Ndërlidhjet

VOX

Të rinjtë dëshirojnë ndryshime nga zgjedhjet


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi


Të rinjtë kosovarë do të dalin në zgjedhje, ata dëshirojnë ndryshime, por shprehen skeptikë se kandidatët komunalë që po konkurrojnë, mund ta realizojnë këtë.

Për rubrikën e përjavshme VOX, të Radios Evropa e Lirë disa të rinj shprehen se dëshirat dhe pritjet janë krejt të kundërta. Ata thonë se premtimet gjatë fushatës, duke përmendur edhe kategorinë e të rinjve, kanë qenë “mrekulli”, por situata ndryshon pas përfundimit të zgjedhjeve.

Blerim Ahmeti nga Prishtina, është student në Universitetin e Prishtinës. Ai thotë se pas zgjedhjeve dëshiron ndryshime në aktivitetet sportive.

“Pres ndryshime në aktivitetet sportive, zhvillim ekonomik dhe rritjen e numrit të të punësuarve”, thotë Blerimi

Arbnor Mehmeti është nga komuna e Podujevës dhe studion në Fakultetin Ekonomik. Ai për komunën e tij dëshiron rregullimin e infrastrukturës:

“Unë do të dal në zgjedhje. Në radhë të parë dëshiroj rritjen e punësimit dhe komuna që të rregullohet sa i përket infrastrukturës”.

Ndryshime pozitive në sektorë të ndryshëm pas zgjedhjeve kërkon edhe i riu tjetër nga Suhareka, Veton Kuçi, i cili studion degën e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës.

“Gjithmonë ndryshime pozitive, punësim më të madh për rininë dhe luftimin e korrupsionit deri në maksimum”, shprehet Vetoni.

Studentja nga Gjilani, Flora Tahiri, e cila studion në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, thotë se më 3 nëntor do të shkojë në vendlindje, vetëm për të votuar, edhe pse nuk pret ndonjë ndryshim për komunitetin e të rinjve.

“Do të dal në zgjedhje, patjetër që do të dal. Pres ndryshime. Ndërkaq, për të rinjtë nuk besoj se kemi ndonjë kandidat të partive politike që garojnë në zgjedhje, që dallon nga kryetari aktual dhe mund të sjellë ndryshime”, thotë Flora.

Ndërkaq, shoqja e saj, Xhemile Mahmuti, po ashtu nga Gjilani, studente në Fakultetin e Mjekësisë, dëshiron që pas zgjedhjeve të ketë përmirësim për pozitën e gruas.

“Pres diçka më mirë se sa është tash. Sidomos në komunën tonë duhet të ngrihet më shumë femra, të ketë vende më shumë të punës dhe të jenë më të pranishme në vendimmarrje”, thekson Xhemilja.

E, i riu tjetër nga Prishtina, Adonis Beqiri thotë:

Pres ndryshime, të shikojmë kush fiton në kryeqytetet. Atëherë kuptojmë se a do të përmbushën premtimet e dhëna gjatë kësaj kohe”.

Drejtësi pa korrupsion dëshiron për qytetin e tij, i riu tjetër Behar Jashari, nga Prishtina:

“Në zgjedhje do të dalim, po shpresoj se bëhet më mirë. Po pres të ketë drejtësi pa korrupsion, zhvillim të kryeqytetit dhe ulje të papunësisë”.

Por, ka edhe të atillë që nuk presin ndryshime nga zgjedhjet komunale. Ja si shprehet Besart Aliu, nga Rahoveci:

“Nuk pres, edhe pse dëshiroj rritjen e punësimit, uljen e korrupsionit. Por, jam skeptik për këtë”.

Ndërkaq, Isa Ademi, tregon se nuk do të dalë në zgjedhje për shkak, siç thotë ai, të gjitha partitë politike mbrojnë interesat personale duke harruar qytetarin.

“Nuk i besoj asnjë partie politike, sepse nuk punojnë për qytetarët. Shiko premtimet që po japin, do të bëjnë mrekulli, e pas zgjedhjeve harrohen dhe shuhen”, pohon Isa.

Sidoqoftë, për zgjedhjet komunale që do të mbahen më 3 nëntor, gati të gjithë kandidatët e partive politike kanë premtuar edhe projekte të ndryshme që ndikojnë në përmirësimin e kushteve të të rinjve.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG