Ndërlidhjet

Tremujori i tretë, përmirësim i klimës së bizneseve


Ilustrim

Ilustrim

Nga një anketë, të cilën e ka realizuar Oda Ekonomike e Kosovës me bizneset e sektorit të shitjes, me kompani ndërtimi, kompani prodhuese e të tjera, thuhet se situata e përgjithshme e biznesit është përmirësuar gjatë vitit 2013.

Rreth 17 për qind e bizneseve janë deklaruar se situata e tyre në biznes nuk është kënaqshme, ndërsa pjesa tjetër prej 83 për qind e kompanive, kanë deklaruar se situata për të bërë biznes është e kënaqshme.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në një konferencë me gazetarë, tha se në krahasim me tremujorin e parë dhe atë të dytë të këtij viti, tremujori i tretë ka treguar një rimëkëmbje ekonomike në vend.

“Me ambientin që ekziston në kushtet e veprimit të tyre, gjendja është e kënaqshme. Sidomos tremujori i fundi ka qenë shumë i kënaqshëm te tregtia me shumicë dhe kjo gjithmonë duke pas parasysh që kemi një aktivitet të shtuar të diasporës. Ju e dini se sidomos vera e këtij viti ka qenë me një ardhje të madhe të remitencave”, tha Rukiqi.

Në anketën që ka bërë Oda Ekonomike e Kosovës me drejtuesit e 498 kompanive, thuhet se pritjet e biznesit për gjashtëmujorin e ardhshëm, janë më pak të larta se në gjysmën e parë të këtij viti.

Kështu, rezultatet nga studimi i ri japin sinjal se rimëkëmbja ekonomike do të vazhdojë edhe në gjashtëmujorin e ardhshëm, por me dinamikë më të vogël se në tremujorin e tretë.

Rukiqi nga OEK-u, tha se rreth 75% e bizneseve presin që punësimi i tyre të mbetet i njëjtë gjatë tre muajve të ardhshëm dhe nuk presin ndryshime sa i takon çështjes së vendeve të reja të punës.

“Problemi qëndron për pritjet përgjatë muajve të ardhshëm. Nuk kemi tendencë të kompanive t’i zvogëlojnë vendet e punës apo të largojnë punëtorë nga puna. Po në të njëjten kohë nuk e paraqesin asnjë ndonjë tendencë të krijimit të vendeve të reja të punës”, shpjegoi Rukiqi.

Duke komentuar të gjeturat e këtij studimi të Odës Ekonomike të Kosovës, eksperti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, tha se me gjithë përmirësimet, sipas anketës, nuk po vërehen ndryshime në gjendjen e përgjithshme sociale në vend.

“Për mua është pak shqetësuese kjo meqenëse kjo situatë e kënaqshme nuk ka një impakt të përgjithshme social. Do të thotë bizneset janë në pozitë më të mirë po kjo mund të jetë e mirë vetëm për pozicionin e tyre, por jo edhe për përfituesit e tjerë qoftë për numrin e punëtorëve apo edhe për kontraktuesit që kryejnë shërbimet për ta”, vlerësoi Rexhepi.

Hulumtimi tregon se përmirësime të dukshme janë vërejtur posaçërisht në sektorin e ndërtimtarisë, por edhe për tregtinë me shumicë, ndërsa pritjet për të ardhmen janë më pak optimiste në krahasim me tremujorët e kaluar.

Me këtë rast, kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu tha se përmes këtij studimi synohet që përveç informimit dhe perceptimit të komunitetit të biznesit për tendencat e bizneseve, hulumtimet e tilla kontribuojnë edhe në harmonizimin e tyre me vlerat evropiane.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG