Ndërlidhjet

Kuadri specialistik mjekësor po vazhdon të largohet nga Kosova, për të kërkuar punë dhe kushte më të mira në vende të ndryshme të botës.

Sot në Kosovë janë 81 specialistë të papunë.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani ka bërë të ditur se me gjithë numrin e vogël të specialistëve të papunë në Kosovë, ai në mandatin e tij ka arritur që ti punësojë 250 specialistë të rinj.

"Premtimi im ka qenë do të mundohemi që mos të kemi specialistë të papunë në Kosovë. Dhe unë jam shumë i kënaqur me atë se sa e kemi përmbushur atë premtim. Deri më tani sot në Kosovë i kemi 81 specialistë të papunë, përfshirë edhe ata që kanë diplomuar këtë javë . Ne jemi shumë të preokupuar që çdo specialist të çdo lëmie ta punësojmë".

"Dihet mirëfilli që kjo Ministri e Shëndetësisë, në këtë mandat, ka bërë diçka që shumë udhëheqësi nuk kanë bërë. Ne kemi punësuar deri më tani 250 specialist të rinj, e mos të flasim për specializantët që i kemi mbështetur edhe financiarisht. Do të mundohemi që ta realizojmë këtë obligim ligjor dhe të punësojmë gjithë specialistët", tha Agani.

Pagat e mjekëve specialistë janë mbi 500 euro, derisa infermierët për punën e tyre paguhen rreth 300 euro në muaj në sektorin publik, pohon zyrtari për informim në Qendrën Klinike Universitare.

Me kushte të punës dhe pagesë nuk janë pajtuar shumë mjekë specialistë, duke kërkuar punë në vende të ndryshme të Evropës e më gjerë.

Gani Abazi, neurokirurg nga Prishtina, ka shkuar në Amerikë për avancim të mëtutjeshëm profesional.

Tash ai jeton dhe punon në departamentin e neurokirurgjisë në një nga spitalet e Harvardit.

"Unë kam shkuar atje për studime të mëtejshme dhe pas përfundimit të magjistraturës, e kam parë të domosdoshme të specializoj në Amerikë. Diferenca ndërmjet Kosovë dhe vendit ku punoj unë, në Amerikë, është shumë e madhe, në raport me monitorimin e kualitetit të procedurave, ekselencën klinike, sigurimet shëndetësore".

"Në Amerikë gjithçka është e protokolluar dhe jepet trajnimi më i mirë i mundshëm për mjekët, por në qoftë se nuk kryhet puna si duhet, atyre mjekëve u merret menjëherë licenca. Mendoj se është një lloj zinxhiri i përgjegjësisë, sepse ne kemi të bëjmë me jetën e njeriut dhe duhet të jemi përgjegjës edhe para ligjit, edhe para normave etike që janë në shëndetësi", tregon Abazi.

Sidoqoftë ministri Agani ka thënë se edhe përkundër vështirësive financiare, me buxhetin e Qeverisë së Kosovës, do të punësojë specialistët e mjekësisë të cilët kanë ngelur pa punë.

"Jemi duke u munduar që me ministrin e Financave të diskutojmë rreth buxhetit dhe të sigurojmë atq për vitin 2014, edhe pse ka limitime serioze buxhetore, Qeveria e Kosovës nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar, por insistimi i MSH-së është që të sigurojmë punësimin e gjithë specialistëve sepse bëhet fjalë për resurse të jashtëzakonshme të cilat janë të domosdoshme për zhvillimin e suksesshëm të reformës së sistemit shëndetësor", është shprehur zoti Agani.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG