Ndërlidhjet

Gara për Graçanicën “serbi kundër serbit”


Graçanicë

Graçanicë

“Njerëzit janë në dyshim, sepse tani kemi dy rryma dhe thënë troç, po shkon serbi kundër serbit”, thotë një farmacist serb nga Graçanica, derisa shpjegon rrjedhën e deritashme të fushatës zgjedhore në këtë komunë.

Është mos-uniteti i serbëve që po e brengos këtë qytetar në të dyzetat, i cili nuk dëshiron të japë emrin e tij.

“Do të ketë ndarje! Qysh tani janë të ndarë, e më vonë do të jenë edhe më shumë të ndarë. Tani kemi serbin kundër serbit. Më faltë Zoti pse them kështu, serb kundër serbit. Sepse kemi ata [serbë] që i janë bashkëngjitur Qeverisë së Kosovës, e të tjerët Qeverisë serbe nga Serbia”, shton ai.

Janë tre kandidatë që shihen si garuesit kryesorë të zgjedhjeve të 3 nëntorit për kryetar të Graçanicës, e që bartin në supe zgjidhjen për këtë preokupim të banorëve të qytezës.

Bojan Stojanoviq, kryetar aktual i komunës, garon nën listën qytetare të Unionit të Serbëve të Kosovës (SKS); Branimir Stojanoviq nga Lista Serbe që përkrah Qeveria në Beograd, dhe Sërgjan Popoviq nga Partia Liberale Serbe (SLS).

Bojan Stojanoviq që mbron titullin e kryetarit në këtë vendbanim me shumicë serbe, thotë se është i zhgënjyer me garën jo-fer, pasi ndërkombëtarët dhe Qeveria në Prishtina lejuan shtetin e Serbisë të përfshihet në fushatë.

“Unë vërtet nuk e di, nëse është e mundur që diku tjetër të ekzistojë, që një qeveri të mbështesë një listë të posaçme zgjedhore! Përse, atëherë, po organizojmë zgjedhje? A do të vinte diku, ndonjëherë, deri te ndryshimi i qeverisë, në cilindo shtet? A do të jetë ky model i ardhshëm për parimet demokratike që qeveria të mbështesë vetveten? Kjo është e pabesueshme dhe askush nuk reagon”, thotë kryetari Stojanoviq.

Edhe Stojanoviq mendon se ndarja në dy taborë në Graçanicë do të dëmtojë bashkësinë serbe në këtë komunitet, por thotë se nuk e sheh të udhës që të ankohet në Prishtinë përse e lejoi këtë gjë, që ai mendon se u prodhua si rezultat i marrëveshjes së Brukselit.

Dhe, për këtë thotë se ka arsye.

“Ndarjen në mes të serbëve e ka bërë Beogradi zyrtar, dhe kur dikush thotë që votoni për listën serbe, sepse ajo është serbe, dhe kur t’ju thotë se ju nuk jeni serbë... ky është një set i tërë ligjesh për të drejtat e njeriut që po iu shkelen, e lëre më për demokracinë, procesin zgjedhor dhe të tjera”, thotë Bojan Stojanoviq.

Sipas tij, fushata që po bën Beogradi në Graçanicë është edhe fyese, pasi po përcillet me etiketime të kundër-kandidatëve të të përkëdhelurit të saj që ka në garë.

“Kush ka të drejtë të më thotë mua se nuk jam serb? Kush është ai njeri, që e ka atë të drejtë? Cilat janë ato institucione që guxojnë të thonë se këta janë serbë e ata nuk janë serbë?”, pyet i nevrikosur Stojanoviq.

Ai flet pak për programin dhe ofertën e tij për një mandat të dytë në këtë komunë, pasi që tani mendon se zgjedhjet dihet se kush i fiton.

Ata banorë të Graçanicës që pranuan të flasin për Radion Evropa e Lirë, shfaqin bindje se ndikimi i Serbisë në këtë vend, po kthehet.

E thonë hapur se pa Beogradin, nuk ia dalin në Kosovë.

“Shteti i Serbisë, është këtu dhe ka dhënë një premtim. Kemi mundësi të mbijetojmë në këto hapësira. Por, nëse fiton kjo lista tjetër, ne s’kemi vend për mbijetesë në vendlindjen tonë. Serbia po na jep edhe rrogat, edhe pensionet, pagën minimale dhe gjithçka tjetër. Këta të tjerët [nga Qeveria e Kosovës] vetëm po bëjnë oferta, por po punojnë për interes të tyre”, thotë Novica Markoviq pensionist.

Një qytetar tjetër, ndërkaq, thotë se pavarësisht se kush çka përfaqëson në këto zgjedhje, ai që do të fitojë, s’guxon të shkëpusë lidhjet me Beogradin.

“Prej kandidatëve në Graçanicë pres që edhe tutje këtë popullatë ta mbajë të lidhur me Serbinë, që të ketë njëlloj garancie për mbijetesë në këtë mes”, thotë një djalë i ri rreth të tridhjetave.

Edhe kandidati që përkrahet nga Qeveria e Serbisë, Branimir Stojanoviq nga “Lista Serbe” thotë të jetë i vetëdijshëm se do të ketë ndarje në të ardhmen mes popullatës. Por sipas tij, zgjedhjet e 3 nëntorit paraqesin shumë më shumë sesa vetëm zgjedhje komunale.

“Këto nuk janë vetëm zgjedhje lokale. Këto zgjedhje do të përcaktojnë se cilën politikë duam ne që të profilizojmë dhe artikulojmë tutje. Mendoj se edhe në Prishtinë dhe në Bruksel e kanë kuptuar që serbët në Kosovë nuk munden vetë dhe nuk munden në mënyrë të pavarur ta marrin këtë vendim”, pohon ai.

Sipas tij, politika autentike e serbëve të Kosovës mund të realizohet si projekt, vetëm nëse ka prapa vetes Beogradin zyrtar.

Stojanoviq thotë se është i privilegjuar që në këto zgjedhje është kandidat i Qeverisë së Serbisë për Graçanicën, dhe se është jologjike dhe joracionale që të pritet që serbët që jetojnë në këtë lokalitet, të mbështeten te kushdo tjetër përveç te Beogradi.

“Tash e 14 vjet kemi mbijetuar këtu para se gjithash falë ndihmës direkte dhe të hapur të Qeverisë së Serbisë. Dikujt kjo [që them] mund të mos i pëlqejë në Prishtinë, por besomëni ne kemi të drejtë, bazuar në atë që kemi përjetuar, që të mos i besojmë Prishtinës”, thekson ai.

Sipas Stojanoviqit, “ka njerëz që janë në rrugë të gabuar”, siç i quan ai kandidatët e tjerë që mendojnë se pa qenë me Serbinë mund të ecin para.

“Mendoj se ata njerëz nuk janë joserbë. Sigurisht se në mesin e tyre kemi fqinj, miq, dhe ata kanë derën hapur që të kthehen në kope, që të mos bëjnë politikë, e cila në fund do t’i rrezikojë ata vetë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Stojanoviq.

Kjo politikë e etiketimit, sipas liberalit Sërgjan Popoviq nuk është se çon peshë.

Kandidati i Partisë Liberale Serbe (SLS), Sërgjan Popoviq, thotë se ai nuk synon ndarjen e popullatës në vija të tilla ekstreme.

Shprehet i lumtur që në terren po sheh që ka interesim të madh mes serbëve që të dalin në zgjedhje dhe se kjo gjë do të dëshmojë se politika autentike krijohet nga baza.

Popoviq thotë se po lufton që në Graçanicë të mos dëgjohet vetëm zëri i Beogradit, por edhe i politikës autentike lokale.

“Pyetja është a mundet Beogradi të udhëhiqet pa Graçanicën, e jo a mundet Graçanica të udhëhiqet pa Beogradin. Unë kështu e shoh, sepse është shumë e rëndësishme që të vendosen dy-kanale të komunikimit. Që të mos dëgjohet vetëm zëri i Beogradit, por edhe yni në Beograd. Ky është ai zhvillimi i skenës autentike, i cili disi duhet të prodhojë njerëz, të cilët do të marrin situatën nën kontroll nga popullata, dhe ku Beogradi do të mund të marrë këtë gjë si një produkt final dhe ta inkorporoj në politikën e vet” shpjegon ai.

Nuk është se në këtë komunë punët janë si më së miri, pasi zhvillimi i saj varej nga zhvillimi i përgjithshëm i Kosovës.

Edhe këtu ekonomia është e varfër, por të punësuar në sektorin paralel që paguhen nga buxheti i Serbisë, thuhet të jenë afro një mijë familje, nga 25 mijë banorë sa ka qyteza.

Në zgjedhjet e vitit 2009 në Graçanicë, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kanë votuar vetëm 3,524 votues nga 16,317 sa kishin të drejtë vote.

Graçanica u themelua si komunë në bazë të Planit Ahtisaari në vitin 2008.

Portali i komunës së Graçanicës shkruan se në këtë vendbanim, 85.7% të popullatës janë serbë, kurse komunitetet tjera si ajo rome, ashkali e egjiptianë janë 10.6%.

Shqiptarët aty përbëjnë vetëm 3.7% të popullsisë.
XS
SM
MD
LG