Ndërlidhjet

Situatë e turbullt dhe konfuzion te qytetarët në veri


Veri...

Veri...

Atmosfera në veriun e Mitrovicës, në prag të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, vazhdon të jetë pasqyrë e situatës së turbullt, e cila mbretëron në këtë pjesë të Kosovë, vlerësojnë qytetarët serbë që jetojnë atje.

Deklaratat e ndryshme të politikanëve, premtimet, por edhe cytjet në anën tjetër për të mos marrë pjesë në zgjedhje, mbjellin konfuzion te qytetarët, të cilët e vlerësojnë të tmerrshme gjithë këtë situatë.

Nikola Jovanoviq, qytetar i Mitrovicës veriore thotë se gjendja në qytet është e zymtë dhe e gjithë kjo krijon ndjenjë, siç e quan ai, të tmerrshme.

“Ndjehemi tmerrshëm dhe kështu nuk është vetëm sot ose dje, por kështu është me vite. Gjendja është katastrofave. Mbretëron apati dhe gjendja është kurrë-fare, jo vetëm për shkak të zgjedhjeve, por përgjithësisht. Nuk kemi të bëjmë vetëm me frikën, por njeriu i thjeshtë nuk di se çfarë të ndërmarrë. Populli nuk e di se kënd ta dëgjojë”, tha Jovanoviq.

Maria Petroviq, po ashtu qytetarë nga Mitrovica veriore, thotë se situata në këtë pjesë të vendit imponon konfuzion tek qytetarët.

“Qytetarët janë krejtësisht në konfuzion të madh. Nuk dinë se ç’të bëjnë sepse gjithçka është e paqartë”, vlerëson Petroviq.

Jelena Babiq, thotë se në Mitrovicën e veriut ndjehet pasiguria, ndërkohë që i bën thirrje autoriteteve të Serbisë dhe kryetarit të këtij vendi që të kenë kujdes ndaj popullatës serbe në veri të Kosovës.

“Le ta kthej pak vëmendjen kah ky popull dhe ndaj nesh e të mos e pësojnë fëmijët tanë, të kemi paqe në shtëpitë tona dhe fëmijët të lëvizin lirshëm”, porositi Babiq.

Ndryshe, Nemanja Jakshiq, shpreh mendimin se zgjedhjet lokale në Mitrovicën e veriut nuk do të kenë sukses mu për shkak të tensioneve të krijuara atje.

“Mendimi im personal është se zgjedhjet nuk do të kenë sukses, për faktin se nuk do të del numër i mjaftueshëm i serbëve në votime dhe nuk do të mund t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre legjitim dhe legal”, tha Jakshiq.

Në anën tjetër, fushata për zgjedhjet dhe fushata kundër këtyre zgjedhjeve, sipas qytetarëve, po përcillet me veprime të cilat ngjallin frikë te qytetarët.

Nikola Jovanoviq vlerëson se tek qytetarët ekziston edhe frika për jetët e tyre, për shkak të disa incidenteve që tashmë kanë ndodhur në Mitrovicën veriore.

“Frika ekziston në masë të madhe, Në çdo çast, ndonjë grupe, qofshin ata serb apo shqiptarë, t’iu bie në mend dhe të thonë ‘t’i sulmojmë këta që dalin në votime” ose “t’i sulmojmë ata që nuk dalin’ e kështu me radhë’. E them sinqerisht, se do të dëshiroja më së shumti që bashkësia ndërkombëtare të jetë e pranishme këtu gjithmonë”, tha Jovanoviq.

Por Maria Petroviq thotë se fare nuk dëshiron të dalë në zgjedhje.

“Unë dhe familja ime nuk do të dalim në zgjedhje, për shkak se konsiderojmë se sikur të ketë bojkotim total të zgjedhjeve, mbase bashkësia ndërkombëtare do t’i kuptonte disa gjëra dhe do të ndërmerrte disa hapa”, tha Petroviq.

Jelena Babiq, shpreson që pas zgjedhjeve në veri do të ketë paqe.

“Dëshirojmë një jetë normale. I porosis edhe shqiptarët që le ta mbajnë pjesën e tyre e të mos e ngacmojnë pjesën tonë”, theksoi Petroviq.

Nemanja Jakshiq, vlerëson se marrëveshja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për mbajtjen e zgjedhjeve lokale edhe në veri të Kosovës e ndyshon pozicionin e serbëve në atë pjesë të vendit.

Ajo që është bërë me këtë marrëveshje po bën që ne ta përjetojmë fatin e serbëve në jug të lumit Ibër dhe momentalisht situatën tonë e kanë përkeqësuar njerëzit që e mbajnë pushtetin në Beograd”, theksoi Jakshiq.

Ndryshe, disa nga këta qytetarë kanë theksuar se gjatë 14 vjetëve të kaluar në veriun e Mitrovicës ka pasur dyndje të popullatës serbe, gjë që e luhatur baraspeshën e raporteve ndër-njerëzore në këtë qytet.

Dilema për të marrë pjesë ose jo në zgjedhjet lokale të Kosovës me 3 nëntor, sipas tyre ka ndikuar që këto raporte të ndërlikohen edhe më tej.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG