Ndërlidhjet

Çeki: Socialdemokratët dhe komunistët fitues, befasoi ANO


Pamje nga votimet në Pragë
Pamje nga votimet në Pragë
Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parkohshme parlamentare në Çeki, tregojnë se Partia Socialdemokrate, deri tash në opozitë, ka fituar më së shumti vota, ndërsa komunistët, ashtu siç parashikohej janë plasuar mjaft lartë.

Pas numërimit të të gjitha fletëvotimeve, që janë transmetuan online, Partia Socialdemokrate (ÇSSD) e udhëhequr nga ish-ministri i financave, Bohusav Sobotka, ka fituar 20.46% të votave. Sipas llogaritjes së Televizionit Publik të Çekisë, kjo parti do t’i ketë 50 vende deputetësh në parlamentin e ri.

Megjithatë, kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për të qeverisur, meqë parlamenti përbëhet nga 200 deputetë.

Në vendin e dytë është plasuar partia e re ANO, e themeluar nga biznesmeni tejet i pasur, Andrej Babis, e cila ka 18.68% të votave, apo 48 vende deputetësh.

Në vendin e tretë është plasuar Partia Komuniste, e udhëhequr nga Vojtech Filip, e cila ka marrë 14.91% të votave (33 deputetë).

Gjithsej shtatë parti e kanë kanë kaluar pragun zgjedhor dhe do të përfaqësohen në parlament.

Partia e ish-ministrit të jashtëm, Karel Schwarzenberg, TOP09, doli e katërta me 11.98% , ndërsa ODS, që së fundit e udhëhiqte qeverinë e koalicionit të përbërë nga tri parti, ka fituar vetëm 7.72% të votave.

Pragun zgjedhor e kanë kaluar edhe partitë Usvit (Agimi) me 6.92% dhe KDU-ÇSL me 6.78%.

Zgjedhjet e përgjithshme filluan dje dhe përfunduan sot pasdite.

Raportohet se dalja në zgjedhje ishte 59%.
XS
SM
MD
LG