Ndërlidhjet

Universiteti Publik, me departament të gjuhëve sllave


Rektorati i Universitetit të Prishtinës
Rektorati i Universitetit të Prishtinës
Në kuadër të Universitetit të Prishtinës, pritet të hapet një departament i ri i gjuhëve sllave, thonë udhëheqës të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Nehat Mustafa, zëvendësministër i Arsimit, për Radion Evropa e Lirë, tregon se kjo pritet të realizohet në vitin e ardhshëm, ndërkaq tashmë janë duke u diskutuar vetëm modalitetet se a do të quhet departamenti i gjuhëve ballkanike apo sllave.

Për realizimin e këtij projekti, Mustafa tregon se kanë diskutuar me zyrtarë të shtetit të Kroacisë, Sllovenisë dhe Maqedonisë, kurse me shtetin e Serbisë shpresohet të bisedohet në kuadër të bisedimeve që janë duke u zhvilluar Bruksel.

“Këtë vit ne kemi pasur një të ri serb, i cili ka pranuar të konkurrojë në Universitetin e Prishtinës dhe atë jo në gjuhën serbe, por është i gatshëm që të mësojë gjuhën shqipe dhe pastaj të studiojë”.

“Ndërsa, pikat tona janë në drejtim të asaj që edhe pse ekziston Universiteti në gjuhën serbe në Mitrovicë, edhe në kuadër të Universitetit të Prishtinës, t’u jepet mundësia qytetarëve serbë të Kosovës që ata të kenë mundësi t’i ndjekin studimet”
, thotë Mustafa.

Edhe Rektorati i Universitetit të Prishtinës, është i gatshëm të motivojë dhe të shtyjë përpara hapjen e një Departamenti të Ballkanistikës, thotë rektori Ibrahim Gashi, duke shtuar se ky departament do të futet në kuadër të Fakultetit të Filologjisë.

Me gjithë interesimin e autoriteteve kosovare për realizimin e këtij projekti, një interesim apo gatishmëri mungon nga përfaqësues të komunitetit serb, thotë Gashi, i cili disa herë ka kërkuar takim me përfaqësues të këtij komuniteti, por asnjëherë nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

“Natyrisht, përmes përfaqësuesve të komunitetit serb nëpër institucione, kam kërkuar nga ta që të më caktojnë ndonjë takim, nuk po flas për pjesën veriore, por komunat tjera ku jeton komuniteti serb, që të kem një takim me intelektualë, studentë, studiues për të biseduar për këtë temë, por nuk kam marrë përgjigje”.

“Pothuajse të gjithëve edhe në mënyrë individuale iu kam drejtuar që ne jemi të hapur për të pasur mësim edhe në gjuhën serbe, por asnjë interesim nuk ka ardhur nga pala tjetër”, thekson Gashi.

Përderisa gatishmëria dhe vullneti mungon nga përfaqësues të komunitetit serb në Kosovë, një interesim dhe gatishmëri për këtë çështje tashmë kanë shprehur intelektualë serbë që jetojnë në vende të ndryshme të Republikës se Serbisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, zëvendësministri i arsimit Nehat Mustafa.

Ai thotë se në Ministrinë e Arsimit ka pasur interesim nga intelektualë të Serbisë, që të angazhohen në Departamentin e Gjuhës serbe. Kështu që Mustafa nuk e konsideron të vështirë gjetjen e kuadrove arsimore për departamentin e ri.

“Po e themi për herë të parë publikisht, që edhe vetë intelektualë nga Republika e Serbisë, kanë shprehur interesimin në Ministrinë e Arsimit, që janë të gatshëm, sipas nevojës, të angazhohen në botën akademike në Kosovë. Duke ditur edhe të kaluarën e përbashkët, kur kemi jetuar në një shtet të quajtur ish-Jugosllavi, gjetja e kuadrit nuk është problem për hapjen e kësaj katedre”, thekson Mustafa.

Hapja e një departamenti të tillë në Universitetin e Prishtinës, në situatën në të cilën jemi, më tepër është gjest politik, thotë eksperti për çështje të arsimit, Dukagjin Pupovci.

Sipas tij, asnjë pjesëtar i komunitetit serb, nuk do të pranojë të vazhdojë shkollimin në sistemin e arsimit shqip.
...një veprim i njëanshëm nga ana e Qeverisë mendoj se do të kishte kuptim krejt tjetër.

“Prandaj, unë mendoj se kjo mund të ishte në kufi të demagogjisë, sikur të hapet një departament i tillë, sa për të thënë. Nëse vërtet ekziston interesimi i pjesëtarëve të komunitetit serb që të studiojnë në ndonjërin nga Universitetet e Kosovës, atëherë mendoj se qeveria dhe këto universitete duhet t’i dalin përpara dhe të hapin një departament të tillë. Por, një veprim i njëanshëm nga ana e Qeverisë mendoj se do të kishte kuptim krejt tjetër”, konsideron Pupovci.

Studentët e komunitetit serb studiojnë në Universitetin e Mitrovicës. Ky universitet në Kosovë vepron në përputhje me legjislacionin dhe plan-programet e Qeverisë serbe.

Pakoja e Ahtisarit parasheh që ky institucion i lartë arsimor të jetë autonom, por statuti i tij të jetë konform legjislacionit kosovar.
XS
SM
MD
LG