parëndësishme janë institucionet shtetërore karshi interesave individuale dhe grupore”, thotë Selmanaj.

Kurse, analisti Shpend Kursani vlerëson se fushata zgjedhore dhe vetë zgjedhjet lokale nuk është dashur të ndikojnë në punën e Kuvendit.

“Kuvendi mendoj se nuk ka nevojë të pushojë, sepse është pushtet i ndarë nga pushtetet e tjera dhe funksionet e Kuvendit duhet të vazhdojnë, pa marrë parasysh se a kemi fushatë zgjedhore”, konsideron Kursani.

Ndërprerja e punës së Kuvendit të Kosovës, Qeverisë dhe institucioneve të tjera për shkak të zgjedhjeve, thotë Selmanaj, tregon papjekurinë e vetë institucioneve.

“Kjo qasje e Kuvendit, por jo vetëm e Kuvendit, po madje edhe e Qeverisë, sepse tani gati kemi edhe një pauzë të Qeverisë, sepse tërë strukturat qeverisëse në Kosovës dhe institucionale tashmë janë përqendruar në nivel lokal, tregon për papjekurinë institucionale të Kosovës, për të vazhduar me proceset normale, parlamentare dhe qeverisëse, pa u prekur nga një proces elektoral, i cili tek e fundit është i karakterit lokal dhe jo nacional”, vlerëson Selmanaj.

Zyrtarët e institucioneve, si nga Kuvendi, ashtu edhe nga Qeveria, jo që nuk angazhohen në detyrat e tyre në institucionet ku punojnë, por shfrytëzojnë për çështje private edhe elektorale veturat zyrtare, thotë analisti Kursani.

“Keqpërdorimi i resurseve shtetërore nuk bëhet vetëm në fushata zgjedhore, kjo bëhet edhe për festa të ndryshme dhe, natyrisht, kjo nuk do të duhej të ndodhte. Sa i takon pagave që i marrin, edhe si deputetë, edhe si ministra, ku i suspendojnë punët e tyre, për të cilat paguhen dhe angazhohen në fushatë, kjo është thjesht një papërgjegjësi e madhe dhe nuk ka ndonjë kontroll mbi këta njerëz”, thekson Kursani.

Dy-tri seancat e fundit të Kuvendit, kanë dështuar për mungesë të kuorumit. Këto seanca, ku kryesisht është trajtuar çështja e privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës, kanë vërtetuar se as pozita, dhe as opozita, aktualisht nuk kanë shumicën, kurse një numër deputetësh mban qëndrime neutrale.
XS
SM
MD
LG