Ndërlidhjet

Maqedoni: Një ligj për publikimin e emrave të borxhlinjve


Ilustrim

Ilustrim

Qeveria e Maqedonisë ka bërë të ditur se do të miratojë një ligj, me të cilin do të bëhen publikë emrat e të gjithë qytetarëve dhe kompanive private, që i kanë borxh shtetit.

“Me këtë do të mundësohet që Drejtoria për të hyra publike dhe Drejtoria doganore të publikojnë në ueb-faqen e tyre listën e borxhlinjve më të mëdhenj që nuk i kanë paguar tatim shtetit. Publikisht, do të thuhen të gjitha emrat e qytetarëve, të cilët i kanë borxh shtetit më shumë se dy mijë euro, si dhe kompani që kanë borxh më shumë se 5 mijë euro”, ka sqaruar ministri i Financave i Maqedonisë, Zoran Stavrevski.

Autoritetet shtetërore e kanë arsyetuar këtë vendim me qëllim disiplinimin e qytetarëve dhe firmave private për të paguar tatimet, me atë që emrat do të publikohen nëse personi ose firma e caktuar nuk ka shlyer borxhin brenda 90 ditëve.

Por, qytetarët shprehen se një vendim i këtillë nuk ka kuptim, meqë, sipas tyre, qeveria duhet të angazhohet më shumë në mëkëmbjen e ekonomisë, sepse në mungesë të parave, është i kotë çfarëdo presioni që mund t`u bëhet, madje edhe në aspektin etik.

“Po më mirë të na gjejnë punë një herë. Unë e kam paguar tatimin çdo vit aq sa ka qenë, por tani është bërë e vështirë, sepse s`ka punë, është bërë shumë vështirë për të gjetur punë”, thotë Murtezan Fetahu nga Shkupi.

Edhe Daniella Stirovska është e mendimit se përmes vendimit të fundit që të publikohen emrat e borxhlinjve nga DAP-ja, nuk do të mund t’i detyrojë qytetarët të shlyejnë borxhet, por më shumë do të nxisin revoltë tek ata.

“Me atë që do t’i nxjerrë në një listë qytetarët, të cilët nuk arrijnë të paguajnë çfarëdo tatimi që kanë obligim ndaj shtetit, nuk do të arrihet asgjë, pos që do të nxisë revolt te qytetarët për gjendjen e vështirë ekonomike, në të cilën gjenden”, konsideron Stirovska.

Por, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Menderes Kuçi, thekson se shteti ndërmerr masa të ashpra, sepse populli është i heshtur dhe nuk arrin të reflektojë ndaj vendimeve të këtilla, megjithëse shprehet skeptik se këto masa do të ndikojnë në grumbullimin e tatimeve.

“Qeveria s’duhet të luajë rolin e artistit, po t’i rreket punës në drejtimin e duhur, dhe mos të kujtoj se gjithmonë është në fushatë parazgjedhore. Të gjithë janë të habitur se si mund që në një vend me këso gjobash dhe kushtesh ekonomike, në të cilat gjendet Maqedonia, mos të ketë një revolucion social nga populli”, vlerëson Kuçi.

Edhe partia maqedonase në opozitë, LSDM, konsideron se aksionet për mbylljen e firmave që s`kanë shlyer borxhet, kanë vetëm një qëllim, edhe atë mbushjen e arkës së shtetit në mënyrë që partia në pushtet t’i mbulojë humbjet e mëdha që ka pësuar buxheti.

“Dënimet për kundërvajtje janë të paramenduara si një instrument ligjor për respektimin e normave ligjore. Por, Gruevski dhe VMRO-DPMNE-ja këtë instrument ligjor e kanë shndërruar në instrument fiskal, i cili po keqpërdoret për mbushje të buxhetit dhe Fondit Pensional të zbrazët”, deklaron për mediat zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov, duke komentuar politikat e qeverisë për mbledhjen e taksave.
XS
SM
MD
LG