Ndërlidhjet

SHBA-ja e monitoroi kancelaren Merkel


Angela Merkel
Angela Merkel
Një raport në revistën gjermane "Der Spiegel", thotë se agjencitë e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara ndoshta e kanë monitoruar telefonin mobil të kancelares gjermane, Angela Merkel, prej vitit 2002.

Sipas revistës, presidenti amerikan, Barack Obama, i ka thënë zonjës Merkel se është dashur t’i ndalte përgjimet sikur ta kishte ditur se ato po ndodhin.

Në vitin 2002, Angela Merkel ishte lidere e Unionit Demokristian. Ajo u zgjodh kancelare në vitin 2005.

Duke cituar një dokument sekret nga viti 2010, në raport theksohet se Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA) e ka operuar sistemin e spiunimit në afro 80 lokacione në mbarë botën, përfshirë 19 në Evropë, në mesin e tyre edhe Berlinin, Parisin, Madridin dhe Pragën.

Ky zbulim u bë në periudhën kur zyrtarët e inteligjencës gjermane po përgatiten të udhëtojnë për në Uashington, javën e ardhshme, për të diskutuar për aktivitetet e shërbimeve amerikane të spiunimit.

Revista “Der Spiegel” tha se telefoni mobil i zonjës Merkel ishte paraqitur nën titullin “Kacelarja GE Merkel”, në dokumente të një njësie të NSA-së, që quhej Shërbimi Special i Koleksionit.

Në raport theksohet se ky shërbim ishte operuar nga një “degë spiunimi jo e regjistruar legalisht”, në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Berlin, ku ishte përdorur pajisje e avancuar për ta spiunuar qeverinë gjermane.

Raporti thotë se Obama i ka kërkuar falje kancelares Merkel, kur ajo e kishte thirrur atë të mërkurën e kaluar, për të diskutuar për raportet lidhur me vëzhgimin e Shteteve të Bashkuara ndaj komunikimeve të saj.

Qeveria gjermane dhe Shtëpia e Bardhë kanë refuzuar të komentojnë lidhur me raportin e fundit. Një zëdhënëse e Shteteve të Bashkuara tha se Uashingtoni “nuk do t’i komentojë detajet e diskutimeve tona diplomatike”.

Më herët, Qeveria e Gjermanisë kishte thënë se beson se thirrjet e kancelares Merkel tash janë të mbrojtura nga vëzhgimi i jashtëm, pasi ajo tash i përdorë telefonat me teknologji të koduar.

Departamenti Amerikan i Shtetit të premten pranoi se raportet për spiunim kanë shkaktuar “tensione” me aleatët e Amerikës, përfshirë Gjermaninë, dhe tha se zyrtarët po i rishqyrtonin programet e monitorimit për të qenë të sigurt se ato nuk janë të zgjeruara.

Në samitin e fundit të Bashkimit Evropian, liderët e BE-së kanë tërhequr vërejtjen se mungesa e besimit me Shtetet e Bashkuara mund ta dëmtojë luftën kundër terrorizmit.

Nga ana tjetër, të shtunën në Uashington, disa mijëra njerëz janë mbledhur për të protestuar kundër programeve të vëzhgimit elektronik të Shteteve të Bashkuara. Gjatë këtij programi janë mbledhur miliona të dhëna për individë, biznese dhe komunikime qeveritare në gjithë botën. Protesta ishte organizuar nga grupi “Stop vëzhgimit kundër nesh”.

Protestuesi Michael Greene ka argumentuar se monitorimi masiv është në kundërshtim me garantimet në Kushtetutën amerikane për mbrojtjen e çështjeve private.

“Jam i tmerruar, sikur shumë njerëz të tjerë këtu, me vëzhgimin masiv që po ndodh. Megjithatë, duket se shumë njerëz nuk janë të shqetësuar për këtë. Është krejtësisht jokushtetuese”, tha Greene.

Protestuesja Jennifer Wynne, kërkon që ligjvënësit amerikanë të veprojnë për ta ndalur spiunimin.

“Gjatë muajve të kaluar, ne, njerëzit, kemi mësuar shumë për keqpërdorimin që po ndodh dhe për mungesën e plotë të mbikëqyrjes dhe vëzhgimin masiv ndaj çdo detaji të jetës sonë. Ne duhet t’i themi Kongresit se ata duhet të veprojnë”, tha Jennifer Wynne.

Rrezja e gjerë e spiunimit në mbarë botën nga agjencitë e Inteligjencës të Shteteve të Bashkuara, është zbuluar këtë vit, nga ish-kontraktori i inteligjencës amerikane, Edward Snowden, i cili nga autoritetet amerikane akuzohet për spiunim. Ai, aktualisht, gjendet në Rusi, ku i është dhënë azil i përkohshëm.

Operacionet e vëzhgimit të Shteteve të Bashkuara kishin marrë miratim nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara për zgjerim dramatik, pas sulmeve terroriste më 11 shtator 2001, të kryera nga rrjeti al-Kaida.

Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara kanë thënë se spiunimi agresiv elektronik është i nevojshëm për t’iu kundërvënë terroristëve dhe për t’i mbrojtur interesat kombëtare të sigurisë së Shteteve të Bashkuara. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG