Ndërlidhjet

Kosova ka shënuar përparim në aspektin legjislativ sa i përket sektorit ekonomik, por situata në terren mbetet ndryshe, vlerësojnë ekspertë për çështje ekonomike.

Këto komente ata i bëjnë pas publikimit të raportit të fundit të Bankës Botërore “ Të bërit Biznes 2014”, ku Kosova është radhitur e 86-ta, duke shënuar përparim për 10 pozita krahasuar me vitin e kaluar.

Ibrahim Rexhepi, udhëheqës i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale,
(STRAS), thotë se raporti i Bankës Botërore merret me kritere teknike të pasqyruara nëpër ligjet ekzistuese, dhe nuk hynë aq thellë në vlerësimin e burokracisë apo vlerësimin e vështirësive me të cilin ballafaqohet komuniteti i biznesit.

"Nëse kemi parasysh lëvizjet që kanë ndodhur në tri vitet e fundit, vërtet vërehet se në aspektin legjislativ Kosova po përparon, po avancon, por sërish mbetet problem zbatimi i ligjeve që janë të ngarkuara më bukur shumë probleme duke filluar prej korrupsionit dhe burokracie tejet të rëndë”, thotë Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër Safet Merovci, profesor në Universitetin e Publik të Prishtinës, thotë se me gjithë të arriturat që Kosova ka shënuar në raportin e fundit, autoriteteve kompetente i mbetet ende punë.

Ai megjithatë radhitjen e Kosovës në vendin e 86 e vlerëson pozitiv, pasi sipas tij, kjo mund të ndikojë edhe në rritjen e interesimit tek investitorët e huaj.

Unë mendoi se është mirë, pavarësisht ekonomisë reale që mund të ketë edhe pengesa. Do të thotë se pavarësisht se sa është kualitative ai ndryshim, për shkak të pozicioneve që renditën. Por, vetëm lajmi se Banka Botërore na vlerësojnë se jemi mirë, dëshmon se diçka ka lëvizur në mënyrë pozitive në këtë vend”, shprehet Merovci.

Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore përparime janë bërë në tre indikatorë: në fillimin e një biznesi, sigurimin e lejeve ndërtimore dhe në regjistrimin e pronave.

Lehtësimi i procedurave në regjistrimin e biznesit dhe marrjen e lejeve të ndërtimit është e vërtet, thotë Rexhepi.

Por, ai thotë se për dhënien e lejeve të ndërtimit komunat nuk kanë qenë të përgatitura të ofrojnë lokacionin e duhur për ndërtimin e objekteve të ndryshme, çka sipas tij, ka bërë që Kosova të ballafaqohet më një kaos urbanistik.

"Sa i përket regjistrimit të biznesit është e vërtet se ka thjeshtësime të procedurave, janë hapur shumë qendra. Ndërkaq, kur janë në pyetje lejet e ndërtimit, është e vërtet se ka ndryshime, ka përparime, së paku në këtë kategori vërehet se Kosova ka avancuar për tetë vende".

"Por, është një problem tjetër meqenëse pa marr parasysh ajo çka thuhet në ligj, ka edhe probleme tjera si mungesa e planeve rregullative, urbanistike të cilat e vështirësojnë problemin e dhënies se lejeve, jo në kuptimin e procedurave, por komunat nuk janë përgatitur që të ofrojnë lokacione apo vende ku mund të bëhen ndërtimet”, thotë Rexhepi.

Ndryshe, nga 186 vendet e studiuara në raportin e Bankës Botërore, Kosova tash radhitet e 86-ta, në krahasim me vendin e 96-të që kishte në vitin 2013 dhe 126-të në vitin 2012.

Kosova me këtë radhitje paraqitet në mesin e 10 reformuesve më të mëdhenj në mbarë botën.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG