Ndërlidhjet

Kërkohen rregulla të reja spiunazhi


Franca dhe Gjermania i kanë bërë thirrje Uashingtonit që të bie dakord për rregulla të reja të spiunazhit, pas zbulimeve se Shtetet e Bashkuara kanë përgjuar telefonin mobil të kancelares gjermane, Angela Merkel.

Presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy, ka thënë se udhëheqësit e Gjermanisë dhe të Francës duan të negociojnë një “mirëkuptim” me Uashingtonin, mbi punën e shërbimeve të inteligjencës.

“Krerët e shteteve dhe të qeverive kanë marrë parasysh planet e Francës dhe të Gjermanisë për të kërkuar bisedime dypalëshe me Shtetet e Bashkuara, me qëllim të gjetjes së një mirëkuptimi në këtë fushë, para fundit të vitit”, ka thënë Rompuy.

Në një deklaratë të veçantë, udhëheqësit e Bashkimit Evropian “kanë nënvizuar marrëdhëniet e ngushta ndërmjet Evropës dhe Shteteve të Bashkuara dhe vlerën e këtij partneriteti”.

Deklarata thekson se “mbledhja e informacioneve sekrete është një element jetik në luftën kundër terrorizmit” dhe se mosbesimi i ndërsjellë “mund të paragjykojë” bashkëpunimin kundër terrorizmit.

Duke folur para gazetarëve, Merkel ka thënë se Franca dhe Gjermania duan të krijojnë një “kornizë” me Shtetet e Bashkuara, në lidhje me mbikëqyrjen.

Mendoj se gjëja më e rëndësishme është të gjendet një bazë për të ardhmen, në të cilën mund të operojmë. Besimi duhet të rivendoset. Besimi është tronditur rëndë dhe të gjitha anëtaret e Bashkimit Evropian kanë shprehur këto shqetësime. Por, të gjithë ne e dimë se kemi detyra shumë të rëndësishme në botë, që mund t’i zotërojmë vetëm së bashku”, ka thënë Merkel.

Me gjithë zemërimin ndaj SHBA-së, Merkel ka hedhur poshtë sugjerimet që të pezullojë bisedimet tregtare me Uashingtonin, raporton BBC.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, ka thënë se për shumë evropianë, përgjimet e telefonatave apo të e-maileve janë të papranueshme, sepse ato ngrenë spektrin e regjimeve totalitare.

“Natyrisht se zbulimet e ditëve dhe muajve të fundit kanë tronditur privatësinë personale dhe sigurinë e të dhënave. Kjo është një çështje shumë serioze, sepse për ne evropianët këto janë vlera themelore. Kjo është pikërisht arsyeja që na bën të këmbëngulim në miratimin e një legjislacioni të propozuar për mbrojtjen e të dhënave”, ka thënë Barroso.

E përditshmja britanike “Guardian” ka raportuar sot Shtetet e Bashkuara kanë përgjuar thirrjet telefonike të 35 udhëheqësve botërorë.

Raporti nuk përmend emrat e udhëheqësve që janë përgjuar nga Agjencia për Siguri Kombëtare e Shteteve të Bashkuara.

Ai thotë se zyrtarët amerikanë i kanë dhënë kësaj agjencie mbi 200 numra telefoni për 35 udhëheqës, të cilët janë siguruar nga Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Mbrojtjes dhe Departamenti i Shtetit. (v.tela)
XS
SM
MD
LG