Ndërlidhjet

Qeveria e Kosovës shprehet e kënaqur me përparimet e bëra në agjendën e integrimeve evropiane.

Përderisa të hënën, më 28 tetor, Kosova dhe Bashkimi Evropian pritet të nisin edhe zyrtarisht negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, Kuvendi i Kosovës ndodhet në një pushim për fushatën zgjedhore. Pauza e Kuvendit, besohet se po reflekton ndjeshëm edhe në punën e ekzekutivit.

Megjithatë, ky fakt, për kreun e qeverisë, Hashim Thaçi nuk është përmendur fare.

Gjatë takimit të Komitetit Drejtues për Liberalizimin e Vizave dhe Ekipit Negociator për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, ai ka vlerësuar se Kosova ndodhet në rrugë të mbarë në kuadër të proceseve integruese si dhe ka folur për përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave.

Thaçi ka folur sidomos për angazhimet që bien në fushën e sundimit të ligjit.

Zbatimi i strategjive në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, trafikimit me qenie njerëzore është parakusht për liberalizim të vizave siç është edhe bashkëpunimi ndërinstitucional në mes të institucioneve për zbatimin e ligjeve. Për të gjitha këto na nevojitet përkushtim, angazhim dhe veprim i pa kompromis ndaj të gjitha dukurive negative”, është shprehur Thaçi.

Ndryshe nga kreu i qeverisë vlerësojnë njohës të çështjeve integruese në Bashkimin Evropian.

Analisti i kësaj fushe, Emrush Ujkani thotë se Kuvendi është organi kryesor për miratimin e ligjeve dhe se pauza e këtij institucioni reflekton edhe në dinamikën e angazhimeve të Kosovës në proceset integruese.

Ai vlerëson se procesi i integrimit të Kosovës në BE dhe liberalizimi i vizave janë procese shumë më të rëndësishme sesa një fushatë për zgjedhjet lokale.

“Pas dy javë të hapjes së fushatës të dëgjosh që Kuvendi do ta pezullojw aktivitetin e vetw për një periudhë deri në përmbylljen e procesit elektoral, kjo tregon jo seriozitet dhe jo përkushtim ndaj kësaj agjende. Përndryshe Bashkimi Evropian do të monitorojw këtë dhe do të ketë parasysh këtë se Kosova me të vërtetë ende nuk është e gatshme të futet në proceset evropiane, përkatësisht nuk po mund të dalw nga ajo që deri më tash kemi dëgjuar nga aspektet deklarative”, thotë Ujkani.

Një vlerësim mjaftë kritik në raport me institucionet e Kosovës dhe angazhimeve të tyre në procesin integrues dhe liberalizimit të vizave shpreh edhe Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Ai thotë se pauza e institucioneve për fushatën parqet një papërgjegjësi dhe joseriozitet.

“Pushimi që kanë shpallur kuvendi dhe në përgjithësi institucionet qendrore, përbën një papërgjegjësi të plotë të partive në pushtet që të adresoj kriteret themelore që Kosova duhet të përmbushë në kontekst të integrimit evropian, por edhe të procesit të liberalizimit të vizave gjë e cila po pengon seriozisht vendin që të adresoj këto kritere me shpejtësi dhe në mënyrën se si i është premtuar Komisionit Evropian”, thekson Korenica.

Sidoqoftë, të hënën pritet që të fillon negocimi zyrtarë për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe për këtë qëllim pritet që në Prishtinë të arrijë edhe Komisionari i BE-së për Zgjerim Stefan Fule.

Kryeministri Thaçi e ka vlerësuar nisjen e MSA-së si një moment që tregon se tanimë Kosova është futur në rrugën e sigurt drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG