Ndërlidhjet

Fushatë dhe kundër-fushatë, “e ndyrë” dhe me bomba


Veri...
Veri...
Veriu i Kosovës vazhdon të jetë arenë e përplasjeve ndërmjet atyre që po bëjnë fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit dhe atyre që po e bëjnë fushatën kundër mbajtjes së këtyre zgjedhjeve.

Liderët serbë të veriut që konkurrojnë në zgjedhje, por edhe ata që insistojnë kundër zgjedhjeve, i vlerësojnë të çuditshme dhe të ndyra si fushatën po ashtu edhe kundër fushatën.

Oliver Ivanoviq, nga iniciativa qytetare “Serbia, Demokraci, Drejtësi”, duke folur për Radion Evropa e Lirë e ka vlerësuar se kushtet e krijuara në veri më tepër imponojnë një formë të betejës me përfaqësuesit e të ashtuquajturit Kuvendi i përkohshëm i Kahinës Autonome të Kosovës, të cilët janë kundër zgjedhjeve, se sa prezantimin e programeve,me të cilat konkurrojnë kandidatët dhe subjektet politike në zgjedhjet e 3 nëntorit.

“Është fushatë e çuditshme. Këtu, më shumë energji dhe fushatë harxhohet për anulimin e fushatës së atyre që janë kundër zgjedhjeve dhe manipulimeve të tyre, se sa që harxhojmë energji për prezantimin e ideve dhe argumenteve se pse lista jonë është më e mirë se sa një tjetër”.

“Prandaj, në kushte të tilla, me një ndjenjë të tillë të pasigurisë së plotë, me një pasiguri se kur do të plasë bomba tjetër, thjeshtë, nuk është as normale të pritet se mund të zhvillohet një fushatë normale”, ka theksuar Ivanoviq.

Ai ka shtuar se kundërshtarët e mbajtjes së zgjedhjeve janë mjaft aktiv.

Sipas tij, brengosës është fakti se i ashtuquajturi Kuvend i përkohshëm ka mjete të shumta financiare, për faktin se, siç tha ai, fushata kundër zgjedhjeve është e kushtueshme dhe ajo nuk mund të bëhet në baza vullnetare.

Por, lideri i serbëve të veriut Marko Jakshiq i cili kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, thotë për Radios Evropa e Lirë se fushata kundër zgjedhjeve po bëhet në kushte jo të barabarta, ndërkohë që aktivitetet e të ashtuquajturit Kuvend i përkohshëm janë bojkotuar pothuajse tërësisht nga mediat.

“Nuk mund të jemi të pranishëm në asnjë medie. Askush nuk na jep hapësirë, as mediet lokale e as mediet që vijnë nga jashtë, përveç faqeve të internetit që janë në favor tonin, por që kanë qarkullim apo shikueshmëri të vogël. Mendoj se ekziston një errësirë totale mediale”.

“Në anën tjetër, kur kemi të bëjmë me shfrytëzimin e hapësirave, ku do të mund t’i sqarohej popullit qëllimi dhe domethënia e bojkotit, mund të them se nuk kemi qasje fare, askund”, tha Jakshiq, duke shtuar se një tubimi të tillë, së fundmi, i ishin mbyllur dyert edhe në Shtëpinë e Kulturës në Leposaviq.

Në anën tjetër, Ivanoviq shpjegon se mbështetja e qeverisë serbe për Iniciativën qytetare serbe, kundrejt subjekteve tjera politike, për më tepër e bën situatën e komplikuar edhe në taborin e atyre që janë për zgjedhjet.

Kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të biseduar për këtë çështje, Kandidati për kryetar komune për Mitrovicën e veriut nga kjo liste, Kërstimir Pantiq, nuk i është përgjigjur.

Ndërkaq, fërkimet që kanë pjesëmarrësit në zgjedhje dhe ata që janë kundër zgjedhjeve, Ivanoviq i shpjegon kështu:

“Nuk ka kontakte direkte, përveç se të shikuarit shtrembër me njëri tjetrin. Më pas bëhet shqyerja e pllakateve, të cilët ne i vendosim ose vendosja nga ata e pllakateve me përmbajtje ofenduese ndaj secilit kandidat veç e veç, e sidomos atyre të listës sonë. Por, nuk ka shumë presione mbi të ashtuquajturën ‘Listën shtetërore’ apo ‘Listën e Vulinit’ aq sa ka mbi ne”, theksoi Ivanoviq.

Ndryshe, Jakshiq vlerëson se përfaqësuesit e Shtabit për bojkotimin e zgjedhjeve kanë bërë thirrje publike që askush të mos ushtrojë asnjë lloj të dhunës ndaj atyre që kanë mendim të ndryshëm politik.

Megjithatë, sipas tij, fushata për zgjedhjet në veri po bëhet në forma, siç i ka quajtur ai, mjaft të ndyra.

“Ne në shumë raste kemi thënë dhe kemi shpjeguar se fushata zgjedhore është jashtëzakonisht e ndyrë. Fatkeqësisht, ajo përshkruhet me hedhje të bombave. Qeveria aktuale nga Beogradi, nga zyra, po tenton që të na akuzoj neve, por ne nuk kemi asnjë lidhshmëri me këtë”.

“Ne këtë e kemi argumentuar dhe dokumentuar. Madje edhe ata që kanë pësuar dhe janë lënduar, e kanë akuzuar Zyrën për Kosovë dhe Metohi, se ajo qëndron prapa sulmeve me bomba dhe se kurrsesi këto nuk i kanë bërë ata që janë për bojkotimin e zgjedhjeve”, shpjegoi Jakshiq.

Ndryshe, ata që tashmë po i zhvillojnë fushatat e tyre për zgjedhje, por edhe ata që po bëjnë fushatën kundër këtyre zgjedhjeve, vlerësojnë se pas 3 nëntorit, gjithçka do të vijë, siç thonë ata, ne vendin e vet.

Por, të dyja palët kanë pikëpamje të kundërt se si do të duket kjo.

Të parët mendojnë se qytetarët serb në veri, përmes zgjedhjeve do ti zgjedhin përfaqësuesit e tyre komunal, legjitim dhe legal. Ndërkaq, të dytët, vlerësojnë se megjithatë, qytetarët në veri do t’i bojkotojnë zgjedhjet.
XS
SM
MD
LG