Ndërlidhjet

Kush financon partitë - fiton tender


Ilustrim
Ilustrim
Zhvillimi i aktiviteteve të disa ndërmarrjeve private kushtëzohet nga vendosja e raporteve me partitë politike nëpër komuna, por edhe me zyrtarë të institucioneve të larta kosovare, thonë përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, për Radion Evropa e Lirë thotë se politika dhe biznesi janë dy subjekte të lidhura në mënyrë direkte dhe indirekte, që mbështesin njëra-tjetrën për interesa të veta, qoftë politike apo biznesore.

“Kjo është një traditë, jo e filluar sot, por një traditë që vazhdon dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen, jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha vendet e botës. Prandaj, është interesi ai që lidh, por ajo që dëmton është se në këto raste bëhen favorizime në njërën anë, apo në anën tjetër”, thotë Shahini.

Edhe përfaqësues të shoqërisë civile në vend, kritikojnë klasën politike për ngufatjen e ekonomisë nga politika.

Agron Demi, udhëheqës i Institutit për Studime të Avancuara, GAP, në prononcimin dhënë Radios Evropa e Lirë, thotë se është bërë traditë në Kosovë që kompanitë që financojnë fushatat e partive të caktuara, të shpërblehen me tenderë pas marrjes së pushtetit.

“Për një vit, rreth 500 milionë euro para publike kontraktohen përmes procedurave të prokurimit publik për kompanitë private dhe kjo e ka rritur ndikimin politik te kompanitë për shkak se përzgjidhen ato kompani që janë të afërta me politikën, sidomos me partinë në pushtet”.

“Edhe në kaluarën është raportuar se ato biznese që kanë financuar drejtpërdrejtë fushatën elektorale të një partie të caktuar, janë shpërblyer me shuma milionëshe me rastin e fitimit të pushtetit”, shprehet Demi.

Si problem tjetër në këtë fushë, Agron Demi, përmend përdorimin e standardeve të dyfishta gjatë inspektimit dhe tatimit të bizneseve, veçanërisht në komunat më të vogla të Kosovës.

“Për shembull, në komunat më të vogla, ku bizneset njihen me komunën, politikanët vendosin se cili biznes do të inspektohet dhe dënohet. Dhe, kjo lë hapësirë për keqpërdorime, për shkak se ato biznese, të cilat nuk mbështesin financiarisht partinë, ato inspektohen më shpesh apo edhe dënohen për shkak të mospërmbushjes së procedurave”, thekson Demi.

Ai shton se kjo ka ndikuar që shumica e bizneseve të gjejnë lidhje me partitë politike, konkretisht me partitë që udhëheqin komunat.

Por, Agim Shahini, thotë se pasojat e ndërhyrjes se politikës në biznes janë të dyanshme, pasi dëmtohen kompanitë tjera private, por edhe partitë që nuk arrijnë të kontrollojnë biznese të caktuara.

“Gjithë këto lehtësi që mund t’i jepen njëra-tjetrës, qoftë biznesi që politikës i siguron financa dhe vota, ajo mund të dëmtojë partinë tjetër, e cila nuk e ka këtë mbështetje nga biznesi. Por, edhe politika kur i jep biznesit privilegje, e dëmton konkurrencën, e cila në një farë forme krijon monopol për shkak të privilegjeve që iu ofrohen”, vlerëson Shahini.

Ndryshe, edhe gjatë fushatës zgjedhore që po mbahet për zgjedhjet komunale të 3 nëntorit, kandidatë për kryetar të komunave, jo rrallë herë po akuzojnë njëri-tjetrin që kanë lidhje dhe favorizojnë kompani të caktuara në komunat e tyre.
XS
SM
MD
LG