Ndërlidhjet

Shkup: Policia ndalon protestën e gazetarëve


Policia pengon protestën e gazetarëve në Shkup
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:11 0:00

Policia pengon protestën e gazetarëve në Shkup

Qindra gazetarë dhe qytetarë, të mërkurën kishin dalë të protestojnë veshur në të zeza, në shenjë revolte ndaj dënimit të shqiptuar gazetarit të së përditshmes “Nova Makedonija” Tomisllav Kezharovski.

Protestuesit, që ishin vënë në mbrojtje të lirisë së të shprehurit, janë përballur me policinë në momentin që gazetarët tentuan të shpërthejnë kordonin për t`u afruar para muzeut të VMRO DPMNE-së.

Njësitet e policisë përforcuan radhët me forca shtesë, për t’i penguar gazetarët kur ata tentuan t`i afrohen ndërtesës ku të mërkurën mbahen ceremoni të shumta për nder të ditëlindjes së kësaj VMRO DPMNE-së, partie kjo e cila udhëhiqet nga kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski

Gazetarët kanë brohoritur parulla si: “Liri për Kezhon”, “Shtet policor” “Nuk mund ta heshtni të vërtetën” etj.

“Kjo që ndodhi sot është edhe një demonstrim shtesë i forcës dhe asaj se Maqedonia është shtet policor. Me këtë ata dëshirojnë të frikësojnë edhe gazetarët, por edhe opinionin e gjerë dhe qytetarët e thjeshtë. Unë kam një porosi për gjykatësit, të cilët dje sugjeruan se gazetarët duhet të edukohen - unë do të theksoja se nëse do të kishim gjykatës të edukuar dhe jo argat politikë, sot gjysma e këtyre, që janë në pushtet, do të ishin në burg, dhe jo siç ndodh në realitet për fat të keq, pësojnë gazetarët dhe njerëzit e pafajshëm”, është shprehur kryeredaktori i televizionit “Alsat-M”, Muhamet Zeqiri.

Ndërkaq, publicisti Sasho Ordanovski ka thënë se regjimi me demonstrimin e dhunës ndaj gazetarëve, ka dëshmuar se Maqedonia është shtet policor.

“Sot të gjithë jemi dëshmitarë se pushteti policor nxori njësitet policore për ta mbrojtur pushtetin nga liria e të shprehurit”, ka theksuar Ordanovski.

Kurse, bashkëshortja e gazetarit Tomisllav Kezharovski, Marina Kezharovski, ka treguar se i shoqi gjendet në gjendje të rëndë shëndetësore në burgun e Shutkës.

“Pasi iu shqiptua dënimi prej katër vjet e gjysmë, Kezho i revoltuar tha sikur edhe vrasës të isha, atëherë do të kisha marrë dënim më të vogël, unë vetëm thashë të vërtetën”, ka përcjellë fjalët e Tomisllavit, e shoqja Marina Kezharovska.

Protesta ka përfunduar me ndezjen e qirinjve për demokraci nga ana e gazetarëve, para këmbëve të policëve, si shenjë e shuarjes së fjalës së lirë.

Ndërkohë, organizata të ndryshme që mbrojnë dhe përcjellin lirinë e mediave në Evropë dhe botë, kanë reaguar kundër dënimit të gazetarit Tomisllav Kezharovski.

Ndryshe, gazetari Tomisllav Kezharovski të hënën është dënuar me 4.6 vjet burg nën akuzën se ka zbuluar identitetin e dëshmitarit të fshehur në rastin “Oreshe”, edhe pse, sipas Kezharovskit, në kohën kur ai ka publikuar artikullin kontestues, nuk ka pasur statusin e dëshmitarit të fshehur.
XS
SM
MD
LG