Ndërlidhjet

Synime për kthesë pozitive në Gjakovë


Anketa në Gjakovë
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:15 0:00

Anketa në Gjakovë

Angazhimi për mirëqeverisje është prioritet i të gjithë kandidatëve të cilët garojnë për kryetarë të komunës së Gjakovës.

Zhvillim infrastrukturor, ekonomik dhe social, si dhe krijimi i parakushteve për gjenerimin e vendeve të punës, janë premtime të ngjashme ose të përafërta e të gjithë kandidatëve, me të cilat ata përpiqen që në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, t’i fitojnë votat e qytetarëve në këtë qytet në jugperëndim të Kosovës.

Kryetari aktual i komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili e ka udhëhequr komunën gjatë 2 mandateve, sërish synon postin e të parit të komunës.

Ai shpreh bindjen se rezultatet e qeverisjes së tij të deritashme, janë të prekshme për qytetarët e Gjakovës, sidomos në zhvillimin e infrastrukturës, për të cilën ai thotë se ka bërë revolucion.

“Nëse kam bërë revolucion me infrastrukturë dhe ndryshimin pozitiv të Gjakovës, tani, prej vitit 2014, do të bëj revolucion në zhvillimin ekonomik lokal. Unë kam menduar që përparësi t’i jap ekonomisë familjare, ekonomisë së vogël dhe ekonomisë së mesme. Kam menduar që gjithë kjo mbështetje, për katër vjet, të kushtoj diku 18 milion (euro), që do të jetë siguri bankare për këto biznese, me projektet atraktive që i sjellin dhe që i gjenerojnë vendet e reja të punës”, ka theksuar Lekaj.

Ai ka shtuar se në total, do të hapen deri në 7 mijë vende të reja të punës.

Lekaj ka theksuar se tashmë ka mjaft kontakte me investitorë të huaj dhe të brendshëm, të gatshëm për të investuar në komunën e Gjakovës.

Në garë për të parën e komunës në Gjakovë ka hyrë edhe kandidatja nga Aleanca Kosova e Re, Mimoza Kusari Lila, e cila deri tre javë më parë ka qenë ministre e Tregtisë dhe Industrisë si dhe zëvendëskryeministre e vendit.

Ajo vlerëson se përvoja e saj, siç thotë, në përmirësimin e politikave për biznes dhe në përgjithësi, e bëjnë atë njeriun e duhur për të bërë kthesën pozitive në zhvillimin e Gjakovës..

Besoj se jam kandidatja e duhur, në kohën e duhur, të mos them në kohën e fundit për komunën e Gjakovës, që të bëj kthesën, e cila është tepër e nevojshme, që të fillohet me fokus në zhvillim të mirëfilltë ekonomik, në zhvillim të mirëfilltë të infrastrukturës, për shkak se edhe ajo çka është bërë deri më tash në infrastrukturë, janë investime gjysmake, shpeshherë të politizuara. Infrastruktura është bazë për cilindo zhvillim ekonomik. Mbi të gjitha, kthimin e jetës kulturore dhe shoqërore dhe natyrisht edhe fokusin tek sportet”, ka premtuar Kusari Lila.

Ajo shtoi se në Gjakovë, një plan dhe qeverisje e mirëfilltë vlerësohen dhe tregojnë rezultat.

Ajo tha se nëse merr besimin e qytetarëve për kryetarë të komunës së Gjakovës, që në javët para të mandatit do ta organizoj konferencën e parë për donatorë për këtë komunë, ku do të kërkohet nga ta plotësimi i fondeve që do t’i ndajë komuna.

Partia Demokratike e Kosovës, e cila mbanë pushtetin qendror në vend, do të garojë për kryetar të Gjakovës me kandidatin Hajdar Beqaj.

Ai konsideron se është momenti që Gjakova të udhëhiqet nga një politikë me vizion për të ardhmen. Beqaj thotë se nëse e fiton mandatin për kryetar të komunës, ditën e parë të punës do ta filloj me mirëqeverisje dhe se tashmë ka projekte të veçanta për komunën.

“Platforma e Partisë Demokratike për udhëheqjen e 4 vjeçarit të ardhshëm të komunës së Gjakovës është më e mira, sepse është hartuar nga vullneti i qytetarëve dhe nga ekspertë. Të gjitha projektet kanë studim paraprak të fizibilitetit dhe është më e mundshmja për tu realizuar. Platforma jonë është që të krijojmë një ambient më të mirë për investitorë të jashtëm, për investitor të brendshëm dhe si rezultat i kësaj, ne e kemi që të gjitha bizneset e reja që hapen në komunën tonë, t’i lirojmë nga taksat komunale për tri vitet e para”, është shprehur Beqaj.

Ai gjithashtu ka premtuar reforma në administratë, me synimin që ato të jenë më të përgatitura profesionalisht, pastaj decentralizim të shërbimeve që ato të jenë sa më afër qytetarëve.

Ai ka premtuar se do t’i përkrahë ekonomitë e vogla dhe të mesme, do ta depolitizoj arsimin, si dhe të rregulloj infrastrukturën për ujërat e zeza në të gjitha fshatrat e Gjakovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës i është qasur garës për kreun e komunës së Gjakovës me kandidatin e saj, Luan Gola.

Ai thekson se nga kjo komunë , në vit largohen rreth 1 mijë e 200 të rinj. Krijimi i kushteve të mira ekonomike dhe sociale në Gjakovë, të cilat e parandalojnë migrimin e të rinjve gjakovarë nga kjo komunë, është qëllimi dhe plani, të cilin Gola premton se do ta realizoj nëse vjen në krye të komunës.

“Ne premtojmë rregullimin e disa gjërave që janë emergjente. Në rend të parë, nga dita e parë, do të kujdesem që të regjistrohet prona komunale. Hapi i dytë, mirëqeverisja dhe transparenca në mjetet financiare. Objektivat tonë strategjik janë të ndarë në 8 fusha: zhvillim ekonomik, në bujqësi, shëndetësi, arsim, infrastrukturë dhe urbanizëm, projekte të veçanta për bashkëpunimin ndërkufitarë me pjesën veriore të Shqipërisë, si dhe në veçanti objektivi i jonë, afrimi me diasporën gjakovare që jeton në Zvicër dhe Gjermani”, theksoi Gola.

Ai ka shtuar se do të kujdeset që në 43 nga 85 fshatra të komunës së Gjakovës ku mungon uji i pijes, ai të sigurohet.

Ndërkaq, sipas tij, do të angazhohet edhe në luftë kundër krimit të organizuar dhe fajdeve, që sipas tij nuk kanë qenë kod për komunën e Gjakovës.

Të gjithë kandidatët për kryetar të komunës së Gjakovës kanë theksuar se do të angazhohen që kësaj komune t’ia kthejnë namin e dikurshëm, kur kjo komunë llogaritej si një ndër më të zhvilluarat në Kosovë, si në aspektin ekonomik por dhe atë kulturor.

Për zgjedhjet komunale të 3 nëntorit, në komunën e Gjakovës të drejtën e votës e gëzojnë 107 mijë e 400 persona.
XS
SM
MD
LG