Ndërlidhjet

NATO: Raportet për spiunim, të padobishme


Ilustrim
Ilustrim
Gjenerali amerikan, i cili komandon forcat e NATO-s në Evropë, ka thënë se përgjimet që dyshohet se u kanë bërë Shtetet e Bashkuara aleatëve, “nuk janë të dobishme”, por, megjithatë, nuk dëmtojnë mundësitë e tij për të punuar me homologët ushtarakë.

Gjenerali i forcave ajrore, Phil Breedlove, u ka thënë gazetarëve në Pentagon se çdo dëm që mund të jetë shkaktuar në marrëdhëniet SHBA-Evropë, nga akuzat për spiunim, do të riparohet, raporton AP.

Gazeta spanjolle “El Mundo” ka publikuar sot një dokument, në të cilin thuhet se Agjencia e Sigurisë Kombëtare e Shteteve të Bashkuara ka përgjuar më shumë se 60 milionë telefonata të spanjollëve në periudhën mes dhjetorit 2012 dhe janarit 2013.

“El Mundo” ka thënë se dokumenti është siguruar përmes ish-kontraktorit të CIA-s, Edward Snowden.

Për përgjime të ngjashme kanë raportuar edhe mediat në Francë dhe Gjermani.

Dyshohet se shënjestër e tyre ka qenë edhe kancerlarja gjermane, Angela Merkel.
XS
SM
MD
LG