Ndërlidhjet

Kosova nis sot negociatat për MSA-në

  • RFE /RL

Flamuri i Kosovës

Flamuri i Kosovës

Sot në Prishtinë do të nisin negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Ky hap që është konfirmuar në Bruksel nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, shënon një kthesë dhe një fazë të re të Kosovës me BE-në, në procesin e integrimeve.

Siç dihet, procesi i Stabilizim-Asociimit ishte lansuar që nga fundi i luftës në Kosovë dhe ai vlente për vendet e rajonit të Ballkanit perëndimor, të cilat së pari duhej të stabilizoheshin, e pastaj duke u asociuar me BE-në, të ecin drejt rrugës së anëtarësimit të plotë në BE.

Deri më tani Kroacia është shteti i vetëm, i cili përmes procesit të Stabilizim - Asociimit, ka arritur edhe integrimin e plotë duke u bërë anëtare e Bashkimit Evropian më 1 korrik. Kroacia negociatat për Marrëveshje të Stabilizim - Asociimit i kishte nisur në vitin 2000, ndërsa të gjitha vendet e rajonit, po ashtu, kanë arritur të kenë marrëveshje të tilla me BE-në.

Deri më tani, Kosova është lënë anash nga ky proces. Ajo përmes dialogut të Stabilizim - Asociimit, e më parë të ashtuquajturve mekanizma përcjellës të MSA-së, ka arritur që t’i përshtatë disa ligje të saj me BE-në dhe të vazhdojë konsultimet me BE-në, por nuk ka pasur mundësi që të negociojë MSA-në.

Kosova deri më tani ka ngecur në këtë, jo vetëm për fajin e saj, por para së gjithash, për një pamundësi që brenda BE-së të arrihet një konsensus për mënyrën dhe formën se si të arrihej një marrëveshje e tillë në kohën kur 5 shtete anëtare të BE-së nuk e njohin Kosovën si shtet.

Përderisa marrëveshjet ndërmjet një vendi të rajonit të Ballkanit dhe BE-së janë të një formë të marrëveshjes ndërshtetërore, pra të nënshkruara nga një shtet i Ballkanit me të gjitha shtetet anëtare të BE-së, Marrëveshja e stabilizim - Asociimit me Kosovën, do të jetë ndryshe dhe do të jetë në kuadër të kompetencave evropiane.

Kjo do të thotë se me Kosovën do të negociojë Komisioni Evropian dhe marrëveshja që do të arrihet, nuk do të ketë nevojë të kalojë përmes procesit të ratifikimit në të gjitha shtetet anëtare të BE-së, që do të thotë se vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, e mbështesin një proces të tillë dhe nuk do ta pengojnë atë.

Ky ka qenë edhe çelësi, sipas të cilit është gjetur mundësia që më 28 tetor të nisin negociatat për MSA.

Aspiratat e Brukselit janë që negociatat të zgjasin deri në pranverë, që në verën e vitit që vjen, të përpilohet teksti i marrëveshjes dhe të vihen inicialet në të, kurse deri në fund të mandatit të tashëm të Komisionit, pra para fundit të vitit që vjen, edhe të vendoset për konkludimin e kësaj marrëveshjeje dhe nënshkrimin e saj.

Me marrëveshjen e MSA-së Kosova do të përfitojë sidomos në aspektin tregtar.

Shumë mallra do të mund të eksportohen nga Kosova në tregun e madh të BE-së pa tarifa doganore, ndërkohë që Kosova do të përfitojë në këtë mënyrë edhe me investime të huaja, sepse siç pohojnë ekspertët në BE, investuesit e huaj do ta kenë më të sigurt investimin e tyre duke llogaritur se mallrat që do të prodhonin në Kosovë, do të mund t’i shisnin edhe në tregun e Bashkimit Evropian.

Por, në aspektin politik, përfitimi kryesor i Marrëveshjes së Stabilizim - asociimit është hapja e dyerve për një proces më të gjatë që do të çojë deri të anëtarësimi i plotë i Kosovës në BE, rrugë kjo që është ndjekur nga Kroacia dhe po ndiqet nga vendet tjera të Ballkanit, të cilat me përjashtim të Shqipërisë dhe Bosnjë Hercegovinës tashmë kanë edhe statusin e vendit kandidat.

Bashkimi Evropian nisjen e negociatave, më 28 tetor me Kosovën e sheh si një prej sukseseve të këtij viti, duke theksuar se pritet që deri në fund të 2013-s, sipas rekomandimit të KE-së, Shqipëria po ashtu të marrë statusin e vendit kandidat, ndërkohë që shtetet anëtare të BE-së mund të miratojnë edhe kornizën negociouese që do të mundësonte nisjen e negociatave me Serbinë për anëtarësim në BE.

Në Bashkimin Evropian thonë se përgatitjet që ka bërë Kosova për të nisur negociatat e MSA-së, janë përgatitje të duhura dhe shpresojnë që ato do të mundësojnë përmbylljen e shpejtë të këtij procesi sipas planit.

Në anën tjetër, vlerësojnë se dialogu Prishtinë - Beograd ka ndihmuar shumë që shtetet anëtare të arrijnë konsensus për të nisur këto negociata.
XS
SM
MD
LG