Ndërlidhjet

Kajtazi: Pushteti injoroi pensionistët


Shaban Kajtazi
Shaban Kajtazi
“Kosova, në aspektin e pensioneve, është bërë eksperiment në Evropë. Asnjë shtet në Ballkan apo në Evropë nuk e ka ndërprerë parimin që të rinjtë të paguajnë për të vjetrit”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi. Ai tregon edhe për gjendjen e vështirë ekonomike dhe sociale të pensionistëve në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kajtazi, na tregoni fillimisht cilat janë problemet dhe hallet e pensionistëve në Kosovë?

SHABAN KAJTAZI
Qe 14 vjet tema e pensionistëve është duke u shqyrtuar, por edhe nuk ka gjetur zgjidhje të merituar. Këtu janë disa kategori të pensionistëve, janë pensionistët kontribut-pagues të sistemit të kaluar diku rreth 60 mijë, ngase kanë qenë 89 mijë, por një pjesë janë serbë e malazezë që i realizojnë pensionet në Beograd.

Ndërsa pjesa tjetër, ajo e shqiptarëve, kanë ngelur pa realizimin e së drejtës së tyre në pension që e kishin dhe e realizonin deri në luftë. Kështu që këto organe, as UNMIK-u , Serbia i ndërpreu pensionet, por as Qeveria e Kosovës nuk ia doli deri më tash ta zgjidhë në mënyrë të mirëfilltë çështjen e pensioneve.

Ne i marrim 112 euro pension, por ne nuk e konsiderojmë pension, ngase ajo shumë është për të gjithë e barabartë, pleqtë i marrin nga 60 euro ndihmë sociale. Ne jemi në shumë adresa të drejtuar për çështjen e zgjidhjes së pensioneve, së pari kërkojmë që të zgjidhet ligji i mirëfilltë mbi sigurimin pensional invalidor.

Gjithashtu, është fronti tjetër që kërkojmë nga Serbia që ta kthejë fondin dhe t’u paguajë pensionet që iu ka borxh pensionistëve të asaj kategorie, të asaj moshe deri më tani.

Si dhe fronti i tretë, ne u jemi drejtuar të gjitha organeve ndërkombëtare, përfshirë edhe Gjykatën Ndërkombëtare në Strasburg, ngase pensionistëve kontribut-pagues në Republikën e Kosovës po iu shkelën të drejtat elementare, të drejtat themelore, e drejta për ekzistencë, për të cilën 40 vjet rresht ka punuar dhe ka ndarë kontributet nga të ardhurat, nga paga personale për ditët e pleqërisë.

Ndërsa, sot, pensionistët kontribut-pagues në Kosovë janë në hall, janë në gjendje shumë të vështirë, ka edhe të tillë që ushqehen edhe prej shportave të mbeturinave, ka njerëz që nuk kanë t’i blejnë barnat për sëmundjet kronike të tyre, të kësaj moshe, kështu që kjo kategori është në gjendje mjaft të vështirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pensionistët në Kosovë vazhdimisht kanë protestuar, duke kërkuar të drejtat e tyre. Sa janë marrë parasysh nga institucionet e Kosovës?

SHABAN KAJTAZI
Të them të drejtën, protestat tash ata po i konsiderojnë si begatim të demokracisë, e nuk po i merr askush parasysh hallet e tyre (protestuesve pensionistë). Ne dalim në protesta, por askush nuk na e vë veshin. Madje, nganjëherë ngjan që nuk del përfaqësuesi qoftë i Kuvendit, qoftë i Qeverisë që të pranojë një grup dhe t’i dëgjojë hallet e tyre.

Kështu që ne konsiderojmë se jemi të injoruar, jemi të përbuzur, dhe të lënë anash. Jo pse s’ka mundësi materiale financiare, por mungon vullneti politik për t’u ulur me këtë shtresë dhe për t’i zgjidhur bashkë problemet e pensionistëve, t’i shqyrtojnë mundësitë financiare, materiale e ligjore dhe t’iu kthehet e drejta e tyre.

Kosova, në aspektin e pensioneve, është bërë eksperiment në Evropë, shtetet evropiane, Unioni a kushdo qofshin ata faktorë, po bëjnë paksa një eksperiment me Kosovën, është hapur Trusti pensional, ndërsa është shuar mundësia, ai parimi gjenerata për gjeneratë. Asnjë shtet në Ballkan asnjë shtet në Evropë nuk e ka ndërprerë parimin intergjenerativ, që do të thotë të rinjtë paguajnë për të vjetrit dhe ajo vazhdon.

Këtu është ndërprerë ajo mundësi dhe po bëjnë eksperiment me Trustin, i cili është vetëm formë e kursimit të mjeteve që i ndajnë njerëzit, e nuk është parimi pagesa i riu për të vjetrin. Kështu që neve kjo nuk na konvenon dhe Kuvendi i Kosovës, Qeveria e Kosovës me ekspertë, me përfaqësues të pensionistëve, duhet të ulet dhe të gjejë rrugëdalje.

Ka mundësi, te ne paguajnë 5 për qind punëdhënësi dhe 5 për qind punëmarrësi – ka mundësi që të shtohet edhe 3 për qind punëmarrësi dhe 3 për qind punëdhënësi dhe kjo pjesë e mjeteve të shkojë në fondin për këtë kategori të pensioneve, derisa janë gjallë edhe 7-8 deri 10 vjet, mos ta paragjykoj tash unë jetën e tyre, po afërsisht këtu gjendet pragu i fundit. Pra, po mungon vullneti politik i Parlamentit dhe Qeverisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila, sipas jush, do të duhej të ishte një pagë meritore për pensionistët në Kosovë?

SHABAN KAJTAZI
Ne kemi kërkuar që të lidhet pensioni i pensionistëve kontribut-pagues me pagën mesatare. Në Slloveni është 60 për qind, në Kroaci është 50 për qind, në Serbi është 50 për qind, le të shikohen mundësitë po nën 40 për qind mos të jetë kjo përqindje që të lidhet me pagën mesatare edhe s’ka më nevojë as ministria, e as Qeveria të ulen e të mendojnë a do t’ua rrisim pensionet pensionistëve apo jo. Po ajo në mënyrë ligjore, kontinuitive, kur rriten pagat rriten edhe pensionet lidhur me mesataren e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka ka ndodhur me kthimin e Fondit Pensional të Serbisë , a ka pasur ndonjë lëvizje në këtë fushë?

SHABAN KAJTAZI
Nuk ka lëvizje. Serbia po e bën një marketing politik për interesa të saj dhe ka shpallur një njoftim, përmes të cilit thërret pensionistët kontribut-pagues të Kosovës, ata të sistemit të kaluar kuptohet, që të aplikojnë për pensionet e tyre. Dhe, shumë pensionistë hallexhinj kanë vrapuar nëpër Nish, Kragujevc e Kralevë, duke mbledhur dokumente të Serbisë, letërnjoftime e krejt dokumentet sipas ligjeve të Serbisë. E ata e dinë që ne jemi shtet, por ishte një maltretim.

Kështu, rreth 12 mijë pensionistë kanë shkuar dhe kanë aplikuar. Prej tyre, merreni me mend, kanë shqyrtuar rreth 4 mijë lëndë, dhe nga to, kanë pranuar vetëm 37 pensionistë – të gjithë të tjerët po i refuzojnë kinse po i merrni pensionet në Kosovë 112 euro e në shtetin e Serbisë nuk mund të pranohen nga 2 pensione, ngase ata e konsiderojnë Kosovën si pjesë të Serbisë.

Në anën tjetër, ata dëshirojnë që ndaj Gjykatës ndërkombëtare në Strasburg, të thonë se ne e kemi hapur mundësinë për të aplikuar, por ata s’po i plotësojnë kushtet. Kjo është një lojë e Serbisë, një manipulim nga ato që i kanë bërë gjithmonë ndaj shqiptarëve dhe ndaj Kosovës dhe po vazhdon me të.

Zgjidhje në këtë drejtim nuk ka përveç Evropës, unionit evropian, bisedimet teknike në mes dy qeverive duhet ta obligojnë Serbinë, ta shtrojnë në rend dite, ta obligojë Serbinë t’i paguajë pensionet si kusht që s’mund të ecë drejt Evropës pa paguar pensionet, si çështje që shkel të drejtat elementare.

Serbia është anëtare e Këshillit të Evropës, shkel Konventën e Evropës për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të njeriut, e shkel nenin 1 të protokollit 1, i cili konsideron se pensioni është pronë. Prona është e shenjtë, Serbia e shkel atë.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni ndonjë përllogaritje, ndonjë të dhënë se sa është shuma e fondit pensional që e mban Serbia?

SHABAN KAJTAZI
Ka variante të ndryshme, mund të shkojë edhe 1 miliard euro, por nuk janë bërë analiza të tilla të mirëfillta. Më tepër flitet me hamendje. Ne nuk kemi statistikë të tillë, atë statistikë duhet ta bëjë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale që i ka 1, 400 të punësuar, ka ekspertë, ka ekonomistë dhe ata duhet ta kenë (ta dinë) këtë shumë dhe të komunikojë me Serbinë për nxjerrjen dhe kthimin e pensioneve nga Serbia.
XS
SM
MD
LG